VETTING-un kosovar mund ta bëjë vetëm FBI-ja amerikane

  • 16 January 2018 - 07:32
VETTING-un kosovar mund ta bëjë vetëm FBI-ja amerikane

REFORMA NË DREJTËSI, E BLLOKUAR NGA KAPËSIT E SHTETIT

Strategjia legjislative nuk parasheh asnjë dekriminalizim 

Institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës akoma e kanë të pamundur dhe nuk kanë shanse që t'i sjellin në bankën e të akuzuarve mafio-oligarkët politikofinanciarë, ngase prokurorët dhe gjyqtarët aktualë janë të kapur jo vetëm nga politika, por edhe nga nëntoka kriminale e mafio-oligarkisë që ka kapur shtetin. Tani edhe në opinion është krijuar bindja se krimi i organizuar dhe korrupsioni janë bërë fenomen numër një në të gjitha institucionet e shtetit, në të dyja nivelet, si dhe në të tri pushtetet dhe pastrimi i këtij fenomeni mund të vijë vetëm nëse edhe Kosova do të marrë modelin e Shqipërisë për aplikimin e një ligji VETTING-u, si për pastrimin e politikës, ashtu edhe të sistemit të drejtësisë. Por, gjasat që të ndodhë janë të pakta. Qeveria e Kosovës në strategjinë legjislative të dorëzuar në Kuvend nuk e ka paraparë një ligj të tillë, kurse grupet parlamentare nuk premtojnë se do të iniciojnë diçka të tillë si nismë legjislative të deputetëve, një praktikë e njohur dhe e lejuar me ligjet e Kushtetutën e vendit. Përfaqësues të partive politike, nga pozita dhe opozita, në Komisionin e Ligjeve, nuk presin që një iniciativë për VETTING-un të iniciohet edhe këtë vit nga deputetët, derisa një projektligj i tillë nuk është as në planin legjislativ qeverisës. Deputeti Shkumbin Demalijaj nga AAK-ja, anëtar i Komisionit të Ligjeve, tha se do të ishte mirë që edhe Kosova të aplikojë një variant të përshtatshëm të VETTING-ut, i cili do të siguronte më shumë transparencë dhe llogaridhënie nga sistemi i drejtë- sisë."Në kuadër të strategjisë legjislative të Kuvendit dhe të Qeverisë ende nuk ka ardhur një projekt i tillë, nëse vjen ndërkohë një projekt i tillë apo formë e draft-ligjit ne jemi të obliguar që ta shqyrtojmë dhe ta mbështesim atë, pse jo. Deri tash ka pasur vetëm raportime... kërkesa nga opinione të ndryshme..., dëshira dhe debate, por në kuadër të strategjisë legjislative këtë nuk e kemi për këtë vijë", konfirmoi ai për "Kosova Sot". 

Image

Formalisht jemi para Shqipërisë

I largët shihet një proces i tillë edhe nga deputeti Arben Gashi nga LDKja, gjithashtu anëtar në Komisionin për Legjislacion. Gashi deklaron se Kosova mund ta realizojë shumë më lehtë një proces më të lehtë të VETTING-ut vetëm nëse i zbaton me përpikëri ligjet në fuqi dhe nuk i nevojitet modeli i Shqipërisë, pasi që situata në Kosovë dallon shumë nga ajo me të cilën janë përballur shteti dhe institucionet në Shqipëri, me grupe dhe njerëz të inkriminuar thellë në krim e korrupsion, të involvuar edhe në politikë dhe në drejtësi, kurse ligjet e Kosovës në fuqi e kanë parandaluar deri tani një mundësi të tillë me të cilën janë ballafaquar politika dhe drejtësia e Shtetit Shqiptar."Ne nuk kemi nevojë të futemi në një model të VETTING-ut që po aplikohet tani në fqinjësi, në Shqipëri, ne e kemi modelin tonë të VETTING-ut me ligjet në fuqi. Me ligjet tona askush nuk mund të konkurrojë që të bëhet pjesë e institucioneve të shtetit të Kosovës, në asnjë nivel, nëse nuk i plotëson kushtet e vlerësimit të pastërtisë së personalitetit, nëse ka qenë i dënuar për kohën që e parasheh ligji", shpjegoi Gashi. "Pra, ne nuk i kemi asnjë nga ato probleme, të cilat i ka pasur dhe i ka Shqipëria, ne i kemi problemet tjera, të natyrës politike, të establishmentit politik, nuk janë probleme të karakterit kriminal, sikur është kapja kriminale e sistemit. Pra, te na është një problem politik, që është pak sa më i komplikuar dhe do rrugë tjetër të zgjidhjes", vijoi më tutje ai për "Kosova Sot".

