Mafia politike kontrollon tregtinë QINDRA-MILIONËSHE TË NAFTËS

  • 16 January 2018 - 07:41
Mafia politike kontrollon tregtinë QINDRA-MILIONËSHE TË NAFTËS

KONTRABANDË DHE EVAZION NËN HUNDËN E ORGANEVE SHTETËRORE

Prokuroria as që guxon të hetojë se kush qëndron pas kompanive të derivateve

Sektori i naftës mbetet ndër më të inkriminuarit në Kosovë. Edhe pse hapur u denoncua në Kuvend krimi me derivatet nga nënkryetari i Kuvendit z. Xhavit Haliti, për habinë e të gjithëve deri më sot, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk e ka hapur asnjë rast, për të hetuar se kush qëndron nga pushtetarët e politikanët prapa kompanive të derivateve të naftës. Këto kompani qarkullojnë nga rreth 200 milionë euro në vit, ndërsa shumë prej tyre vazhdojnë të mos lëshojnë fare kuponë fiskalë. Analistët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e naftëtarëve me të drejtë po pyesin se përse Prokuroria po heziton që të hetojë se kush janë pronarët e vërtetë të të gjitha kompanive të mëdha importuese të naftës, të cilët dyshohet se janë shefa e politikanë të nivelit të lartë në vend. Ata thonë se, edhe pse gati 19 vjet pas luftës, politikanët e inkriminuar vazhdojnë të udhëheqin këto kompani dhe të përfitojnë për çdo vit nga disa dhjetëra miliona euro, duke e kontrolluar dhe duke e mbajtur të zaptuar e të sunduar tregun e superkontrolluar kundërligjshëm. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Prokurorisë Speciale, për të mësuar se çfarë thonë për këtë çështje, Prokuroria kanë heshtur. Ata nuk kanë dhënë përgjigje se përse nuk po hapen hetime se kush janë "padronët" ose pronarët e vërtetë që po sundojnë "arin e zi" në Kosovë, ku qarkullon e mblidhen më shumë se 1 miliard euro brenda vitit, dhe nga ku përfitojnë për çdo vit mbi 200 milionë euro në vit. Pra, zyrtarët e Prokurorisë Speciale nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën.

Image

Shoqata kërkon ligjin e ri 

Lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për "Kosova Sot' tha se, që në Kosovë po bëhet kontrabandë me derivate as nuk kemi më nevojë të diskutojmë, sepse kjo u vërtetua edhe pas fjalimit që e bëri nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti. "Shteti duhet që të marrë masa ose të thuhet haptazi se shteti nuk po funksionon. Kjo, ngase deklarata e Halitit është bërë në Kuvendin e Kosovës, ku janë 120 deputetë dhe prezente ishte edhe Qeveria e Kosovës dhe asgjë nuk po lëviz, andaj ne si Shoqatë e Naftëtarëve e shtrojmë në diskutim çështjen se a duhet që Prokuroria e Shtetit, Qeveria dhe Kuvendi të heshtin"?, u shpreh ai. "Neve si Shoqatë kemi kërkuar që në këtë sektor të vendoset rregulli, por si duket dikujt nuk po i konvenon të ketë rregull, sepse ujqit po duan mjegull", vijoi më tutje ai . "Është për keqardhje situata në të cilën ndodhet ky sektor, sepse Projektligji për Derivate të Naftës nuk kaloi që 8 vjet dhe ligjin e ka kundërshtuar LDK-ja, gjysma e PDK-së dhe ata të AAK-së, por edhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi", ka thënë Berjani. Ai ka falënderuar të gjitha partitë politike, që nuk lejuan të miratohet një ligj i centralizuar dhe i korruptuar, variantin e të cilit e pati proceduar ishministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami. Sipas tij, duhet të përkrahet propozimi i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës dhe propozimi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik Tregti dhe Industri. "Ne si vend i vogël kemi nevojë për një ligj me standarde të BE-së, që është i përshtatshëm për të gjitha bizneset që merren me derivate të naftës dhe jo për një ligj që i largon prej lojës mbi 40 importues derivatesh", ka theksuar Berjani.

