KAPITI:ANTILIGJI DHE KUNDËRDREJTËSIA I KANË PARALIZUAR INSTITUCIONET!

  • 09 January 2018 - 18:55
KAPITI:ANTILIGJI DHE KUNDËRDREJTËSIA I KANË PARALIZUAR INSTITUCIONET!

Analisti politik Skënder Kapiti shqetësohet edhe nga fakti, sipas të cilit, sipas tij, padrejtësia e drejtësisë në Kosovë ka paralizuar shtetin, ligjin dhe demokracinë dhe për pasojë është bërë kërcënim real për sovranitetin e Kosovës."Parimi më i lartë në një shoqëri dhe në një shtet është parimi i drejtësisë, zbatimi i saj njëlloj për të gjithë. Drejtësia nuk është e drejtë juridike e pronësore e askujt, pavarësisht nga statusi politik, ekonomik dhe trashëgimor i tij. Kosova, e cila ka marrë shembullin e Shqipërisë, të dyja këto shtete, kanë deficitin më të lartë në rajon, Evropë, dhe ndoshta edhe në botë, në drejtësi dhe në zbatimin e ligjit, aq sa janë bërë edhe problem ndërkombëtar, pasi antiligji dhe kundërdrejtësia i kanë paralizuar institucionet politike: partitë dhe parlamentin; institucionet e ekzekutivit, qeverisjet qendrore e lokale dhe administratën publike; institucionet e gjyqësorit të të gjitha shkalleve, mediet, si dhe vetë shoqërinë civile", u shpreh ai. "Mafio-oligarkia e krimit dhe korrupsionit është si oktapodi, tentakulat e të cilit kanë mbërthyer dhe e kanë paralizuar shoqërinë, e cila nuk është në gjendje që të reagojë e të shërohet. Drejtësia dhe ligji, të cilët duhet të jenë në krye të frontit kundër padrejtësisë, krimit e korrupsionit, realisht janë shndërruar në një prapavijë sigurie e mbrojtëse të tyre", tha Kapiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)