"Marioneta" Thaçi akuzohet SE I BËRI PUÇ REPUBLIKËS

  • 12 January 2018 - 07:26

TENTATIVA PËR TA SHFUQIZUAR GJYKATËN SPECIALE

Analistët politikë akoma vazhdojnë të merren me qasjen e presidentit Hashim Thaçit ndaj Gjykatës Speciale, përderisa kreu i shtetit sërish fajëson ambasadorët e vendeve mike për presion ndaj mosprekjes së Gjykatës, kur dihet se ata vazhdimisht kanë marrë pjesë edhe në proceset e formimit të Qeverisë, e madje edhe caktimin e vetë presidentit. Analistët vlerësojnë se me këso lloj veprimesh e reagimesh, krerët e shtetit po e rrezikojnë akoma bashkëpunimin me "aleatët tanë", SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë e Madhe etj., pikërisht, në krye me Hashim Thaçin si president, të koordinuar me krimin e organizuar, mafio-oligarkët dhe shërbyes te shërbimeve sekrete, siç është rasti i kryespiunit Baton Haxhiu, vetëm e vetëm nga frika personale e krerëve te shtetit nga Gjykata Speciale, por edhe lidhjet e mundshme me Shërbimin sekret serb në dëm të shtetit të Kosovës. Edhe pse gazetari i ka dërguar pyetje Baton Haxhiut, ky i fundit nuk ka kthyer përgjigje. Sipas njërit nga veprimtarët në diasporë, Ibrahim Kelmendit, Thaçi, si marionetë që e kanë katapultuar në krye të shtetit, tashmë duhet të jetë urdhëruar nga eprori i tij, që ta komplotojë Republikën e Kosovës, duke iu kundërvënë Gjykatës Speciale, tashmë kur nuk ishte aspak rendi dhe vendi, meqë procesi i vendimmarrjes për (mos)aprovim ishte kryer moti. "Me shpresë se komploti i tij mbeti në tentativë, i hidhëruar që nuk ia doli, duhet të shprehë hidhërimin e tij kundër ambasadorëve kryesorë, që mbikëqyrin konsolidimin e shtetësisë së Kosovës. Serbia është duke konkretizuar veprimtarinë komplotiste ndaj shtetit të Kosovës, duke u munduar të gjejë shtete me ndikimin që të anulojë njohjen e shtetit të Kosovës dhe të pasojë efekti domino. Edhe z. Thaçi duhet të jetë urdhëruar t'i nervozojë këto shtete, që kanë më se shumti meritë në çlirim e pavarësim të Kosovës, mos ndoshta do t'u harxhohet energjia pozitive përkrahëse dhe do të anulojnë njohjen e shtetit tonë", tha Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot".

