Zhvillimi ekonomik është marrë peng nga mafio-oligarkët e nëntokës kriminale

  • 10 January 2018 - 07:48
Zhvillimi ekonomik është marrë peng nga mafio-oligarkët e nëntokës kriminale

Ekonomia në dorën e mafiooligarkëve të inkriminuar 

Monopolet kriminale dominojnë, investitorët dekurajohen, ndërkaq pushteti favorizon biznesin e ryshfetit

Analistë të ekonomisë dhe specialistë të kësaj fushe janë të mendimit se e ardhmja e vendit, përfshirë edhe zhvillimin ekonomik, është marrë peng nga mafio-oligarkët e nëntokës kriminale dhe lobeve të tyre të inkriminuara ,si dhe politikanët e lidhur fuqishëm me këto biznese e lobe kriminale. Ata vlerësojnë se në këtë aspekt më së tepërmi e kanë pësuar sipërmarrjet e rëndomta dhe që nuk kanë qenë të lidhura me krimin e organizuar në vend. Sipas tyre, e tërë kjo situatë u krijua për shkak të krimit të organizuar, që është i lidhur me nëntokën dhe monopolet. Analistët janë të mendimit se bizneset po bllokohen po qe se nuk janë në rrjetin e nëntokës kriminale dhe politikës kriminale ku duhet paguar haraçin dhe duhet punuar për interesa të tyre të inkriminuara. Ata vlerësojnë se monopolet dhe lobet e lidhura kriminale ekonomike janë në gjendje që të blejnë gati gjithçka, që nga politikanët e zyrtarët e inkriminuar nëpër institucione të shtetit, mediet etj. Sipas analistëve, nuk ka shans që të kemi shtet e as zhvillim ekonomik të vendit kur edhe kjo qeveri lejon monopolet kriminale dhe po i mbron ekskluzivisht vetëm interesat e mafio-oligarkëve të inkriminuar, të cilët duket se ua "lagin fytin" goxha mirë.

Sipërmarrja private mezi mbijeton

Analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha për "Kosova Sot" se e ardhmja ekonomike e vendit është marrë peng nga mafio-oligarkët e nëntokës kriminale dhe politikanët e lidhur me këto biznese kriminale."Sipërmarrjet e rëndomta kanë pësuar shumë që nga viti 2002 dhe gradualisht këtyre sipërmarrjeve u është vështirësuar puna dhe biznesi, sepse mafio-oligarkët dhe politikanët e haraçit nuk i kanë lejuar këto sipërmarrje të marrin frymë dhe ka nga ato që s'kanë pasur alternativë tjetër, saqë është dashur t'ua lagin fytin me para në mënyrë që bizneset e tyre të kenë sukses jo vetëm në tregun kosovar, por edhe jashtë vendit", theksoi ai."Monopolet dhe lobet e lidhura nuk janë në gjendje të blejnë gjithçka, por jam i bindur se edhe familjen e tyre e shesin vetëm që të pasurohen dhe të mos ua prish dikush qejfet e tyre. Veç saj, edhe lejet e ndërtimit e kanë shkatërruar Kosovën dhe qytetet me ndërtime të egra, siç janë ndërtesat mbi 5 kate dhe duke u ndërtuar vend e pa vend, duke u pamundësuar shtëpive dhe banorëve të atyre zonave të marrin frymë lirshëm, nga bllokimi i rrezeve të diellit e deri te pluhuri", u shpreh Grapci. Sipas tij, ndërtimet e egra në Kosovë që në fillim të vitit 2000 është dashur të bëhen me rregullore e jo shkel e shko. 

Mafio-oligarkët fuqizuan monopolet

Analisti Florim Rrudhani për "Kosova Sot" tha se nuk ka asnjë fije dyshimi se e ardhmja e vendit, përfshirë edhe zhvillimin ekonomik, është marrë peng nga mafio-oligarkët e nëntokës kriminale dhe lobeve të tyre të inkriminuara ,si dhe politikanët e lidhur fuqishëm me këto biznese e lobe kriminale."Në këtë aspekt më së tepërmi e kanë pësuar sipërmarrjet e rëndomta dhe që nuk kanë qenë të lidhura me krimin e organizuar në vend. E tëra kjo situatë ka ndodhur për shkak të krimit të organizuar që është i lidhur me nëntokën dhe monopolet, që nuk është stopuar dhe nuk e lë të marrë frymë zhvillimi ekonomik i bizneseve të rëndomta në Kosovë", u shpreh ai."E kemi këtë situatë pa rrugëdalje, ngase janë mafio-bizneset që përmes koalicionit aktual dhe atyre të mëhershmëve e kanë shtrirë ndikimin në monopole dhe që zotërojnë gjithçka dhe në këtë strukturë janë një pjesë e familjeve oligarkike në Kosovë, të lidhura me pushtetin që po e sundojnë vendin në pikëpamje ekonomike, por edhe në fusha të tjera", theksoi Rrudhani. "Mafio-oligarkët i kanë fuqizuar monopolet dhe janë në koordinim të plotë me pushtetin e tashëm. Ndaj sot të bësh biznes në këto rrethana gati është e pamundur", tha më tutje analisti Rrudhani. Ndërsa afaristi Ramadan Maloku tha për "Kosova Sot" se Qeverisë i ka ngelur mbi supe një detyrë e rëndë që ia lanë qeveritë paraardhëse."Kjo qeveri e ka për detyrë që të luftojë monopolet dhe lobet e lidhura kriminale ekonomike, të cilat deri më tash kanë dëshmuar se ato janë në gjendje që të blejnë gati gjithçka, duke filluar që nga politikanët e deri tek zyrtarët e tjerë të inkriminuar nëpër institucione të shtetit, mediat e portalet dhe gjithçka tjetër që kanë dhe që u del përpara", u shpreh ai. Sipas Malokut, po qe se nuk krijohen kushte për një treg të lirë e të barabartë, nuk do të ketë ka shanse që të kemi shtet e as zhvillim ekonomik. 

