Dorëheqjet në VV synojnë ngjitjen e Shpend Jahtit në krye të partisë

  • 09 January 2018 - 07:29
Dorëheqjet në VV synojnë ngjitjen e Shpend Jahtit në krye të partisë

ZBULOHET PRAPASKENA E ÇARJEVE TË FUNDIT NË PARTINË MË TË  MADHE NË KOSOVË

Duke parë dhe përcjellë trendin e dorëheqjeve që po ndodhin në VETËVENDOSJE tash e disa ditë, njohësit e zhvillimeve politike në vend e shohin këtë proces, i cili po e dridh si tërmet këtë subjekt politik, të jetë një skenar i organizuar mirë, me presionin e vazhdueshëm mbi Albin Kurtin nga mafio-oligarkët 'Devolli' dhe nëntoka kriminale, për të sistemuar njeriun e tyre, të përzgjedhurin dhe të deleguarin e krimit të organizuar, kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, apo më mirë thënë Shpend Jahtin e Devollëve, në krye të VV-së. Analistët politikë dhe njohësit e afërt të këtyre zhvillimeve konsiderojnë se ky subjekt do të humbë shumë po qe se lejon që një i inkriminuar i tillë, një njeri i krimit të organizuar të vjen në krye të VV-së, si zakonisht, përmes mbështetjeve e lidhjeve me krimin e organizuar dhe duke tejkaluar të gjitha normat dhe rregullat statusore, të cilat garantojnë një demokraci të mirëfilltë partiake në funksion të avancimit edhe të pluralizmit të brendshëm politik dhe garës ideore. Sipas mendimit të analistëve, gjatë tërë kësaj periudhe prej që ka marrë postin e të parit të Prishtinës, Shpend Ahmeti në baza ditore ka punuar në prapaskenë me nëntokën kriminale për të marrë postin e të parit të VV-së, duke rrezuar Albin Kurtin dhe për të konkurruar bile edhe për kryeministër, si i preferuar dhe i financuar i "nëntokës kriminale" dhe mafio-oligarkëve tanimë të kriminalizuar. Ata mendojnë se një njeri i tillë duhet të largohet urgjentisht nga mundësia për të kandiduar për kryetar të VV-së, për kryetar komune apo çfarëdo posti tjetër, duke ruajtur gjithashtu edhe pacenueshmërinë e programit e statutit të VV-së, pasi që Shpend Ahmeti është i inkriminuar thellë në krimin e organizuar dhe mbështetësi e kontribuuesi më i madh i lulëzimit të krimit të organizuar në nivelin më të lartë në komunën e Prishtinës, kontribuues i kaosit, anarkisë dhe depresionit kolektiv në kryeqytet! Gazetari edhe pse ia ka dërguar pyetjet me shkrim kryetarit të Prishtinës,Shpend Ahmeti, për të marrë versionin e tij rreth këtyre akuzave, ky i fundit si zakonisht sërish nuk është përgjigjur!