Image

"Pushka" e presidentit nuk shkrepi

Sipas Kelmendit, Thaçi po simulon sikur ka frikë që do të akuzohet, por ai është i bindur se ka alibi që e mbron nga akuzimi dhe arrestimi. "Serbia juridikisht kishte të drejtë të angazhonte spiunë dhe t'i plasonte edhe në UÇK. Ai angazhim duhet të jetë alibia e marionetës Thaçi. Përndryshe, z. Thaçi nuk ishte themelues i kësaj Gjykate, por njëri nga serbofilët që ka kontribuar që ajo të formohej. Po të kishte qenë kundër, duhej të ishte më konkret në kundërshtim të raportuesit Dik Marty, para se ta votonte Këshilli Evropian. Atëherë vetëm pati zhurmuar se do ta padiste Dik Martyn për ato akuza të shpifura, por nuk u lejua ta padiste (marioneta nuk ka autonomi në vendimmarrje, por urdhërohet)", ka pohuar ai. Sidoqoftë, Ibrahim Kelmendi thotë se Kosova qe me fat të mirë që "pushka" e tij, Hashim Thaçit, kësaj radhe huqi! "Përndryshe, po ta kishte potencialin e diktatorit të Koresë së Veriut, nuk do të mund ta realizonin këtë komplot - zhbërjen e Gjykatës Speciale, meqë ata që e kanë imponuar, kanë mekanizma të tjerë për të vendosur atë nën juridiksionin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së (me hetues, prokurorë e gjyqtarë edhe nga Bangladeshi, Zanzibari, Allahustani...). Marionetat nuk kanë shokë lufte, por kolegë komplotistë. Marionetat janë komanduar para e gjatë lufte ta sabotonin e komplotonin UÇK-në, qoftë edhe duke komanduar vrasës të vrasin luftëtarë të shquar, siç duhet të jetë rasti i Ali Ukës, Ilir Konushevcit, Behajdin Hallaqit... Kësaj radhe marionetat do të dëshironin të dërgonin në burgje sa më shumë luftëtarë të UÇK-së, që të hakmerren kundër tyre dhe të komprometonin sa më shumë UÇK-në, Kosovën dhe Aleancën NATO", tha Kelmendi. Ai konsideron se rrezikimi i bashkëpunimit me "aleatët tanë", SHBA-në, Gjermaninë, Britaninë e Madhe etj., ka qenë dhe mbetet rrezik potencial nga kjo klasë politike, në krye me Hashim Thaçin si president, të koordinuar me krimin e organizuar, mafio-oligarkët dhe shërbyes të shërbimeve sekrete, siç është rasti i kryespiunit Baton Haxhiut, jo vetëm nga frika personale e krerëve të shtetit nga Gjykata Speciale, por edhe nga qëllimi komplotist ndaj krejt shtetit, sepse instruksionet vijnë nga Beogradi. "Jam njëri nga ata që mendon se kryekomplotisti Thaçi nuk po i frikësohet Gjykatës Speciale, por është komanduar ta komplotojë shtetin e Kosovës, me angazhimin për ta zhbërë atë Gjykatë, jo pse po i frikësohet, por pse Beogradi ka llogaritur se ky komplot është goditje e rëndë edhe për shtetet që janë më meritoret për çlirim e shtetëzim të Kosovës. Pra, nuk e ka ditur marioneta Thaçi, por Beogradi neofashist që e ka urdhëruar. Kurse angazhimi aktiv edhe i Baton Haxhiut në këtë komplot është edhe një argument më shumë, se Beogradi i ka komanduar të gjitha marionetat, të angazhohen në mënyrë të orkestruar për t'ia bërë shtetit të Kosovës këtë komplot, me parallogaritje shpresuese, se mund ta nervozojnë Amerikën, edhe ashtu me presidentin Tramp që ende nuk po mund të parashikohet, cili mund të jetë pozicionimi i tij konkret ndaj shtetit të Kosovës", tha Kelmendi. Sidoqoftë, ai vlerëson se tani, alarmimi i Gjermanisë dhe suksesi i saj për ta pasur Francën aleate në këtë alarmim, është tregues tepër i mirë, në një anë, dhe tepër shqetë- sues, në anën tjetër, se sa po i frikë- sohen Beogradit, me ndikimin e saj të madh në politikën vendimmarrëse në Kosovë. "Fatmirësisht, sepse Franca ishte mikja më pro Serbisë, por ja që fitorja e presidentit Macron duhet të ketë bërë kthesë të madhe politike në Francë - për t'iu përkushtuar konsolidimit dhe forcimit të Bashkimit Evropian, dhe jo të angazhohet për përkrahje edhe të Serbisë anti-BE", u shpreh Kelmendi. "Fatkeqësisht, sepse Gjermania ka të dhëna të sakta për mundësitë që ka Serbia, për të komplotuar shtetin e Kosovës, përmes marionetave që i ka imponuar në krye të shtetit e pushtetit. Uroj që kjo dyshe gjermano-franceze, z. Hellbach dhe z. Bertin, t'ia dalin për t'i lidhur këto marioneta të Serbisë, që të mos mund ta shpërdorojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës për ta realizuar komplotin në tentativë", ka potencuar Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot".

Kush ia hap gropën tjetrit, bie vetë Brenda

 Analisti Reshat Badallaj pohon se Pashai i madh Hashim Thaçi,tani po përpiqet me çdo kusht që ta shpëtojë vetëm lëkurën e vet, prandaj është duke vepruar dhe duke u deklaruar në të kundërtën e veprimeve që kishte bërë në prag të miratimit të Gjykatës Speciale. "Pra, nga shumë të zeza, pa asnjë të bardhë, këta edhe e sollën Gjykatën Speciale. Pikërisht është Hashimi i Brojës që jo vetëm që e solli këtë Gjykatë, që Kosova do të ketë pasoja në arenën ndërkombëtare, por Hasha bënte edhe presion duke i çuar tellallët derë në derë për të pranuar këtë Gjykate, bile edhe i kërcënonte. Ma thotë mendja se Shërbimi sekret francez, duke e mashtruar dhe duke premtuar njeriun e tyre, Hashim Thaçin, që të ndikojë që të pranojnë këtë Gjykatë, se Hasha do të dalë i palagur, ai vetë ra në gropën që do t'i vijë radha dalëngadalë. Sepse, presioni dhe kërcënimi aq i madh i Hashës nuk shpjegohet ndryshe", u shpreh ai. "Pra, Hasha nuk mendonte se kjo Gjykate nuk do të duhej pranuar, se do të duhej të merrej edhe me krimet makabre të çetnikëve serbianë kundër popullatës së pafajshme shqiptare, dhunimeve të mijëra femrave shqiptare dhe se nuk mund të krahasohej xhelati më viktimën, por kush kupton pak në politikë, ky veproi sipas veprimeve të shefave të tyre, se do të dalë i palagur, se mu për këtë ai nuk e vuri ujin në zjarr. Fajësimi i Hashës kundër ambasadorëve të shteteve mike i ngjan një loje kalamajsh, joserioze", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot".