ZEQA: ASKUSH NUK KA GJASA TË MARRË QOFTË EDHE NJË LEJE NDËRTIMI, E LËRË MË TË ZHVILLOJË VEPRIMTARI TJETËR PA U PËRBALLUR ME HARAÇKËRKUESIT!

Analisti Florim Zeqa për gazetën "Kosova Sot" tha se shkaqet e ngecjes dhe moszhvillimit ekonomik të Kosovës e kanë një adresë të vetme. "Ajo është mafia politike dhe nëntoka e saj kriminale. Kush më pak e kush tjetër më shumë, të gjitha partitë politike janë fajtore për gjendjen e pashpresë në vendin tonë. Instalimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe haraçit që nga paslufta e këndej janë pengesa kryesore e mosardhjes dhe largimit të investitorëve nga Kosova", u shpreh ai."Fajtorë për këtë situatë dëshpëruese nuk janë vetëm kërkuesit e haraçit, por edhe ata që bashkëvepruan dhe qeverisen me ta..., të cilët kinse në emër të "shtetndërtimit" rropën e çrropën bashkë me ta gjithë pasurinë publike dhe shtetërore. Përderisa, akoma më të ligë u treguan ata që mbyllen sytë para krimit dhe haraçit të organizuar, i cili fatkeqësisht po vazhdon edhe në këto momente kur po i shkruaj këta rreshta, e ndoshta pikërisht në këto momente, ndonjë bashkatdhetar yni është duke ua lagur fytin haraçkërkuesve për hapjen e ndonjë biznesi apo veprimtarie më të vogël ekonomike familjare", vijoi më tej Zeqa."Ndodh pikërisht kështu, pasi askush nuk ka gjasa të marrë qoftë edhe një leje ndërtimi, e lërë më të zhvillojë veprimtari tjetër pa u përballur me haraçkërkuesit e pangopshëm, për t'ua lagur fytin mirë me qindra-mijëra euro apo miliona, ndryshe rrezikojnë kapitalin e tyre të investuar në Kosovë", theksoi ai. Sipas tij, të gjitha bizneset, po qe se nuk janë të lidhura me rrjetin e nëntokës kriminale dhe politikës kriminale, janë të detyruara t'i paguajnë haraç të majmë nëntokës kriminale ose duhet punuar kryesisht për interesa të tyre të inkriminuara, në të kundërtën janë të detyruar që me bizneset e tyre të shkojnë në ndonjë shtet tjetër fqinj, apo diku tjetër më larg. "Me mentalitetin aktual të qeverisjes së vendit nuk ka gjasa për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare, pasi Kosova nuk ndodhet në agjendën e investitorëve të jashtëm dhe as të mërgatës sonë… Klasa e bastarduar politike, e lidhur me nëntokën kriminale, janë bërë pengmbajtësit më të mëdhenj të së ardhmes së vendit dhe thyerësit më të mëdhenj të shpresave të qytetarëve për jetë në shtetin e tyre", tha analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot".

Përfitojnë klanet kriminale

Eksperti i integrimeve evropiane, Ardian Nokaj, për gazetën "Kosova Sot" tha se nuk ka asnjë fije dyshimi se përfitimet nga rritja ekonomike kanë shkuar vetëm te një pjesë e vogël e mafio-kompanive, që janë dorë e zgjatur e pushtetit, të cilat janë bërë të pasura."Kjo ndodhi se i kanë shfrytëzuar tenderët publikë të inkriminuar, duke krijuar monopole të kundërligjshme dhe antikushtetuese në shumë fusha të ekonomisë. Andaj është për keqardhje se si shteti i Kosovës është bërë një parajsë për oligarkët e mafio-bizneseve që janë bërë kapot e ekonomisë vendore", potencoi ai."Dyshohet se këtë pasuri këto familje e kanë bërë në saje të monopoleve në shumë fusha të ekonomisë, që e arritën me bekimin e pushtetarëve të kriminalizuar dhe me ndihmën e ish-pushtetarëve të deritashëm që duket se i shndërroi këto familje të mafio-biznesmenëve në një grup të madh të mafio-oligarkëve për një periudhë 10- vjeçare, duke u hapur rrugë paligjshmërive", u shpreh Nokaj."Sjelljet inerte të qeverive të dekadës së fundit bënë që pronat dhe bizneset kryesore të vendit kaluan te një grup njerëzish të caktuar dhe me këtë proces Kosova përjetoi goditjen më të madhe para qytetarëve dhe institucioneve ndërkombëtare", vlerësoi ai. Ndërsa Selatin Kaçaniku ('Konsumatori') për "Kosova Sot" tha se lobimi joparimor për interesin e grupit të vogël të bizneseve të mëdha e në dëm të shtetit, të ekonomisë, të tregut dhe qytetarit konsumator taksapagues, dëshmon se shteti nuk udhëhiqet nga sovrani e qytetari konsumator taksapagues. "Falja e borxheve bizneseve të mëdha - donatore të partive politike, e mosinteresimi për familjet dhe individët e varfër konsumatorë taksapagues, është konflikt i rëndë interesi dhe është për dhimbje e habi", potencoi ai. Sipas tij, mosinteresimi për ngritjen e shkallës së zbatueshmërisë së ligjeve flet për mendësinë klanore-fisnore dhe mafioze te shumica e politikanëve tanë, të cilët këtë mendësi ua kanë imponuar edhe institucioneve të shtetit.

(Kosova Sot)