Liruan nga burgu kreun e bandës së Durrësit, përcaktohet "fati" i gjyqtarëve

  • 13 January 2018 - 09:14
Liruan nga burgu kreun e bandës së Durrësit, përcaktohet

Prokuroria e Tiranës ka vendosur të pushojë hetimit ndaj tre gjyqtarëve të Apelit Durrës që urdhëruan në 5 dhjetor 2016 lirimin e Lulzim Berishës.

Gjyqtarët Arben Vrioni, Anita Miçi dhe Petrit Çeno si dhe ish-drejtori i burgut të Durrësit Astrit Kote dhe ish-juristi Teodor Labi, janë zhveshur nga akuzat e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave”.

Mësohet se vendimi për pushimin është marë pak kohë më parë me argumentimin se gjyqtarët nuk kishin kryer vepër penale gjatë dhënies së vendimit për lirimin e të dënuarit me 25 vite burg Lulzim Berisha. Sipas prokurorisë, pa faj janë dhe Astrit Kote dhe Teodor Labi, të cilët kishin kryer përllogaritjen e masës së dënimit të mbetur ndaj të dënuarit Lulzim Berisha.

Prokurori i çështjes Ndini Tavani tha se: “…hetimet për këtë çështje janë pushuar pasi vendimet e gjykatave janë të pahetueshme, pasi gjyqtarët janë të lirë në vendimarjen e tyre dhe nuk mundet që prokuroria t’i orientojë ata për vendimin që do marrin për çështjet që gjykojnë…”. Prokurori Tavani shtoi se vendimet e gjykatave kundërshtohen vetëm me apelim dhe rekurs në një gjykatë më të lartë.

Hetimi nga Durrësi u transferua në Tiranë

Hetimi për gjyqtarët e Apelit në Durrës Arben Vrioni, Anita Miçi dhe Petrit Çeno si dhe ish-drejtori i burgut të Durrësit Astrit Kote dhe ish-juristi Teodor Labi fillimisht nisi nga prokuroria e Durrësit, por më pas kjo e fundit shpalli moskopetencën dhe çështja i kaloi për hetime të mëtejshme prokurorisë së Tiranës.

Por pasi janë kryer një sërë veprimesh, kjo prokurori ka dalë në konkluzjonin se procedimi penal që nisi për zyrtarët dhe gjyqtarët që liruan Lulzim Berishën, duhet të pushohet pasi nuk kishte element të veprës penale. Por teksa prokuroria e Tiranës hetonte dosjen e tre gjyqtarëve të Apelit në Durrës dhe dy ish-zyrtarëve të burgut të këtij qyteti, prokuroria e Apelit paralelisht ka ankimuar në Gjykatën e Lartë vendimin e 5 dhjetorit 2016, që solli lirimin e të dënuarit për vrasje.

Rekursi në Gjykatën e Lartë

Në rekursin që prokurori i Apelit Ferdinand Elezi ka bërë në Gjykatën e Lartë, ku kundërshton vendimin për lirimin e Berishës nga qelia thotë se gjyqtarët kanë vepruar në mënyrë të gabuar dhe në kundërshtim me ligjin, duke i shtyrë me 1 muaj e pesë ditë procesin gjyqësor ndaj Lulzim Berishës.

Sipas rekursit të prokurorit Elezi shtyrja e seancës jo me 10 ditë siç e parashikon ligji, por me 1 muaj e pesë ditë siç ka vepruar gjykata e Apelit në këtë rast, ndikoi në lirimin e Lulzim Berishës. Më tej në rekursin e prokurorit Elezi thuhet se:”…gjykata e apelit Durrës ka gabuar dhe në shkelje të nenit 64 të Kodit Penal, duke përllogaritur kohën e vuajtjes së dënimit dhe duke e pranuar atë sit ë plotësuar ¾ e dënimit, ditën e gjykimit në Apel të Lulzim Berishës…”.

Në rekurs parashtrohet se: “…gjykata e apelit duke pranuar dinamikën e vuajtjes së dënimit të Lulzim Berishës dhe duke marrë të mirrëqënë atë, ka shmangur periudhën prej gjykimit në shkallë të parë datë 28 korrik 2016 deri në gjykimin në gjykatën e Apelit datë 5 dhjetor 2016, në lidhje me vlerësimin e sjelljes së të dënuarit për këtë periudhë…”.

“Shqiptarja.com” bisedoi me këshilltaren për median në Gjykatën e Lartë Ida Vodica, lidhur me fatin e këtij rekursi, e cila pohoi se kjo gjykatë ka pranuar në dhomë këshillimi që të fusë këtë dosje në listën e çështjeve që duhet të gjykohen.

Ju falën 6 vite e dy muaj burgim

Që nga 5 dhjetori 2016 Lulzim Berisha vijon të jetë në shërbim prove dhe mban kontakte të vazhdueshme më Zyrën Vendore të këtij shërbimi në Durrës, duke iu nënshtruar programit rehabilitues dhe i vënë nën kushtin që të mos kryejë asnjë vepër penale.

Lirimi i Lulzim Berishës, të konsideruar nga prokuroria e Krimeve të Rënda, si kreu i bandës së Durrës u firmos në 5 dhjetor 2016, nga Gjykata e Apelit në Durrës. Në vendimin e treshes së gjyqtarëve të Apelit Arben Vrioni, Anita Miçi dhe Petrit Çeno u vendos ti shuhet pjesa e mbetur e dënimit prej 6 vjet e dy muaj e 22 ditë burgim, duke e vënë Lulzim Berishën në shërbim prove për një periudhë 5 vjeçare.

I gjithë dokumentacioni në dosjen gjyqësore të përpiluar nga administrata e burgut të Durrësit, ku vuante dënimin Lulzim Berisha,ishte përpiluar pozitivisht për të. Madje gjykata në këtë periudhë u bind akoma dhe më tepër, për të vendosur pro lirimit, pasi avokatët mbrojtës të Berishës, paraqitën një raport-garancie të kryetarit të bashkisë Durrës, se pas lirimit do siguronte punë për të dënuarin e njohur.

Por vetëm 11 ditë pas këtij vendimi, në 16 dhjetor 2016 prokuroria e Durrësit nisi procedimin penal me nr.2149 për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Falsifikimit të dokumentave” ndaj drejtorit të burgut Durrës Astrit Kote dhe juristit të këtij burgu Teodor Labi. Ky i fundit nuk mundi të arrestohet nga policia, ndërsa Astrit Kote u ndalua, dhe mundi të lere qelinë vetëm pasi gjykata e Lartë, në mars të 2017 vendosi ti ndryshojë masën e arrestit nga “Arrest në burg” në “detyrim për tu paraqitur”.

(Kosova Sot)