Bannon përjashtohet nga Breitbart News pas polemikave rreth librit për Trumpin

  • 09 January 2018 - 23:52
Bannon përjashtohet nga Breitbart News pas polemikave rreth librit për Trumpin

Ish-strategu i fushatës së Presidentit Donald Trump, Steve Bannon, është larguar nga pozicioni i drejtuesit të Breitbart News.

Largimi i detyruar i Bannon nga ueb-sajti konservator i lajmeve vjen pasi ai nuk mundi të qetesojë stuhinë që u krijua nga komentet që iu atribuan atij të bëra në një libër të ri, ku ai vë në pikepyetje shëndetin mendor të Presidentit Trump, dhe denigron figurën e djalit të tij të madh, Donald Trump Jr.

Bannon dhe Breitbart do të punojnë së bashku për të realizuar një tranzicion të butë, thuhet në një deklaratë te shefit ekzekutiv të kompanisë Larry Solov.

Në deklaratë, Bannon shtoi se është "krenar për atë që ekipi Breitbart ka arritur në një periudhë kaq të shkurtër kohe në ndërtimin e një platforme të lajmeve të klasit botëror".

Në gusht të 2017, Steve Bannon, është rikthyer në detyrën e tij si shef i Breitbart News. Në atë kohë ai tha se do të luftonte për agjendën me të cilën Trump fitoi zgjedhjet.

Bannon njihet si personi që e ndihmoi Donald Trumpin të siguronte fitoren në zgjedhje e është përplasur çdo ditë në Shtëpinë e Bardhë për të avancuar pikëpamjet e tij lidhur me tregtinë në kuadër të motos “Amerika e para”.

(Kosova Sot)