Banorët ironizojnë keq deputetin socialist: Sa keq që u mbyll emisioni i Aida Shtinos

  • 09 January 2018 - 20:09
Banorët ironizojnë keq deputetin socialist: Sa keq që u mbyll emisioni i Aida Shtinos

Gjashtë muaj pas zgjedhjeve parlamentare qytetarët e Pogradecit kërkojnë deputetin Ilir Xhakolli, një nga dy deputetët socialistë fitues në këtë zonë.

Ironitë kanë shpërthyer në rrjetet sociale me Xhakollin nga vetë banorët të cilët kërkojnë edhe rifillimin e emisionit të Aida Shtinos “Njerëz të Humbur” në mënyrë që të kenë një vend për ta kërkuar.

Shkak është bërë mungesa e tij e gjatë në zonën ku kërkoi votat me premtime të shumta si shtrimi i rrugëve lidhëse në fshatrat e Mokrës, hapja e vendeve të punës, etj.

Me publikimin e një fotoje ku duket prezenca e deputetit tjetër socialist në Pogradec Eduard Shalsi, I cili zhvillon takime të herëpashershme me banorët edhe pas zgjedhjeve, nis njoftimi i rëndësishëm “KUSH E GJEN TE NA KONTAKTOJE”.

E më pas kanë plasur edhe ironitë të tipit “duhet ta kishim pajisur me GPS (pajisje Gjurmimi) gjatë fushatës”, “nuk e gjejmë dot se nuk e njohim”, “Sa keq qe u mbyll emisioni i Aida Shtinos “Njerëz të Humbur” se atje do ta kërkonim” apo të banorëve që janë mërzitur nga mosmbajtja e premtimeve të cilët nuk duan më ta shohin në zonë.

Kujtojmë se në qarkun e Korçës janë 3 deputetë, 2 nga PS dhe tjetri nga PD që përfaqësojnë zonën e Pogradecin në Kuvend.

Image

 

(Kosova Sot)