Amerika po i izolon liderët e Kosovës

  • 10 January 2018 - 07:41
Amerika po i izolon liderët e Kosovës

PUÇI KUNDËR SPECIALES DHE REFUZIMI I DEMARKACIONIT, ME PASOJA

Analistët politikë, duke u bazuar në lajmin e konfirmuar edhe nga zyrtarë të SHBA-së, por edhe nga kabineti i kryeministrit Haradinaj, për dështimin e një vizite në SHBA, për shkak të mosmarrjes së vizës amerikane, konsiderojnë se kjo është tani shuplaka më e fortë që SHBA-ja ia ka dhënë deri më sot politikës aktuale të Kosovës. Analistët vlerësojnë se tani po bëhet e qartë se Amerika ka nisur seriozisht, së bashku me BE-në, që të veprojë e të tregojë dhëmbët në format e ndryshme ndaj kësaj politike tepër të papërgjegjshme e të inkriminuar, e cila, ndonëse e tejinkriminuar, ka qenë e përkëdhelur deri tani, por për shkak të konfrontimeve të pashembullta me ndërkombëtarët sot po e pret ndëshkimin e merituar. Sipas analistëve politikë, tani këta "mëkatarë" të politikës kosovare po tentojnë gjoja të zmbrapsen pushtetarët nga iniciativa e shfuqizimit të Gjykatës Speciale, siç po bën së fundi Kadri Veseli, vetëm pasi SHBA-ja dëshmoi e tregoi se ua ndal edhe vizat, siç veproi me Ramush Haradinajn. Ibrahim Kelmendi, veprimtar i diasporës, thotë se mosdhënia e vizës amerikane për Haradinajn nuk është shuplaka më e fortë. "Nuk më ngjan që Amerika po tregon dhëmbët vetëm me këtë refuzim vize. Do të mirëprisja që Amerika të urdhëronte KFOR-in amerikan në Republikën e Kosovës, persona të inkriminuar, si Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi, t'i izolonte në 'Bonstil', meqë institucionet kompetente të Kosovës i kanë kapur këto marioneta kuislinge dhe nuk janë në gjendje të na çlirojnë prej tyre, duke i nxjerrë para gjykatave", tha Kelmendi për "Kosova Sot". 

Vetëdijesimi i kryeparlamentarit për komplotin

Kelmendi shpreson që kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vërtet u ndërgjegjësua për komplotin që po inskenonin Hashimi, Ramushi, Batoni, por edhe vogëlushet e sojit Nasim Haradinaj, argatë të tyre."Unë po shpresoj, më në fund, që Kadri Veseli të mos jetë më, hapur as fshehurazi, pjesë komplotiste e bandës që po komandohet nga Hashim Thaçi", vijoi më tutje ai. Mirëpo, Kelmendi thotë se sigurisht që pasojat po i vuajnë qytetarët dhe, sipas tij, e meritojnë t'i vuajnë, edhe ata që nuk kanë marrë pjesë në votime, për t'i mundur këta harambashë të inkriminuar."Ja, jemi në dimër dhe bashkëqytetarët duhet ta vuajnë edhe mungesën e rrymës, pos që duhet ta paguajnë çmim për te mbi mundësitë financiare. I kishim kushtet edhe për të eksportuar energji elektrike, me fitime të mëdha. Pikërisht harambashët Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Ramush Haradinaj dhe paramilitarët e tyre politikë, me sabotimet e tyre për ndërtim të termoelektranave vetjake, i kanë dënuar bashkëqytetarët dhe bizneset me mungesë rryme e çmime të larta; bile edhe monopolin për furnizim me rrymë ia kanë "dhuruar" krimit të organizuar turk. Njësoj si me rrymë i kemi krimet e mëdha edhe në sektorin e ndërtimit të magjistraleve dhe në fusha të tjera", theksoi Kelmendi. "Tashmë u pa se këto marioneta ishin të gatshëm të rrezikonin edhe përkrahjen nga shtetet më të fuqishme e më demokratike të botës ndaj shtetit tonë, duke u angazhuar të bënin komplot kundër 'Gjykatës Speciale', edhe duke e shpërdoruar Kuvendin e Republikës së Kosovës. Uroj që këtë komplot në tentativë e tejkaluam, por komplotistët duhet të marrin dënimin e merituar", tha Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot".