Kupola e sistemit, e kalbur

Mirëpo, analistët politikë nuk e ndajnë këtë mendim të njëjtë me politikën. Ata vlerësojnë se edhe në vendin tonë situata është e rëndë dhe alarmante, prandaj domosdo nevojitet që të iniciohet sa më shpejt edhe nga Kuvendi Ligji për VETTING-un në drejtësinë kosovare dhe jo vetëm, dhe ndërkohë të nisë reformimi i sistemit të drejtësisë me diferencimin e vetëpastrimin e KGJK-së dhe të KPKsë, që janë bërë si dy mini-qeveri, por "kryesisht politike" të drejtësisë. Sipas analistëve, numri i procedimeve disiplinore me këtë KGJK dhe ZPD aktuale e të degraduar fare, të korruptuar e të lidhur me krimin, është tejet i ulët, ose ndoshta edhe zero, pothuajse i papërfillshëm, ngase nuk ka vlerësim real për punën e gjyqtarëve tani për tani të "paprekur" nga ligji dhe nga askush që nga një krehje që ishte me 2009/2010, sepse kështu është dhënë urdhri i kokave mafiooligarkike brenda e jashtë institucioneve. "Procesi i zhveshjes së KPK-së dhe KGJK-së nga politika, gjegjësisht nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, është proces i vështirë, pasi numri i procedimeve disiplinore me këtë KGJK dhe KGJK aktuale, të kapur e të degraduar, të korruptuar e të lidhur me krimin, është tejet i ulët ose ndoshta edhe zero, pothuajse i papërfillshëm, nuk ka vlerësim real për punën e gjyqtarëve tani për tani të "paprekur" nga ligji dhe nga askush që nga një krehje që ishte me 2009/2010, sepse kështu është dhënë urdhri i KOKAVE mafio-oligarkike brenda e jashtë institucioneve", u shpreh ai për "Kosova Sot".

Image

 

Nuk ka vullnet politik për dekriminalizim

Analisti Bejtullah Ibrahimi vlerëson se fenomenet e korrupsionit në Kosovë, në të dyja nivelet e pushtetit, janë bërë forma shumë të thjeshta për t'u kryer, ndërsa shumë të vështira për t'u luftuar. "Në këtë situatë tejet të rëndë, rolin kryesor për luftimin e këtij krimi e bart pushteti gjyqësor, i cili ka kapacitetet e nevojshme për ta bërë punën e vet, mirëpo Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial si duket janë bërë mburojë e korrupsionit, duke i mbrojtur ata, gjë e cila pastaj e pamundëson luftimin e mafio-oligarkisë politike, thënë shkurt është bërë një trinom korruptuat, i cili ka duart e lira për të vepruar dhe shumë e sigurt nga mosndëshkimi", u shpreh ai. "Në këtë situatë i domosdoshëm është inicimi i Ligjit të Veting-ut në Kuvendin e Republikës, i cili do të filtronte çdo emër në pozitat ku janë të thirrur për të mbrojtur kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend", potencoi Ibrahimi për "Kosova Sot". Ndërsa, ish-shefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, tani drejtor ekzekutiv i Qendrës për Etikë dhe Transparencë, Hasan Preteni, thotë se një model VETTINGu i duhet edhe Kosovës, për të gjitha nivelet, por është politika që nuk po tregon vullnet për ta çuar përpara atë. "Po të kishte gjyqësor të mirëfilltë, do të lëviznin menjëherë edhe jo për të kaluarën, por për të gjitha vendimet joligjore që po merren në baza ditore. Reformë me keqbërësit nuk ka", u shpreh Preteni për "Kosova Sot". Veting-un në Kosovë e sheh si një mundësi vetëm të imponuar nga jashtë dhe fillimisht duke ndryshuar edhe mentaliteti i tanishëm politik edhe analisti Naim Kelmendi. "Vetting-u është e vetmja mundësi për dekriminalizimin e plotë të të gjitha instancave të shtetit të Kosovës, duke filluar nga sistemi i drejtësisë i tej degraduar, pastaj edhe të institucioneve të tjera të zgjedhura apo të emëruara nga njerëzit e politikës", tha Kelmendi për "Kosova Sot".

Image

Duhet presion nga jashtë 

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, duke parë hezitimin e politikës për t'u futur në një proces të tillë, ka dyshim se krimi dhe korrupsioni në të gjitha institucionet vetëm sa do të vijnë dhe do të fuqizohen akoma më shumë, duke shuar përfundimisht të gjitha shpresat për një shtet ligjor. "Jo vetëm se nuk do të përgjigjen para ligjit bosët e krimit të organizuar ekonomik dhe politik, por do të jenë çdo ditë e më të fuqishëm. Dhe do të jenë edhe më të fuqishëm dhe të paprekshëm, pasi pikërisht këta mafio-bosa i kanë në dorë të gjithë mekanizmat e shtetit dhe ligjit. Dhe, sidomos i kanë në dorë gjyqësinë, prokurorinë dhe hetuesit policorë. Pra, nëntoka e krimit të organizuar i kontrollon organet e ligjit dhe ndjekjes, që i kanë si mbulesë dhe mbrojtje, prandaj s'mund t'i ndalojë dhe t'i ndëshkojë tani për tani askush. Këta e kanë në dorë sidomos gjyqësinë dhe prokurorin së bashku me hetuesit policorë", u shpreh ai. "Në këtë gjendje sjellja e një VETING-u në fuqi as që vjen në shprehje me këtë Parlament dhe këta deputetë, ndërsa KGJK-ja dhe KPK-ja janë aty veç si paravanë, për të mbuluar dështimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve karshi mafisë dhe korrupsionit politik", tha Naim Miftari për "Kosova Sot". Të vështirë, për të mos thënë të pashpresë, e sheh një proces VETTING-u në Kosovë edhe analisti Skënder Kapiti, pasi sipas tij, politika, drejtësia, shteti dhe shoqëria në Kosovë janë kapur nga korrupsioni, krimi dhe nga padrejtësia. "Ky realitet është i pamundur që të ndryshoje pa një revolucion ligjor, pra pa një reformë të thellë ligjore të drejtuar nga SHBA-ja", u shpreh ai. Sipas tij, demokracia kështu ka falimentuar, pasi është paralizuar drejtësia dhe për pasojë funksionon keq shteti. 

(Kosova Sot)