Albini përpiqet të parandalojë ndarjen

Nga ana tjetër, analisti Reshat Sahitaj konsideron se kjo lloj lëvizje e dorëheqjeve në VV vetëm sa po e ngufat dhe degradon frymën e mirëfilltë të demokracisë pluraliste brendapartiake, sepse dorëheqjet e njëpasnjëshme që po ndodhin dhe do të ndodhin kah fundi i janarit janë rezultat i një politike staliniste të brendshme partiake."VV-ja ishte një sekt politik ku Albin Kurti e kishte krijuar ngritjen e kultit të individit, ku të gjithë të tjerët duhet të ishin vetëm hija e Albinit. Publikisht VV-ja kishte krijuar strategjinë si një lëvizje demokratike, por brenda celulës së tyre të ngushtë ishte i instaluar një centralizëm i hekurt, ku përveç fjalës së Albinit tjerët duhet vetëm të dëgjonin dhe aprovonin. Kjo ishte periudha kur ende partia nuk kishte pushtet", u shpreh ai."Më rritjen e partisë, u rritën edhe apetitet e disa individëve, u shtuan sektorët e fushëveprimeve, u shtua numri i deputetëve dhe militantëve, të cilët tanimë nuk ishin të kënaqur të ulnin kokën e të mos e thoshin mendimin e tyre. Ne shqiptarët jemi një popull më specifik dhe nuk e pranojmë lehtë liderin tonë, me të cilin rrimë dhe pimë e i cili fol më shqip se ne tjerët. Anëtarët e kryesisë i shtronin vetes pyetje: Pse thuhet partia e Albinit kur ne punojmë më shumë se Albini. Pse ai të propozohet për kryeministër kur ne veprojmë më shumë se Albini? Pse Albini përmendet kudo e ne tjerët mbesim në heshtje totale të mbuluar nga hija e tij? Këto ishin pyetje në vetvete pa guxuar asnjëri t'i thoshte haptas e publikisht. Sikur VV-ja të mos zgjerohej dhe të bëhej partia nr 1, Albini nuk do ishte kundërshtuar nga asnjëri, mirëpo zgjerimi i partisë sjellë kuadro të reja të afta e të paafta. Në zgjerimin e VV-së iu bashkëngjitën dështakët e partisë Fryma, si Shpend Ahmeti, Iliri Dedaj etj., të cilët me çdo kusht duhet të kyçeshin në polikë pas vjedhjeve në asociacionet OJQ që i kishin pasur. Kyçja e Shpend Ahmetit në VV ishte një bombë e kurdisur për të pëlcitur në moment të duhur, ku më Albin Kurtin do t'i humbej autoriteti dhe zëri i tij prej lideri të pakontestueshëm", vijoi më tej Sahitaj. Fillimisht Albin Kurti kishte besim në Visar Ymerin, Liburnin dhe Glaukun, të cilët ishin shtylla të pakontestueshme të VV-së, mirëpo Visar Ymeri përmes takimeve sekrete do ta bindte Albinin se partia duhej të freskohej me figura të reja e në fakt qëllimi nuk ishte të freskimi, por të forcimi i pozitës së tij personale. Në këtë mënyrë VV-së iu bashkëngjit Shpend Ahmeti, i cili që në start ishte kundër Albin Kurtit, por me forcimin e tij si kryetar i Prishtinës, Shpendi do të forcohej edhe më tej, duke bashkëpunuar sekret me kapitalistët shqiptaro-serbë. Për Albin Kurtin nuk ishte me rëndësi se cili do të bëhej kryetar i një komune, me rëndësi ishte që VV-ja po e okuponte komunën. Aktualisht Albin Kurti ia ka frikën Shpend Ahmetit dhe i bën lutje që mos të ndahet siç bëri Visari. Në fakt, Albini është duke e luajtur rolin e viktimës dhe po vazhdon të bëjë negociata me të ikurit e tij, jo se ata po i dhimbën e as që po i do, por ikja e Shpend Ahmetit do të ketë pasoja katastrofike për Albin Kurtin, i cili më nuk do të krekosët se është partia më e madhe dhe nuk do krenohet se po e udhëheq Prishtinën", tha Reshat Sahitaj për "Kosova Sot".

