Politikanët e bënë Kosovën shtet matrapazësh

  • 16 January 2018 - 07:50
Politikanët e bënë Kosovën shtet matrapazësh

REPUBLIKA E RREZIKUAR NË DHJETËVJETORIN E PARË

Mosfunksionimi i shtetit të së drejtës dhe mungesa e programeve të prekshme zhvillimore, nga të gjitha mandatet e deritanishme të qeverisjes së vendit, sipas analistëve politikë, ka bërë që Kosova të shndërrohet në një shtet të tyxharëve, mashtruesve dhe matrapazëve politikë, të paditur e primitivë, të cilët janë në gjendje që për pushtet e para të bëjnë gjithçka kundër shtetit dhe qytetarëve. Për ta ndryshuar këtë gjendje duhet vetëm zgjimi i shpejtë i vetëdijes qytetare për të ndëshkuar pa vonesë këtë klasë të inkriminuar politike, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, si në nivel qendror po ashtu edhe në atë lokal, që shikojnë vetëm interesit e klaneve të tyre dhe nëntokës kriminale. Analisti politik Ragip Guraziu vlerë- son se Kosova, si shtet i ri, falë kësaj klase të inkriminuar në pushtet, më shumë po i ngjan një shteti tregtarësh mashtrues sesa një shteti të mirëfilltë zhvillimor."Kosova është vënë në komë të thellë për shkak të inkriminimit të thellë të kësaj klase politike në krimit të organizuar. Pra, shteti i ri i Kosovës është shndërruar në një shtet të tyxharëve, të mashtruesve dhe matrapazëve politikë, të cilët janë gati të rrezikojnë themelet e shtetit në kërkim të interesave të tyre grupore e personale. Pra, për gati dy dekada Kosova është bërë shtet i tyxharëve, mashtruesve dhe matrapazëve politikë, të paditur e primitiv, të cilët janë në gjendje që për pushtet e para të bëjnë gjithçka kundër shtetit dhe qytetarëve. Me të drejtë tani shtrohet pyetja se edhe sa kohë do t'i durojë populli këta politikanë matrapazë që nuk po transformohen, si ata në pozitë ashtu edhe në opozitë, si në nivel qendror po ashtu edhe në atë lokal, që shikojnë vetëm interesit e klaneve të tyre dhe nëntokës kriminale, përballë interesave të qytetarëve dhe shtetit ligjor?", pyet Guraziu për "Kosova Sot". 

Image

Kjo klasë politike kapitulloi 

Analisti politik Ymret Reshiti shpë- timin e vendit nga kjo kastë politike e sheh vetëm përmes transformimit rrënjësor të skenës politike, duke i vetëdijesuar edhe inteligjenca e heshtur deri më tani për të nxjerrë në sfond një iniciativë të re politike, e cila do të ishte më e besueshme dhe e mbështetur nga qytetarët e Kosovës të mashtruar për kaq vite të kaluara në apati."Politikanët e tillë për 17 vjet i kanë maltretuar dhe mashtruar qytetarët e Kosovës. Këta politikanë duke u thirrur kinse në "meritat e tyre personale për çlirimin e Kosovën" kanë pretenduar se atyre u takon ta qeverisin vendin, ndërsa në realitet ata e kanë vjedhur dhe shkatërruar shtetin e Kosovës. Dëmi që ia kanë bërë Kosovës ka shkuar deri aty sa ta rrezikojnë mirëqenien sociale të qytetarëve të saj dhe t'ia humbin perspektivën shtetit. Kosova ka pasur gjithmonë nevojë për një parti e cila si synim të saj do të kishte pasur zhvillimin e shtetit të Kosovës, pa u thirr në meritat personale të individëve se "luftova", "kontribuova", prandaj më takon që unë ta drejtoj pushtetin", u shpreh ai."Lufta ka përfunduar në vitin 1999, ndërsa nga viti 2008 Kosova u pavarësua dhe gjithë ata individë që kanë kontribuar në luftë dhe rreth çështjes së pavarësisë së Kosovës vetëm se kanë kryer një detyrë qytetare, pa iu kërkuar askush. Për detyrën dhe meritat e tyre duhet të marrin benefite nga shteti, por duhet të jenë larg nga politika dhe pushteti nëse nuk janë të aftë të udhëheqin mirë vendin. Kjo nuk i jep të drejtë atyre që ta privatizojnë Kosovën dhe të qeverisin me të sikurse të jenë mbretër', theksoi Ymret Reshiti për "Kosova Sot". Sipas tij, vendi nuk ka nevojë për politikanë që Kosovën e bëjnë peng të "meritave të tyre personale", për të atillë që angazhohen për të mirën e përgjithshme qytetare. "Kosova ka nevojë për mendje të ngritura dhe vizionare, që do ta bashkonin me vendet e zhvilluara dhe demokratike të botës. Kosova ka nevojë për mendje politike të tilla që promovojnë politika të paqes dhe perspektivës ekonomike dhe jo për mendje politike që promovojnë politika të konflikteve dhe kolapsit ekonomik. Korrupsioni, krimi i organizuar, mungesa e sigurisë, mjerimi social, papunësia, kolapsi ekonomik, kapja e shtetit, janë "produkte" të qeverisjes së atyre politikanëve që thirren në "meritat" tash e sa vite. Kosova ka nevojë për një mentalitet të ri politik dhe për një klasë të re politike. Mentaliteti politik aktual dhe klasa politike janë të demoduar dhe janë e keqja nga e cila po vuan Kosova", vlerësoi më tutje Reshiti.