Analisti Ragip Guraziu konsideron se ky dorëzim i tanishëm, i ulët i liderëve politikë të Kosovës karshi kundërshtimit ndërkombëtar për ta stopuar veprimin e Gjykatës Speciale, e që rezultoi edhe me mosdhënien e vizës amerikane për kryeministrin Haradinaj, është shuplakë e rëndë për gjithë lidershipin qeverisës në vend. "Jo rastësisht erdhi tani shuplaka më e fortë që SHBA-ja ia ka dhënë deri më sot politikës aktuale të Kosovës, me refuzimin e vizës ndaj kryeministrit Haradinaj. Amerika definitivisht ka nisur të veprojë e të tregojë dhëmbët në format e ndryshme ndaj kësaj politike tepër të papërgjegjshme e të inkriminuar, e cila ndonëse e tejinkriminuar ka qenë e përkëdhelur deri tani, por për shkak të konfrontimeve të pashembullta me ndërkombëtarët, sot po e pret ndëshkimin e merituar. Tani ky lloj improvizimi, tentimi gjoja që të zmbrapsen pushtetarët nga iniciativa e shfuqizimit te Gjykatës Speciale, siç u përpoq të arsyetohej kryetari i PDK-së dhe kryeparlamentar vendi, Kadri Veseli, nuk e ka as minimumin e seriozitetit të lidershipit dhe shtetasit të vendosur dhe të reshtur pozitivisht, ngase kjo zmbrapsje vjen vetëm pasi që SHBA-të dëshmuan e treguan se ua ndalin edhe vizat, siç vepruan me Ramush Haradinajn", u shpreh ai. "Tani nuk është më aspak e pritshme të ndodhë edhe ndonjë tentim tjetër, përpjekje e orkestruar nga Hashim Thaçi e Baton Haxhiu, me Ramush Haradinajn, por të suportuar nga prapaskena në hije prej Kadri Veselit, që javën e ardhshme të bëjnë veprime në Kuvend, që do të na sillnin një katastrofë të re", tha Guraziu për "Kosova Sot". Pas kësaj shuplake amerikane, zmbrapsje të turpshme të politikës në pikën zero parasheh edhe analisti Ali Hertica. "Nuk ka asnjë arsye për të penguar punën e Dhomave të Specializuara, ku çdo subjekt politik apo deputet, duhet dhe do të heqin dorë nga tentim për ta shfuqizuar apo për ta rinegociuar çfarëdo forme të plotësim- ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Një veprim i tillë vetëm sa do ta vërë në pikëpyetje serioze përkushtimin dhe politikën e Kosovës të proklamuar për sundimin e ligjit, dhe do t'i humbë të gjitha të arriturat e deritanishme për Kosovën. Sinjali i SHBA-së dhe aleatëve të tjerë që janë miq të Republikës së Kosovës është tepër i ashpër tani", tha Ali Hertica për "Kosova Sot". Sipas tij, refuzimi i vizës për kryeministrin është një paralajmërim që në të ardhmen SHBA-ja do të përdorë një lloj "vetoje" për të pamundësuar lëvizjen e disa përfaqësuesve politikë, të cilët kanë devijuar.

