Sundimi i mafio-oligarkëve shkatërron ëndrrën e kosovarëve

  • 16 January 2018 - 07:58
Sundimi i mafio-oligarkëve shkatërron ëndrrën e kosovarëve

MEDIET BOTËRORE PORTRETIZOJNË DRAMËN E RE TË KOSOVËS

Askush nuk dëshiron të qëndrojë më në Republikën e kapur

Ditë më parë revista e njohur " The Economist", në një artikull të saj kushtuar Kosovës, shkruante se ndonëse u bënë 18 vjet që ka përfunduar lufta dhe një dekade që kur vendi e shpalli pavarësinë, Kosova vazhdon që të mbetet një katastrofë ekonomike dhe ëndrra e të rinjve të këtij vendi është migrimi. Vlerësimi i analistëve është se shteti i Kosovës është bërë një shtet i mafisë dhe krimit të organizuar, një shtet i paperspektivë dhe për këtë arsye si të rinjtë, ashtu edhe mosha e mesme po kërkojnë çdo formë të mundshme për t'u larguar sa më shpejt nga Kosova. Analisti Gurakuç Kuçi, politolog dhe drejtor i përgjithshëm në "Independent Institute for Political and Media Studies", për "Kosova Sot" tha se shumë gazeta dhe revista ditore me nam global pothuajse çdo ditë ndonjëra nga ato e përgatit një artikull ku flitet për Kosovën dhe të gjitha të argumentuara dhe të balancuara me argumente e paraqesin Kosovën në nivelet më të ulëta të zhvillimit demokratik dhe ekonomik". "Në Kosovë janë drejtuar investitorë të huaj më shumë se në çdo vend fqinjë tonin, por ato kanë ikur nga haraçi që u është vënë, dhe kjo është publike dhe ka dalë me qindra herë në medie. Kostoja e të bërit biznes në Kosovë është shumë më e vështirë se në çdo vend të rajonit, ka konkurrencë jo të drejtë, kompani oligarke, monopate ligjore dhe uzurpokraci", potencoi ai. 

Image

Politikanët jetojnë në kurriz të popullatës së varfër 

Analisti Arsim Haziri tha për "Kosova Sot", se Kosova fatkeqësisht është vend i dukurive negative. "Përfundimisht, gjendja aktuale është si rezultat i keqqeverisjeve dhe ambicieve për pasurime individuale dhe duke qenë të tillë s'mund të jenë adekuatë për shtet funksional. Qeverisjeve largimi masiv gjithherë u ka konvenuar, pasi kësisoj nuk mund të ketë shqetësim dhe protesta për keqpërdorime institucionale", u shpreh ai. "Zakonisht, jetësimi i dhunës ekonomike dhe psikologjike prodhojnë kushte për migrime legale dhe ilegale, e Kosovës, fatkeqësisht, një fenomen i tillë në vazhdimësi është duke i ndodhur dhe kjo dukuri është sa e kushtueshme, aq edhe dëmtuese", potencoi Haziri. " Kosova në gjendjen që është, është për shkak të leverdisë që posedon politika, është për shkak të blerjes që bën politika në rastin e zgjedhjeve, si dhe është për shkak të zhvillimit të veprimtarive kriminale, të cilat asnjëherë nuk mund të jenë të dënueshme", ka thënë analisti Haziri. Ndërsa, eksperti i fushës së Drejtësisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Blerim Burjani, tha për " Kosova Sot", se kjo klasë politike duhet të jetë e vetëdijshme për problemet aktuale, duhet të kuptojë se kjo politikë e zhvatjes dhe përfitimeve duhet të ndalet. "Në Kosovë po ndodh një lufte për pasurim dhe nuk duket të jetë e rëndësishme si dhe qysh, me rëndësi për të përfituar dhe për të shpëtuar nga skamja, kurse disa tashmë janë bërë kategori borgjeze, dhe në këtë aspekt më së miri po jetojnë politikanët", vlerësoi Burjani. 

Image

Lëkunden marrëdhëniet e Kosovës me ndërkombëtarët 

Eksperti Burjani tha se Kosova ka nevojë për tri çështje urgjente. "Zhvillimi ekonomik, mbrojtja sociale dhe shëndetësore, këto tri tema sa më parë duhet angazhim për të sjellë një ndryshim thelbësor në jetën e qytetarëve", u shpreh më tutje ai. Sipas tij, këto tri tema janë arsyeja kryesore pse të rinjtë tanë po e mësyjnë perëndimin dhe gjetiu. Ndërsa, analisti Mustafë Kadrijaj tha për "Kosova Sot', se duke u përballur me një krizë ekonomike dhe me një papunësi të madhe, rinia kosovare të vetmen rrugë kanë gjetur migrimin duke tentuar përmes formave të ndryshme, si legale dhe jo legale, e madje edhe duke rrezikuar jetën e tyre nëpër kufij të ndryshëm vetëm që të largohen një hap e më shpejt nga Kosova, të cilën e kanë gllabëruar politikisht dhe ekonomikisht mafioligarkia, që çdo ditë e më shumë po ia humb shpresën Kosovës ekonomikisht. "Por, e keqja është se lëvizjet e fundit të lidershipit kosovar kanë lëkundur edhe marrëdhëniet me miqtë më strategjikë të Kosovës, siç janë SHBA-ja, Britania e Madhe", theksoi ai. "Largimi i rinisë kosovare ka pasoja të pariparueshme nga ana ekonomike, sepse duke ulur gjeneratën e re, e cila, përveç perspektivës ekonomike, ka ndikim edhe në shtimin e popullsisë, po ashtu duke ulur konsumin që ka ndikim në zhvillimin e bizneseve edhe fuqia punëtore potenciale do të ulet", ka thënë Kadrijaj. Sipas tij, të gjitha këto kanë ndikim në Bruto Produktin e Përgjithshëm dhe në rritjen ekonomike të vendit, por si po duket lidershipit dhe mafio-oligarkisë sonë nuk po i pengon kjo situatë. 

(Kosova Sot)