Politika në partneritet kriminal me drejtësinë

  • 17 January 2018 - 07:37
Politika në partneritet kriminal me drejtësinë

PASOJAT E CENIMIT TË PAVARËSISË SË SISTEMIT

Analistët politikë dhe njohësit e fushës së sundimit të ligjit vazhdojnë të kritikojnë sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke konstatuar se assesi nuk mund të funksionojë drejtësia në Kosovë në bashkëlidhje dhe me shantazhet e politikës, derisa nga një lidhje e tillë Kosova pothuajse rrezikon të shndërrohet thellësisht në një oazë të krimit, falë drejtësisë që sheh vetëm xhepin e vet, e nuk bën punën e saj sipas ligjit, por vetëm "sipas Maliqit"! Analistët vlerësojnë se duke qenë të lidhur me politikën, gjyqtarët dhe prokurorët duan të jenë mirë dhe komod, pa telashe në ndjekjen e krimit të organizuar e korrupsionit në taborin politik, prandaj edhe flirtojnë me politikën sipas stilit "ti më bën një favor, unë ta kthej me një tjetër". Për këtë pasojë, analistët vlerësojnë se akoma në vendin tonë nuk mund të ketë drejtësi për qytetarët, për sa kohë ky sistem është i kapur nga politika e mafio-oligarkia e inkriminuar. Arsyeja se pse deri më tash rezultati i luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë është i barabartë me zero, është funksionimi besnik dhe i pashkëputur i kësaj lidhje, sepse janë vetë strukturat brenda gjyqësorit, prokurorisë dhe policisë ato që janë bërë "de- fakto" avokatë mbrojtës dhe garantues të veprimit të pacenueshëm të korrupsionit dhe krimit të organizuar të instaluar nga politika në Kosovë!

Image

Të pafuqishmit penalizohen, të fortët amnistohen

Prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, tha për "Kosova Sot" se nëse shikohet shumë realisht, sistemi i drejtësisë në Kosovën e pasluftës që në fillim është ndërtuar mbrapsht, nuk është ndërtuar nga UNMIK-u dhe EULEX-i, sikur edhe tash nga organet e shtetit të Kosovës, si sistem i drejtë për të krijuar një barazi shoqërore dhe sociale e ligjore në masa, por si një sistem parcial i grupeve të interesit."Tani me këtë sistem edhe "rregullat e Maliqit" janë në fuqi. Sistemi i drejtësisë është i vendosur, kontrollohet dhe iu shërben vetëm grupeve informale politike dhe mafioze oligarkike. Lidhjet e forta midis pushtetit, partive politike dhe oligarkëve, me sistemin e drejtësisë, janë bërë për t'u pasuruar grupe të caktuara në përmasa të mëdha. Kjo ka bërë që të kemi ndarje në grupe dhe në klasa, në mënyrë që pasuria të plaçkitet dhe të funksionojë vetëm për disa interesa, e këtu askund nuk gjen drejtësi të pavarur dhe efektive për qytetarin dhe në funksion të barazisë sociale. Në gjykata dhe në prokurori ndiqen subjektet e parëndë- sishme", u shpreh ai. "Nuk ndiqet vetë kryeprokurori, nuk ndiqen prokurorët dhe gjyqtarët që kanë edhe po bëjnë vepra penale. Të vjen për të vjellë kur sheh lidhjen kriminale midis Devollit dhe Baton Haxhiut me prokurorët dhe gjyqtarët. I takon Prokurorisë speciale të hetojë rastet e kësaj lidhjeje, si në rastin e Astrit Deharit, ashtu edhe të rastit të fundit të të dënuarit Faton Mehmeti. Këto dy raste janë të rënda se si kanë vepruar gjykata e prokuroria në lidhjet e tyre me Klan Kosovën. Janë thjesht veprime të dënueshme. Mirëpo, dihet që krimi ka lidhje e përtej lidhjeve. Nuk hetohen keqpërdorimet në pushtet! Nuk hetohen as mjetet financiare që harxhohen nga Presidenca, nga Qeveria dhe as mjetet financiare të oligarkëve mafiozë ekonomikë. Kudo ka krim. E kjo të bën skeptik për të drejtën në këtë shoqëri me drejtësi jofunksionale e të shantazhuar nga politika. Me këtë thjesht besohet se sistemi ka devijuar tërësisht. Vetëm masat drastike të spastrimit të këtyre strukturave, të kapjes e dënimit, bëjnë punë për të ndërtuar një sistem të ri efektiv", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot".

