Drejtësia dhe shteti ligjor e kanë HUMBUR KUPTIMIN NË KOSOVË

  • 10 January 2018 - 07:29
Drejtësia dhe shteti ligjor e kanë HUMBUR KUPTIMIN NË KOSOVË

DEGRADIMI I INSTITUCIONEVE TË ZBATIMIT TË LIGJIT

Mungesa e një drejtësie për të gjithë qytetarët, drejtësi e bazuar në ligje dhe Kushtetutë, sipas njohësve të kësaj fushe, na bën të mendojmë dhe të bindemi që në Kosovë e ka humbur fare kuptimin drejtësia dhe shteti ligjor. Sipas analistëve, kjo për faktin se në vend që të bëhej shteti i së drejtës si shtet ligjor, Kosova u shndërrua në një xhungël joligjore, ku të fortët, njerëzit e pushtetshëm, ishin dhe vazhdojnë të jenë dhe të mbeten të paprekshëm, ngase përgjegjësia kryesore është tek njerëzit që po vazhdojnë ta sundojnë Kosovën që prej vitit 1999, si nga mbitoka e inkriminuar, po ashtu edhe nga nëntoka kriminale! Analistët vlerësojnë se pak ka rëndësi nëse ishin në opozitë dikur, apo kur erdhën në pushtet, garnitura e njëjtë që udhëheq herë nga nëntoka, e herë në ekzekutiv në të dyja nivelet e pushtetit, sepse ajo që drejtësinë dhe të gjitha institucionet e shtetit i vendosi në duart e mafio-oligarkëve dhe nëntokës kriminale është vetë politika. Njohësi i kësaj fushe, Hasan Preteni, konsideron se drejtësia është aq e devijuar dhe degraduar, sa që shumë probleme madje zgjidhen edhe me forcë, me ligjet kanunore. "Të gjitha janë të vërteta, organet e drejtësisë janë aty për të plotësuar formën, kurse drejtësia në praktikë ndahet me Kanun dhe metoda të tjera mesjetare. Janë rastet praktike ku titullarët e institucioneve shtetërore betohen me Kanun dhe pleqnarë. Edhe përdorimi i armëve, lirimi i pronave, pajtesat, ndarja e pronave dhe të gjitha të tjerat rregullohen me ndërmjetësime, pleqnarë e Kanun", tha Preteni për "Kosova Sot". 

Politika e kriminalizoi sistemin

Sipas njohësit tjetër të kësaj fushe, Naim Miftarit, fjala drejtësi ka humbur kuptimin qysh me instalimin e sistemit të UNMIK-ut në Kosovë."Ky staf i larmishëm Kosovën e shfrytë- zonin vetëm si një vend nga ku mund të pasurohen shumë shpejt, pasi merrnin dhjetëra- mijëra euro paga, por edhe korruptoheshin lehtë nga nëntoka, pasi nuk ishin në shtetet e tyre. Kurse gabimi i dytë u bë kur u pranuan prokurorë dhe gjyqtarë vendas ata që i kishin shërbyer shumë vjet Jugosllavisë dhe Serbisë komuniste, pra njerëz dikur gjakpirës dhe të korruptueshëm shumë lehtë në demokraci. Pastaj klasat politike vendore që lindën dhe brenda natës u bënë demokratë, kurse flinin me kallashnikov nën jastëk, politikanë që s'kanë kokërr morali, që deri dje ishin në parti të tjera, e për një interes të vetin personal kalonin në partitë që i kishin kritikuar me vite. Pra, partitë tona shqiptare u shndërruan në bursë biznesi, në banda interesi, ku klanet e brendshme apo parasistemet i caktonin kush të jetë deputet, kush komandant i policisë, AKI, hetues, prokuror, gjyqtar ...etj", u shpreh Miftari për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti politik Arsim Haziri vlerëson se në mungesë të sundimit të mirëfilltë të ligjit, Kosova vazhdon të cilësohet akoma shtet jofunksional, shtet që nuk përmbush nevojat dhe obligimet e të gjithë qytetarëve të shoqërisë sonë."Dhe, duke qenë i këtillë, është kështu siç është, ku më shumë se gjithçka është në funksion vetëm të oligarkëve politikë,formacioneve të tjera ekonomike dhe kriminale, të cilat gjithnjë e më shumë janë duke e dërguar vendin drejt një paperspektive të përgjithshme", u shpreh ai."Ndëshkimi i kësaj klase politike është çlirim nga burgu afatgjatë", tha Haziri për "Kosova Sot".

