Berjani: Shoqata kërkon ligjin e ri

  • 16 January 2018 - 15:57
Berjani: Shoqata kërkon ligjin e ri

Lideri i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, për "Kosova Sot' tha se, që në Kosovë po bëhet kontrabandë me derivate as nuk kemi më nevojë të diskutojmë, sepse kjo u vërtetua edhe pas fjalimit që e bëri nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti. "Shteti duhet që të marrë masa ose të thuhet haptazi se shteti nuk po funksionon. Kjo, ngase deklarata e Halitit është bërë në Kuvendin e Kosovës, ku janë 120 deputetë dhe prezente ishte edhe Qeveria e Kosovës dhe asgjë nuk po lëviz, andaj ne si Shoqatë e Naftëtarëve e shtrojmë në diskutim çështjen se a duhet që Prokuroria e Shtetit, Qeveria dhe Kuvendi të heshtin"?, u shpreh ai. "Neve si Shoqatë kemi kërkuar që në këtë sektor të vendoset rregulli, por si duket dikujt nuk po i konvenon të ketë rregull, sepse ujqit po duan mjegull", vijoi më tutje ai . "Është për keqardhje situata në të cilën ndodhet ky sektor, sepse Projektligji për Derivate të Naftës nuk kaloi që 8 vjet dhe ligjin e ka kundërshtuar LDK-ja, gjysma e PDK-së dhe ata të AAK-së, por edhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi", ka thënë Berjani. Ai ka falënderuar të gjitha partitë politike, që nuk lejuan të miratohet një ligj i centralizuar dhe i korruptuar, variantin e të cilit e pati proceduar ishministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami. Sipas tij, duhet të përkrahet propozimi i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës dhe propozimi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik Tregti dhe Industri. "Ne si vend i vogël kemi nevojë për një ligj me standarde të BE-së, që është i përshtatshëm për të gjitha bizneset që merren me derivate të naftës dhe jo për një ligj që i largon prej lojës mbi 40 importues derivatesh", ka theksuar Berjani.

(Kosova Sot)