Mulliqi: Shpend Ahmeti, lojtari kryesor i gjithë kësaj loje në prapaskenë

Ndarjet e mëdha dhe largimet e fundit që po ndodhin në VV janë pasojë e lakmisë për pushtet dhe shfrytëzim të pushtetit për interesat individuale, edhe sipas analistit Skënder Mulliqi."Të gjitha këto dorëheqje, të cilat po ndodhin në VV, po bëhen së kush të bëhet hisedar i të mirave materiale, pasi që ky subjekt politik edhe për një mandat e siguroi udhëheqjen e Prishtinës. Një pjesë e VV-së duket se është lidhur shumë për keqpërdorime dhe përfitime të ndryshme me biznesmenë të ndryshëm, të cilët natyrisht se janë të interesuar t'i kenë në secilin subjekt politik njerëzit e vet", potencoi ai."Kjo luftë e ashpër përfituese dhe për primat është instaluar më herët në VV dhe kjo garë joparimore ka bërë që të vijnë në shprehje edhe dorëheqjet. Sigurisht së lojtari kryesor i gjithë kësaj duhet të jetë në prapaskenë, Shpend Ahmeti, se ai është kryetar i kryeqytetit dhe ai është duke i futur në këtë lojë politike një pjesë bukur të madhe të individëve, e cila lojë shumë do t'i kushtojë këtij subjekti politik tash e në të ardhmen .Tashmë duket qartë së VV-ja është ndarë në dy taborë, e ka pasur mundësi që të bëhet parti shumë më serioze", vijoi më tutje Mulliqi."Duket se në këtë parti i kanë futur duart edhe disa parti politike me qëllim që VV-në ta dobësojnë, duke mos paraqitur asgjë në skenën politike. Kështu siç janë duke shkuar punët, kjo parti ka mundësi të ndahet në dysh. Kjo do të reflektojë edhe te deputetët e saj, duke u ndarë në dy krahë. Ata të cilët janë me Shpend Ahmetin dhe kompaninë dhe ata të cilët janë me Albin Kurtin. Implikimet në krim dhe korrupsion të partive politike janë duke i kushtuar shumë Kosovës. E kanë shndërruar vendin në oazë të korrupsionit të nivelit të lartë, jemi duke u bërë shoqëri gjithnjë e më e kriminalizuar . Edhe kjo qarje e thellë në VV është duke i kontribuar kaosit politik, është duke futur paqartësi politike deri të depresioni jo vetëm në komunën e Prishtinës", tha Mulliqi për "Kosova Sot".

SEFAJ: SKENARI I DORËHEQJEVE NË VV, I PËRGATITUR NGA PARAPOLITIKA DHE SHIK-U, NË KOORDINIM ME OLIGARKËT DEVOLLI, TË POZICIONUAR NË KRAHUN E SHPEND AHMETIT