Kontrollimi informal i drejtësisë

Profesori i së Drejtës, Muhamet Kelmendi, konsideron se sistemi i drejtësisë është në gjendje të rëndë dhe pa një riparim të tij gjeneral nuk mund të vihet në binarët e rregullt dhe në interesit të qytetarit."Nuk funksionon Prokuroria dhe as Gjyqësori në konditat e ligjit që është në fuqi. Organet kompetente për t'u përkujdesur për funksionimin e Prokurorisë dhe të Gjyqësorit, siç janë Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, janë në shërbim të dy subjekteve informale në Kosovë. Këtu mendoj në: 1. Në shërbim të mafisë oligarkike ekonomike dhe financiare të ndërtuar në Kosove dhe 2. Të grupit informal politik që janë në pushtet në qendër dhe nëpër komuna. Këto dy baza i kanë në kontroll Prokurorinë, Prokurorinë Speciale, Gjyqësorin dhe policinë kompetente në Kosovë. Kjo çështje mund të fillojë të marrë frymë vetëm me ndryshimin total të udhëheqjes së policisë, të drejtorëve e zëvendësdrejtorëve, të KPK-së dhe të KGJK-së, prej nga mund dhe duhet të përzgjidhen më të kualifikuarit, më të moralshmit dhe më shtetërorët, sepse prej tyre varet edhe funksionimi i sistemit të drejtësisë", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti politik, Naim Kelmendi, konsideron se për kaq vite të pasluftës në Kosovë politika dhe pushtetet nuk arritën që ta ndërtojnë shtetin e së drejtës me sundim të rendit dhe ligjit, dhe duke qenë kështu e dobishme edhe politikisht për vendin, por gjithsesi edhe për perspektivën ekonomike të vendit. "Por, fatkeqësisht, Kosova për kaq vite u shndërrua thjesht në një xhungël joligjore, ku njerëzit e pushtetshëm e bëjnë ligjin dhe të drejtën si të duan ata, dhe kështu vazhdojnë të qëndrojnë të paprekshëm nga e drejta dhe ligji, mbase dhe duke qëndruar mbi ligjin", vlerësoi Kelmendi për "Kosova Sot". 

Gara politike, me rezultate dëshpëruese

Sipas analistit Skënder Kapiti, kur korrupsioni, krimi i organizuar dhe padrejtësia bëhen kulturë e politikës, e partive politike dhe e sistemit, kjo do të thotë se gara politike, zgjedhjet dhe ndërrimi i pushtetit nuk sjell asnjë dobi dhe asnjë ndryshim të gjendjes së krimit, korrupsionit, vjedhjes dhe abuzimit me pushtetin."Kjo pasi kush vjen në pushtet vjen po për të njëjtin qëllim të atij pushteti të cilin vetëm sa e zëvendëson. Pra, populli vetëm sa voton po të njëjtën elitë të korruptuar politike", theksoi ai. "Pushteti politik, i cili largohet dhe zëvendësohet prej pushtetit të ri, në fakt as ai nuk humb gjë prej vetes së tij, sepse është vendosur një marrëveshje e fshehte dhe e padeklaruar e politikës shqiptare të kriminalizuar dhe të korruptuar, e cila është ajo e mosndëshkimit të njëra-tjetrës sipas logjikës: unë nuk të ndëshkoj ty tani që unë kam në dorë pushtetin, ligjin dhe drejtësinë me kusht që edhe ti mos më ndëshko mua kur të vish në pushtet", tha Kapiti për "Kosova Sot". Sipas tij, kjo marrëveshje dhe lojë e ndyrë në kurriz të qytetarëve shqiptarë ka 27 vjet që luhet në Shqipëri dhe po kjo lojë politike luhet edhe në Kosovë.

(Kosova Sot)