Image

Elita politike e keqpërdori pushtetin 

Analisti politik Skënder Mulliqi tha për "Kosova Sot" se nuk është aspak lajm më nëse themi së kjo elitë politike ka keqpërdor pushtetin pak ose shumë për gati dy decenie, se është plaçkitur prona shoqërore, se kemi më bollëk keqpërdorues, se kemi politikanë diletantë. Vetë kjo gjendje sipas Mulliqit flet mjaftueshëm se si politikanët që po qeverisin janë bërë vetëm tregtarë e tyxharë të interesave të tyre dhe nuk mendojnë për qytetarin që është garanti i votës së tyre për të fituar pushtetin. Tani sipas tij fati i vendit ndodhet në dorën e qytetarit, për t'i ndëshkuar këta mashtrues e matrapazë."Ky më duket mua është konstatimi më i mirë i gjendjes në të cilën gjendemi sot si votues dhe në përgjithësi si popull. Zgjedhjet na janë shndërruar në një rutinë të zakonshme, thuajse po shkojmë në ahengje. Kjo logjikë e keqe deri më tash është duke na u kthyer gjithnjë e më shumë bumerang. Është duke na kushtuar me gjithçka që jetën e bën më të mirë. Çdo plebishit, të shprehem ashtu të popullit, elitat të cilat u ndërruan në pushtetet e pasluftës e shfrytëzuan për mrekulli për t'i realizuar qëllimet e veta pushtetare e materiale. Në emër të demokracisë siguruan pushtet gati absolut", tha Skënder Mulliqi për "Kosova Sot". 

Demokracia e degraduar

Sipas Mulliqit, edhe pse deri tani pati disa ndryshime të shpejta të kupolave politike në qeverisje, ndryshimet pozitive nuk ndodhën, dhe kjo situatë vetëm sa po e ngarkon gjendjen e rëndë në të cilën gjendet qytetari. "Shtrohet pyetja, a po rezulton rënia e një qeverie me humbjen e pushtetit…? Kjo po ngërthen në vete përgjigje negative. Edhe nëse po përmbyset ndonjë qeveri që i patëm në dy raste, nuk po ndodh që të përmbysen edhe ata të cilët i kontribuuan një situate të tillë. Pushtetet po ndërrohen, e po mbesin në skenë prapë njerëzit e njëjtë, me ndonjë përjashtim. U keqpërdor demokracia dhe sistemi parlamentar i qeverisjes. Po qeveris në emër të popullit më shumë oligarkia, e cila po na tiranizon ideologjikisht dhe po na grabit ekonomikisht. Në këtë hapësirë politike janë përzier forca e shtetit dhe forca e pasurimit të pafund. Këto elita më shumë po duken si copëza të bashkuara të falangave provinciale, të cilët po luajnë mirë lojëra të tipit popullist që sa më gjatë të mbeten në pushtet", shpjegoi ai."Seriozisht janë duke u lëkundur themelet e demokracisë edhe ashtu të brishtë. Jemi duke sharruar gjithnjë e më shumë në ujëra të ndyta", theksoi Mulliqi. Sipas tij, jemi duke përjetuar ditë dhe net dramatike, sepse kjo klasë politike deri më tash po numëron veç dështime. 

(Kosova Sot)