Zeqa: Shteti i cili e ushtron monopolin ekonomik mbi një shtet tjetër, drejtpërdrejt e kontrollon edhe sistemin politik të atij vendi

  • 09 January 2018 - 14:11
Zeqa: Shteti i cili e ushtron monopolin ekonomik mbi një shtet tjetër, drejtpërdrejt e kontrollon edhe sistemin politik të atij vendi

 Analisti Florim Zeqa tha për "Kosova Sot", se për ata që i përcjellin zhvillimet politike dhe rrjedhat e zhvillimit ekonomik të vendit tonë, ajo që ka deklaruar ditë më parë z. Pandeli Majko, se bizneset po bllokojnë tregtinë e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës, jo vetëm që është e vërtetë, nuk paraqet ndonjë risi, është një argument më tepër dhe rikonfirmim i pushtimit ekonomik të Kosovës nga Serbia. "Bazuar nga parimi logjik; 'shteti i cili e ushtron monopolin ekonomik mbi një shtet tjetër, drejtpërdrejt e kontrollon edhe sistemin politik të atij vendi', atëherë kjo i bie që liderët tanë shtetërorë ka kohë që janë dorëzuar përballë invazionit ekonomik të Serbisë në Kosovë nëpërmjet bizneseve të inkriminuara dhe jo vetëm kaq", theksoi ai. "Përderisa në të kaluarën jo shumë të largët, Vojvodina konsiderohej hambar i grurit në ish-federatën jugosllave, sot Republika e Kosovës është shndërruar në hambar të produkteve të shtetit të Serbisë, prodhime këto të ricikluara nga 'mullinxhinjtë' kosovarë, këtyre importuesve më të mëdhenj që mbulojnë tregun në Kosovë dhe Shqipëri me mallra të dyshimta nga Serbia. Ky invazion i produkteve serbe në dy shtetet shqiptare është bërë pengesa kryesore e zhvillimit ekonomik dhe barriera më e madhe e integrimeve tona kombëtare", vijoi më tej analisti Zeqa.

"Oligarkët ekonomikë të Serbisë në Kosovë janë bërë sundimtarët faktikë jo vetëm në fushën e ekonomisë, por edhe të politikës, pasi me paratë e tyre të pista financojnë partitë tona politike, duke dirigjuar kahet e politikës kosovare sipas orekseve të shtetit serb!Sa është tmerrues guximi i politikanëve kosovarë për ta kundërshtuar Amerikën për Gjykatën Speciale, po aq është trishtues fakti i lidhjes së tyre me bizneset e pista dhe kriminale, të cilat 'de jure' dhe 'de facto' janë dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)