Kosova në duart e matrapazëve

Analisti politik Faton Mehmeti mendon se tani pas tërheqjes nga tentativa e bllokimit të Speciales, kjo kastë politike do të detyrohet t'i japë zgjidhje edhe çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, përndryshe bllokada vazhdon. "Refuzimi i vizës për kryeministrin Haradinaj është lajm i keq për vendin, si pasojë e acarimit të raporteve të Qeverisë me SHBA-në. Kjo nënkupton se Haradinaj më nuk është palë e besuar nga SHBA-ja dhe person i padëshiruar dhe rrjedhimisht i rrezikshëm për sigurinë e SHBA-së. Refuzimi ka të bëjë me përpjekjen për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale dhe kundërshtimi për Demarkacionin me Malin e Zi", potencoi ai. "Besoj se shkas për refuzimin është përpjekja për shfuqizim të Gjykatës Speciale dhe kundërshtimi për Demarkacionin, të cilat janë thelbësore për vendin për të cilin SHBA-ja ka dhënë shumë kontribute. Bllokimi i Gjykatës Speciale dhe Demarkacioni do të konsiderohen edhe dështim për vetë SHBA-në, për gjithë fondet e dhëna dhe investimin e saj. Andaj, SHBA-ja i dha shuplakë Ramushit për ta këndellur, pasi me qëndrimet e tij po rrezikon të ardhmen e Kosovës dhe politikat strategjike amerikane. Është shumë e nevojshme që të bëhen reforma brenda partive politike në Kosovë, sepse me këta njerëz nuk do të këtë progres", u shpreh Mehmeti për "Kosova Sot". Tepër i ashpër ndaj liderëve politikë të papërgjegjshëm, pas shuplakës amerikanë ndaj kryeministrit Haradinaj, e atyre që po luajnë me imazhin e shtetit të Kosovës me këto lojëra, deklarohet analisti politik Reshat Badallaj. "Kjo është kur Kosova ka rënë në duart e të paditurve, matrapazëve dhe tyxharëve. Kosova nuk e meriton një gjë të tillë, që të ndëshkohet me fajin e këtyre matrapazëve. Dhe kështu është që çdoherë Kosova nxjerrë Qeveri kuislinge, Qeveri të pazareve dhe kurrë Qeveri me votën e lirë të qytetarëve dhe mu për këtë këta i vënë interesat e tyre personale, mbi ato shtetërore dhe kombëtare", theksoi ai. Sipas tij, nuk mund të bëhet një lojë e tillë me Amerikën.

Kryeaventuristi është Hashim Thaçi

Analisti Jeton Kelmendi thotë se liderët e paditur dhe të paedukuar të Kosovës, që për vite të tëra kanë luajtur dhe po vazhdojnë të luajnë me fatin e qytetarit të Kosovës, janë mashtruar duke menduar që njësoj mund të luajnë edhe me ndërkombë- tarët, por kësaj radhe iu ka hasur "sharra në gozhdë", dhe kjo lojë po iu kthehet përfundimisht si bumerang i madh, vdekjeprurës për karrierën e tyre politike. "Unë këtë lojë që u luajt tani e kam parë si një aventurë shumë të rrezikshme për Kosovën, dhe kjo ishte në vazhdën e aventurave të shumta, të cilat kjo kastë politike i ka bërë deri më tani. Kësaj radhe është fakti se aventurat kanë qenë të atilla, që kryesisht e kanë dëmtuar vetëm Kosovën dhe që kreu i këtyre aventurave politike ka qenë dhe është Hashim Thaçi. Unë edhe kësaj radhe e shoh Hashim Thaçin si një aventurier të radhës, me aventurën për Gjykatën Speciale, ndërkaq tani kjo zbutje e faktorit politik kosovar vjen për faktin që këta dihet fare mirë se nuk mund të luajnë me SHBA-në dhe BE-në", theksoi ai."Deri më tash kanë luajtur vetëm me Kosovën, ndonëse edhe kjo lojë e tanishme është e rrezikshme edhe për Kosovën si shtet, por tani në një mënyrë më perfide po luajnë edhe me Amerikën dhe BE-në dhe tani vetë refuzimi i vizës amerikane për kryeministrin Haradinaj është një mesazh i qartë dhe serioz që u thotë këtyre liderëve politikë: çka është mjaft, mjaft, e keni tepruar dhe e keni bërë boll dhe ju nuk mund të luani më me ne, me Amerikën e as me Evropën", vijoi më tutje ai. "Këta, pra, e kanë sjellë tani vendin në një pozitë më të vështirën e më te keqen, në të cilën ka qenë vendi ndonjëherë që nga pas lufta e deri më tani në raport me faktorin ndërkombëtar. E, problemi qëndron edhe në faktin se kasta politike në Kosovë, në shumësinë e saj absolute, është e papërgjegjshme dhe këtu nuk janë fajtorë vetëm të mëdhenjtë, gladiatorët e politikës, siç janë trinomi Thaçi, Veseli, Haradinaj dhe sejmenët e tyre, por kjo papërgjegjësi shtrihet edhe në instancat më të vogla, edhe në instancat lokale, sepse në Kosovë është korruptuar edhe logjika e shumicës, jo e të gjithëve, sepse kur vijnë në pushtet, shumica vijnë vetëm për ta zhvatur këtë vend, për të kapur dhe për të vazhduar deformimin, i cili po ndodh tani e dy dekada pandërprerë", tha Jeton Kelmendi për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)