Ish-aktivisti i VV-së, Xhevat Sefaj, e sheh si shumë të mundshëm, për të mos thënë krejtësisht të përgatitur 100 për qind këtë skenarin e dorëheqjeve në VV nga strukturat e para politikës dhe të SHIK-ut, me qëllim të shkatërrimit të VV-së, në koordinim me oligarkët Devolli, të pozicionuar në krahun e Shpend Ahmetit. Sefaj ka një rrëfim interesantë për dyshimin rreth këtij skenari:"Gjatë vitit 2014, në kohën e opozitës së bashkuar, kur filluan të përflitet për mundësinë e një liste të përbashkët VV, AAK, NISMA, në zgjedhje parlamentare dhe një varianti që Shpend Ahmeti të ishte kandidat për kryeministër nga VV-ja, propozim ky nga AAK-ja, që si aktivist e kisha kundërshtuar në forume të Lëvizjes, jo pse dyshoja në Shpendin, por se nuk ishte e drejtë që Shpendi ende pa i mbushur dy vite të mandatit si kryetar i Komunës së Prishtinës më është dukur e padrejtë ndaj qytetarëve të Prishtinës, që qeverisja e parë e një komune nga VV-ja t'i braktisë ata ende pa e përfunduar mandatin katërvjeçar. Të them të drejtën nuk jam pajtuar as me mënyrën se si ka ardhur ky propozim nga AAK-ja dhe aktivistëve nga VV-ja që janë pajtuar me këtë ide, e kam kundërshtuar, sepse nuk më është dukur e drejtë që një parti tjetër të vendosë se kush mund të jetë kandidat për kryeministër nga VV-ja", u shpreh ai."Kur unë isha kandidat për kryetar qendre në Pejë, ish miku im, Dardan Sejdiu, e ka përkrahur kandidaturën time, sepse njiheshim që nga partia FER-i, mirëpo kur ia kam bërë të qartë se unë jam që Albini të jetë kandidat për kryeministër nga VV-ja dhe nuk pajtohem që një parti tjetër ta caktojë se kush duhet të jetë kandidat për kryeministër dhe se Shpendi sapo është zgjedhur kryetar i Prishtinës edhe ka kohë për Shpendin për t'u bërë kryeministër, si duket kjo nuk i ka pëlqyer aspak, pastaj e kam kuptuar se Dardan Sejdiu dhe Dardan Molliqaj janë një grup, sepse kur Dardan Molliqaj kishte thyer jashtëligjshëm pasuordin e 'Facebook'-ut e kishte marrë si diçka normale dhe se ishte në dijeni dhe bashkëpunëtor me Dardan Molliqajn në këto veprime kriminale për të më eliminuar nga gara për kryetar qendre në Pejë, sepse e kanë kuptuar se unë isha mbështetës i Albin Kurtit. Kur unë dhashë dorëheqje nga VV-ja, isha i ftuar në 'Klan Kosova' nga gazetari Shkodran Gajraku për t'i dhënë arsyet e dorëheqjes në emisionin e lajmeve 'Ora e Fundit', në ora 11:00, mirëpo ky emision u anulua edhe pse unë kisha shkuar në Prishtinë për të njëjtën arsye. Kjo ishte bërë me intervenimin e Shpend Ahmetit dhe të Dardan Molliqajt në koordinim me Baton Haxhiun, sepse e dinin se unë do tua them troç se çfarë kriminelësh janë. Një ditë pas më kontaktoi Berat Buzhala, po ashtu më pyeti pse ke dhënë dorëheqje nga VV-ja, edhe a mundesh këto arsye me i thënë në emisionin 'Komiteti' në RTV Dukagjin? I thashë po, tha ok hajde sot në ora 17:00, në qytezën 'Pejton' i kemi zyrat, vetëm dy orë pasi më thirri në telefon prapë tha mos u nis se na ndodhi një aktivitet tjetër e të thërrasim javën tjetër, e java tjetër kurrë nuk erdhi!. Një ditë pas më shkroi Arbana Xharra në mesengjer sepse jemi miq në fb. Me tha "Xhevat, shkruma një e-maill dhe numrin e telit se po dojnë me ju kontaktu nga gazeta Zëri", ia dërgova e-maillin e prapë nuk më kontaktuan. Shpend Ahmeti, Dardan Molliqaj, Visat Ymeri dhe këta janë bashkëpunëtorë të SHIK-ut dhe pikë. Pra, Devollët, 'Klan Kosova', 'Gazeta Express', 'Periskopi', janë në misionin e SHIK-ut për ta marrë 'Vetëvendosjen' nga duart e Albinit", është shpjegimi i plotë i Xhevat Sefajt për dyshimin që ka në përgatitjen e këtij skenari të dorëheqjeve në VV nga SHIK-u dhe Devollët së bashku me Shpend Ahmetin, për të rrëzuar Albin Kurtin.

Mbeturinat e PDK-së trazojnë Lëvizjen

Sipas analistit Blerim Burjani, plasaritjet e mëdha në këtë subjekt politik po ndodhin, ngase aty veprojnë kryesisht mbeturina politike të PDK-së, të cilët nuk kanë pasur ndikim në këtë subjekt politik, në PDK, dhe kanë kaluar në VV për qëllime dhe inate ndaj PDKsë."Kjo është e qartë dhe tash këta njerëz kanë arritur të jenë edhe deputetë dhe në pozita kyçe të VVsë. Realisht VV-ja do të duhej udhëhequr si subjekt i ri politik, plotësisht nga gjenerata e re dhe e mesme e Kosovës, por kjo nuk po ndodh", potencoi ai."Dikush ka bërë tërë kohën propagandë të brendshme politike që VV-ja duhet të reformohet, por kjo mund të arrihet me një gjeneratë të re politike dhe jo me të vjetër dhe disa pensionistë që vijnë nga PDK-ja dhe LDK-ja", theksoi Burjani për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)