Hashim Thaçi, në fundin e turpshëm të karrierës politike

  • 10 January 2018 - 07:35
Hashim Thaçi, në fundin e turpshëm të karrierës politike

ANALISTËT KOMENTOJNË AVENTURAT E FUNDIT TË PRESIDENTIT

Ashtu siç ndodh në lojën e njohur të pokerit, kur lojtarët vendosin ose të humbasin gjithçka ose të fitojnë të gjitha, kreu i shtetit ka vendosur të rrezikojë gjithçka në fund. Por, ai nuk ka gjasa që fitojë diçka. Presidentit Hashim Thaçit mund t'i kushtojë shtrenjtë në karrierën politike përpjekja e tij hipokrite dhe e pashembullt për të shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, siç pati tentuar gjoja të avancojë FSK-në në ushtri të Kosovës, gjë që nuk e bëri, por e përdori si shantazh ndaj bashkë- sisë ndërkombëtare. 

Karriera e dështuar e Presidentit

Analisti politik Ymret Reshiti për gazetën "Kosova Sot" tha se karriera politike e Hashim Thaçit përveçqë ka përfunduar, ajo është tejet e diskredituar."Dëmet që Hashim Thaçi ia bëri Kosovës, duke bërë bisedimet pa kushte me Serbinë, prodhuan marrëveshje të dëmshme për Kosovën, që në fund të fundit e ndau sovranitetin e Kosovës me Serbinë. Kohët e fundit është loja e tij politike tepër e rrezikshme për ta zhbërë Gjykatën Speciale, të cilën me shantazh dhe presion vet e bëri përmes gjykatës që do të gjykonte vetëm shqiptarët! Me gjithë këto punë të "pista" dhe të "dëmshme" që ia bëri Kosovës dhe shokëve të tij të luftës, vetë krenarisë së kombit, UÇK-së, përmes miratimit të Ligjit të Gjykatës Speciale, ai tani po rrezikon në ekstrem që të prishë marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me miqtë ndërkombëtarë, vetëm për të shpëtuar lëkurën e tij nga Gjykata Speciale, duke tentuar që ta zhbëjë atë që pati bërë me kërcënim e shantazh", theksoi ai. Sipas tij, personaliteti politik i Thaçit në arenën ndërkombëtare gjithmonë ka qenë i parespektuar, sepse nuk ka pasur kredibilitet dhe reputacion të mirë, prandaj vazhdimisht ka qenë i izoluar nga bashkësia ndërkombëtare."Afera 'Pronto' e kulmon figurën e vërtetë të Hashim Thaçit si kreu i kapjes së shtetit të Kosovës, e cila kapje e ka shndërruar Kosovën në shtet të izoluar dhe të dështuar", ka theksuar Reshiti."Gjykata Speciale është ngritur mbi bazat e raportit të Dik Martit, i cili përmend emrin e Hashim Thaçit si një person të dyshuar për "krime lufte", prandaj kjo gjykatë na erdhi si "dhuratë" e paaftësisë së Hashim Thaçit për ta mbrojtur pafajësinë e tij, edhe pse pati premtuar disa herë se do ta padisë Dik Martin", shtoi më tutje ai. 

BYTYÇI: ZHBËRJA E GJYKATËS SPECIALE ËSHTË BËRË PERSONALISHT NGA THAÇI, ME BEKIMIN E EDI RAMËS!