Image

Drejtësia e kapur nuk heton kontrabandën 

Analisti Faton Mehmeti tha për "Kosova Sot", se kompanitë e derivateve të naftës janë në zinxhirin e korelacionit me politikën, dhe të cilët iu sigurojnë mbijetesë dhe mospengim të veprimtarisë së tyre. " Kjo, ngase ata përfitojnë shumë nga moskontrolli i cilësisë dhe mungesa e kuponit fiskal. Kjo sigurisht bëhet me qëllim që përfitimi të jetë më i madh, pa u merakosur se janë qytetarët ata që po vuajnë. Shteti i Kosovës humb miliona nga mungesa e kuponëve fiskalë, andaj edhe buxheti i vendit është kaq i varfër", u shpreh ai. "Mungesa e hapjes se hetimeve nga ana e Prokurorisë për keqpërdorime në këtë fushë ka të bëjë me faktin se drejtësia është e kapur nga politika, ndërsa politika është e kapur nga bosët e naftës dhe drogës. Të gjithë janë të lidhur me njëri- tjetrin në kurriz të qytetarëve, vetëm e vetëm për t'i mbushur kontot e tyre me para të pista", shtoi më tutje Mehmeti. "Nëse do të ishte shteti siç duhet, do të kishte më shumë mbikëqyrje, do të kishte kuponë fiskalë dhe sigurisht cilësia do të ishte më e mirë, dhe në mungesë të shtetit ligjor janë matrapazët ata që po përfitojnë", ka theksuar ai. Ndërsa analisti Florim Rudhani tha për "Kosova Sot', se sistemi i drejtë- sisë është i kapur nga politikanët, të cilët janë mbrapa kompanive të derivateve të naftës në Kosovë. "Ndaj, qytetarët nuk duhet të presin shumë nga prokurorët që caktohen me telefonata ngà Adem Grabovci e Kadri Veseli", tha ai. "Veç saj, kemi akuzën e bërë nga ish-ministrja e MTI-së, znj. Hykmete Bajrami, tash deputete e Parlamentit të Kosovës, ndaj nënkryetarit të Parlamentit të Kosovës Xhavit Haliti për kontrabandë dhe korrupsion me derivatet e naftës. Prokuroria nuk ka nisur asnjë hetim ndaj kësaj akuze publike me emër e mbiemër. Pra, gjithçka ka një pistë nga ku mund të fillosh hetimin, po Prokuroria hesht, sepse janë të blerë, disa shantazhohen, e disa janë të kërcënuar, ndaj më së pakti këta prokurorë janë garantues të ligjit, sepse këta janë servilë të politikës. Afera "Pronto" është realiteti i Prokurorisë së Kosovës", shpjegoi më tutje Rudhani.   

Image

 

Oazë, korrupsioni dhe krimi

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës ,Xhevden Neziraj tha për "Kosova Sot" se "vendi ynë po shihet si vend i korrupsionit, i krimit të organizuar, i kontrabandës, e sidomos me artikuj që ishte dashur të mbushet buxheti i vendit, siç është nafta dhe derivatet e saj. "Nëpër rrugët e Kosovës të bie në sy numri i madh i pompave të karburanteve të naftës, kjo është për arsye se përmes këtyre pompave po shiten karburantet që kontrabandohen në vendin më të varfër në Evropë dhe që me këtë produkt po merren njerëzit që kanë synim pasurimin individual, e jo ndërtimin e vendit", u shpreh ai. "Edhe pse nga foltorja e Kuvendit nënkryetari Xhavit Haliti tha se po ndalen edhe kamerat në Doganat e vendit që të bëhet kontrabanda me naftë dhe derivate, është për t'u habitur që ende nuk ka reagim të Prokurorisë dhe gjykatave tona", u shpreh më tutje Neziraj. Ndërsa analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha për "Kosova Sot" se kontrabanda e naftës po lulëzon në Kosovë, sidomos në veriun e saj. "Këtë pjesë nuk e kontrollon fare pushteti i Kosovës,por kontrollohet nga mafiooligarkët, të cilët nuk i kontrollon askush, ndaj nuk lëshojnë kuponë fiskalë dhe po dëmtohet shumë rëndë buxheti i Kosovës. Por, prapa kompanive të kësaj kontrabande qëndrojnë bosët që nga majat e larta të shtetit deri te bandat politike". Thuhet se qarkullojnë mbi 200 milionë euro në vit,por kush e di se sa qindra milionë euro futen ilegalisht për të trashur xhepat e mafio-oligarkëve dhe pushtetarëve të majave të larta. Këta mafio-oligarkë veprojnë pa pikë frike se mbështeten nga banditët në pushtet", potencoi ai. Ndërsa Selatin Kaçaniku ("Konsumatori") tha për "Kosova Sot", se Prokuroria Speciale, asnjëra Prokurori nuk mund të hapë rast si e vetme. "U pa fytyra e vërtetë e Departamentit të krimeve të rënda i PK-së dhe nëse Inspektorati i tregut bashkë me MTInë ditën ta manipulojnë kontrollin e 'paparalajmëruar' të pikave të karburanteve, por edhe nëse procesi i fiskalizimit vazhdon ta zhvatë qytetarin konsumator taksapagues, buxhetin dhe shtetin", theksoi ai. Sipas tij, shihet qartë se Prokuroria Speciale nuk mund të bëjë asgjë dhe si të tillë, edhe Prokurorinë Speciale, edhe disa agjenci, këshilla, komisione, mekanizma... duhet shpërbërë fare, sepse vetëm dëme ka prej tyre. 

(Kosova Sot)