Image

Presioni ndaj Kuvendit, pasi iu premtua se nuk do të akuzohej

Për shkak të frikës personale i sheh reagimet e presidentit Thaçi edhe profesori i së Drejtës, Muhamet Kelmendi. Ai megjithatë konsideron se aktualisht Kuvendi mund të veprojë vetëm në zgjerimin e kompetencave të kësaj Gjykate, jo për ta anuluar atë, por që t'i jepet autoritet edhe për të hetuar dhe për të gjykuar krimet serbe, që të përmirësohet lëshimi i bërë në vitin 2015. "Gjykata Speciale është formuar kryesisht me iniciativën dhe punën këmbëngulëse të Hashim Thaçit. Atëbotë ishte Hashim Thaçi kryetar i PDK-së. Ishte edhe kryeministër dhe më vonë, në kohën e votimit të Gjykatës Speciale, ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës. Baza e formimit të kësaj Gjykate është raporti i Dick Martit në KE, në vitin 2011. Aty u bënë akuza të mëdha kundër Thaçit dhe UÇK-së. Ishte e ditur se i akuzuar kryesor në këtë Gjykatë do të ishin personat e apostrofuar në Raportin e Dick Martit. Pse, pra, insistimi i Thaçit për Gjykatë? Është pyetje e drejtë dhe natyrisht se nuk është e lehtë të jepet përgjigje! Në kuadër të analizave na dalin disa faktorë pse u angazhua Thaçi, madje edhe me kërcënim të deputetëve të PDK-së, që të votojnë Gjykatën në Kuvend. Mendoj se ato janë:1. Presioni i madh me kërcënim i ndërkombëtarëve për Gjykatën Speciale, 2. Dhënia e premtimit se në Gjykatë nuk do të jetë Hashim Thaçi subjekt i akuzuar,3. Premtimet, sikundër po deklaron Thaçi, të Kosovës në UE dhe ne institucionet euroatlantike. Ka ndoshta edhe faktorë të tjerë, sikundër është krimi dhe korrupsioni, pasurimi marramendës i familjes Thaçi etj. etj. Por, llogaria nuk doli ashtu! Deputetët e votuan. Ata bënë gabimin më të madh në historinë e Kuvendit të Kosovës", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas tij, mundësia e vetme që mbetet tani është që në proces e sipër kësaj Gjykate t'i zgjerohet fushëveprimi edhe për krimet serbe dhe kështu të zhvishet nga karakteri racist që ka në versionin e tanishëm të trajtimit vetëm të rasteve të krimeve të dyshuara të kryera nga UÇK-ja dhe faktori shqiptar.

Image

MEHMETI: FUNDI I THAÇIT PO VJEN, MODEL I NJERIUT HIPOKRIT

Sidoqoftë, ka edhe mendimtarë që konsiderojnë se megjithatë presidenti e bën këtë për shkak se ka marrë vesh që është në listën e Speciales dhe do të jetë objekt i kësaj Gjykate. "Nëse flasim për Thaçin, i bie të flasim për njeriun që nuk i ka bërë asnjë të mirë vendit. Njeriu i cili erdhi në pushtet me intriga, mashtrime, shantazhe dhe linçime ndaj oponentëve politikë nuk arriti asnjëherë të lërë gjurmë pozitive për vendin. Thaçi është njeriu që për të shpëtuar veten u përul edhe para serbëve, ua ktheu shpinën shokëve të luftës dhe i fali tokë Malit të Zi. Asnjë nga premtimet e Thaçit nuk janë realizuar, as nuk u formua ushtria, nuk ka liberalizim të vizave dhe as nuk dha dorëheqjen që e vuri si bast se do të jepte nëse vërtetohet se me Demarkacion është shkelur Kushtetuta e vendit. Gjykata Kushtetuese ka deklaruar se është cenuar Kushtetuta e vendit, por Thaçi heshti. Këto janë veprime tipike të dinakut, spiunit të shërbimeve sekrete franceze", u shpreh Faton Mehmeti."Tani, që nuk i duhet më askujt, Thaçi rrezikon të arrestohet dhe si duket s'po gjen mbështetje askund, pavarësisht investimit të madh të milionave për të marrë garanci nga SHBA-ja se nuk do të arrestohet. Por, duket se të gjitha i shkuan kot, andaj edhe po e kritikon bashkësinë ndërkombëtare për gjoja anshmëri në vënien e drejtësisë. Fundi i Thaçit po vjen, model i njeriut hipokrit. Derisa Thaçi është në pushtet, vendi s'do të shohë diellin. Besoj se askush dhe asgjë s'mund ta shpëtojë Thaçin nga drejtësia dhe marrja e dënimit. Fundi i turpshëm i një njeriu që me intriga erdhi në pushtet, dhe me intriga po mundohet të shpëtojë. Rënia e Thaçit dhe bandës së tij do jetë ditë e madhe për vendin", tha analisti Faton Mehmeti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)