Analisti Enver Bytyçi, për gazetën "Kosova Sot", tha se sot Kosova është kthyer në situatën kur dridhet nga diplomacia e Beogradit për zhbërjen e njohjeve të Kosovës!? "Përse erdhëm këtu? Sepse Thaçi iu bashkua nismës së Edi Ramës për "miqësi e vëllazëri" me varrmihësit e pavarësisë së Kosovës. Që prej festave të miqësisë Thaçi-Rama dhe Rama-Vuçiq, pra që prej pesë vitesh, kanë ndodhur 7 njohje e tri anulime njohjesh! Mjafton ky tregues për të shpallur politikën e qeverisjes nga ana e zotit Thaçi jo vetëm të dështuar, por edhe të dëmshme e të rrezikshme për ardhmërinë e saj", u shpreh ai."Edhe zhbërja e Gjykatës Speciale është bërë personalisht nga zoti Thaçi me bekimin e Edi Ramës. Të dy këta shiten "trima" me ndërkombëtarët, kur ndihen të rrezikuar prej këmbënguljes së tyre për të vendosur drejtësi në shtetet tona", vijoi më tej Bytyçi. Sipas Bytyçit, presidenti i Kosovës para dy javësh u zotua se do ta firmoste një ligj të miratuar në Kuvendin e Kosovës për shfuqizimin e ligjit kushtetues për Gjykatën Speciale."Ishte ky një akt i rëndë dhe do të shënohet në histori si një përpjekje për t'i ikur jo vetëm drejtësisë, por edhe aleancës dhe orientimit perëndimor të shqiptarëve dhe të Kosovës! Ishte një përpjekje e turpshme me doza të forta mosmirënjohjeje ndaj SHBA-së dhe vendeve që kanë sponsorizuar pavarësinë e Kosovës. Për pasojë ishte një akt antipavarësisë, sepse kur presidenti i një vendi drejton gishtin kundër vendeve që kanë promovuar lirinë e pavarësinë e Kosovës duhet të presë reagimin e kundërt të këtyre vendeve", potencoi ai. Bytyçi shton se nuk është BE-ja që po i izolon qytetarët e Kosovës, por janë politikanët e Prishtinës që e bëjnë këtë."Zoti Thaçi me sa duket mendon dhe beson se Kosova është çliruar nga veprimtaria e tij e kohës së luftës në Rogner ose në Vilën 31 të Tiranës. Por nuk është kështu. Nderim për dëshmorët e lirisë dhe mijëra viktimat e terrorit serb në Kosovë. Por, jo nderim për disa udhëheqës politikë si Thaçi, të cilët ndonëse dhanë disa kontribute në luftë, e përdhosën atë në mënyrën më brutale, sepse e kthyen Kosovën në një plaçkë lufte! Shihni akuzat ndaj Azem Sylës e të tjerëve dhe do të bindeni. Është tjetër gjë t'i ikësh përgjegjësisë me makinacione dredharake, siç bën Thaçi me rastin e dajës së tij, apo siç bën Rama me rastin e Sajmir Tahirit. Të vërtetën e njohin shumë mirë qytetarët. Ata e dinë se presidenti i Kosovës është bashkëpunëtor me falangat e krimit", vlerëson Bytyçi. Sipas tij, hamendësohet se nisma e Thaçit dhe 43 deputetëve marionetë e tij për zhbërjen e Gjykatës Speciale lidhet me presionin e presidentit të Kosovës për t'i shpëtuar hetimit dhe gjykimit të tij. Janë të njohura armiqësitë e tij (Thaçit) me Ibrahim Rugovën dhe këshilltarët e ndihmësit e tij kryesorë. Dhe, vrasjet e atentatet ndodhën në kulmin e këtyre marrëdhënieve armiqësore midis tyre. Sot Thaçi vendos lule në varrin e presidentit historik, por nuk është hera e parë kur pas atentateve vetë atentatorët shkojnë dhe derdhin lot në varrimin e viktimës së tyre! Kjo ndodh rëndom në botën e djeshme e të sotme.

Pasiguria e kreut të shtetit

Eksperti i drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, për gazetën "Kosova Sot" tha se presidenti Hashim Thaçi di që të provokojë, por edhe t'i bjerë pishman sa herë që nuk është i sigurt se do t'i përkrahet ndonjë ide."Kështu ndodhi edhe me formimin e Ushtrisë së Kosovës, kur ai provokoi bashkësinë ndërkombëtare, por nuk dha dorëheqje, siç kishte premtuar me herët, prandaj këto janë vetëm provokime, nxitje dhe presion, e tash u pa se asnjë shtet mik ndërkombëtar i Kosovës nuk e përkrah idenë e shfuqizimit të ligjit për gjykatën dhe kjo i bie se Hashim Thaçi dështoi edhe herën e dytë, duke nxitur dialog ndërkombëtar për tema", potencoi ai. Analisti Burjani thotë se Hashim Thaçi nuk është më i sigurt se mbarimi i mandatit të presidentit do të mbetet sërish në këtë post."Ndaj nuk po dihet se a do të merret edhe me tutje me politikën po qe se nuk ndërron mendje apo edhe do të dorëhiqet nga posti i presidentit dhe të zgjidhet në Konventën e Përgjithshme të PDK-së sërish kryetar i PDK-së, kurse kjo konventë pritet që të mbahet deri në mars të këtij viti", thotë ai."Thaçi do të mbahet mend edhe për tentativën për të bërë pazare, siç ishte krijimi i gjykatës, si një kundërvlerë politike për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, duke mos e ndarë drejtësinë prej temave të tjera si Ushtria apo Asociacioni i komunave serbe. Kjo sepse për këtë njeri të gjitha opsionet dhe pazaret mund të jenë pjesë e politikës", shprehet Burjani. Ai shton se lideri "karizmatik" tash do ta ketë edhe një libër që shkruhet për të, që e vendos në pozitën e heroit vendor dhe ndërkombëtar në konfliktin me Serbinë. "Hashim Thaçi ndihet jo shumë i sigurt përballë Gjykatës Speciale, edhe pse ai do të jetë së paku dëshmitar i thirrur në këtë gjykatë, por jo në cilësinë e të pandehurit. Pasiguria e tij dhe shumë njerëzve të luftës ka bërë që të ketë iniciativa të tilla për të shfuqizuar këtë ligj", ka thënë Burjani. Sipas tij, presidenti që një vit e ka ndier erën se kjo gjykatë mund ta kërkojë edhe atë në cilësinë e të pandehurit dhe shumë të tjerë. 

(Kosova Sot)