Gjykata konfirmon aktakuzën ndaj Fisnik Ismailit për gazin lotsjellës

  • 10 January 2018 - 11:22
Gjykata konfirmon aktakuzën ndaj Fisnik Ismailit për gazin lotsjellës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj deputetit Fisnik Ismaili, i akuzuar për veprat penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, lidhur me rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës.

Kjo gjykatë e ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismajli.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Ismaili, avokati Betim Shala, për “Betimi për Drejtësi” ka thënë se kundër këtij vendimi ka bërë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Në seancën e 13 dhjetorit të vitit të kaluar, avokati Shala, kishte paraqitur kërkesën e tij për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas tij, dyshimi i prokurorisë se i mbrojturi i tij, në ditën kritike, kishte poseduar dy bombola të gazit, nuk mund të vërtetohej vetëm me anë të një prove, të cilën e posedonte prokuroria, dhe atë vërtetimin mbi marrjen e përkohshme të gjësendeve.
Ndërsa, për veprën penale “pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” , sipas Shalës, prokuroria për vërtetimin e bazuar mirë se Ismaili kishte kryer këtë vepër penale, kishte përdorur vetëm disa video-incizime.

Fisnik Ismaili akuzohet se më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli nga ana e policisë, tek i pandehuri ishin gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës, të cilët i kishte fshehur në këpucët e tij, me qëllim që t’i fusë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Ismaili, gjithashtu akuzohet se më 17 nëntor 2015, në dalje të Kuvendit të Kosovës, i kishte penguar pjesëtarët e Policisë së Kosovës, Isuf Xhemajlin, Mehdi Kozhanin, Rifat Gashin, Ali Berishën dhe Faik Krasniqin në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas aktakuzës, në momentin kur policët kishin tentuar që ta ndalin dhe ta shoqërojnë në polici deputetin tjetër të Vetëvendosjes, Albin Kurti, i akuzuari Ismaili afrohet me deputetet e tjerë në mes dhe pamundëson shoqërimin e tij në polici.

Ndërkohë, më 22 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat edhe të mbrojtësve të deputetëve Ismajl Kurteshi e Haxhi Shala, kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që kishte konfirmuar aktakuzën për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Ismajl Kurteshi si dhe deputeti i Nismës për Kosovën, Haxhi Shala, akuzohen për veprat penale “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Në bazë të këtij aktvendimi, Gjykata e Apelit i ka vlerësuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes e cila kishte kërkuar që aktakuza e prokurorisë të hidhet poshtë si e pabazuar.

Sipas Apelit, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dhënë arsyetime të mjaftueshme e të cilat kanë mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen.

Kurse, Gjykata Themelore në Prishtinë, për veprat e njëjta penale, më 3 janar 2018,  ka shpallur fajtorë deputetet Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, të cilët i kishte dënuar me burgim me kusht.

Për hedhjen e gazit në Kuvendin e Kosovës, akuzohen edhe ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, si dhe deputetët Shqipe Pantina, Time Kadrijaj, Glauk Konjufca, Aida Dërguti, dhe Teuta Haxhiu.

(Kosova Sot)