Image

Nëntoka e kontrollon sistemin

Edhe analisti politik Naim Kelmendi nuk ka aspak dyshim se në Kosovë de-fakto është pikërisht nëntoka e krimit dhe të fortët e politikës që nuk atakohen nga një drejtësi e brishtë dhe kështu fatkeqësisht qëndrojnë të dyja palët mbi ligjin, e që për të keq faktikisht mund të thuhet se drejtësia nuk ekziston fare."Me keqardhje na duhet të konstatojmë se kështu siç e kemi për kaq vite sistemin në Kosovën e pasluftës deri më sot kanë sunduar vetëm nëntoka kriminale dhe politikanët e nivelit të lartë, që de- fakto po e kontrollojnë sistemin e drejtësinë dhe po sundojnë, e de-fakto edhe po qëndrojnë "mbi ligjin". Kjo është një fatkeqësi e madhe për qytetarin e zakonshëm ngase në vend që ligji dhe e drejta të sundojnë në tërë Kosovën dhe për të gjithë po ndodh e kundërta", ka vlerësuar ai."Derisa të jetë kjo gjendje e mungesës së llogaridhënies dhe shkëputjes së drejtësisë nga politika, kjo gjendje edhe e pandëshkueshmërisë brenda vetë sistemit të drejtësisë, sikur janë vetë gjyqtarët e prokurorët, nuk do të ketë kurrë drejtësi... barazi funksionale për të gjithë para ligjit", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot". Njohësi tjetër i kësaj fushe, Naim Miftari, thotë se shantazhi politik ndaj sistemit të drejtësisë është aq i madh saqë gjyqtarët dhe prokurorët shantazhohen nga politika, nëse provojnë të ngrenë raste kundër bosëve të politikës, edhe me izolim të plotë të veprimtarisë së tyre, punës në prokurori dhe në gjykata."Dhe kur e konstatojmë këtë gjendje, në krejt këtë klimë dhe situatë të punës, asnjë prokuror nuk mund të jetë në krye të detyrës, as neutral dhe i pavarur në zbatimin e ligjit", u shpreh ai për "Kosova Sot'. Sipas Miftarit, edhe nëse provon për të funksionuar e vepruar si i tillë, të jetë neutral, ai rrezikon të mos këta fare hapësirë pune, të mos i jepen fare lëndët e ndjekjes një prokurori të caktuar, apo të mos u jepen fare lëndët gjyqësore atyre gjykatësve kur janë në pyetje 'peshqit e mëdhenj' të krimit dhe të politikës. 

Image

PRETENI: POLITIKA ME DREJTËSINË JANË NË "PARTNERITET JOPARIMOR"

Pa shkëputjen e partneritetit kriminal në mes të sistemit të korruptuar të drejtësisë dhe politikës nuk sheh shtet ligjor funksional as drejtori ekzekutiv i Qendrës për Etikë dhe Transparencë, Hasan Preteni."Politika me drejtësinë janë në "partneritet joparimor". Politika për prokurorë, gjyqtarë dhe hetues policorë ka siguruar kushte të mira pune, paga të dinjitetshme, mundësi shkollimi, mundësi punësimi të shumëfishtë, mundësi punësimi për anëtarë-familjarë. Vetëm për ta siguroi edhe rritje pagash edhe shumë privilegje tjera. Janë të vetmit që mund të kryejnë edhe detyra të tjera jashtë këtyre institucioneve e pastaj prapë të kthehen në institucionet bazë", theksoi ai."Në anën tjetër këta po u revanshohen politikës duke mos punuar dhe duke mos i penguar ata në veprimet kriminale. Ky është favorizimi që po ia bëjnë njëra palë palës tjetër, nga kjo situatë po dëmtohet vetëm qytetari i thjeshtë, duke mos i besuar asnjërës nga palët. Rreziku më i madh që po i paraqitet shoqërisë kosovare është mosbesimi tek institucionet, kjo mjerisht po ndodh pa asnjë perspektivë përmirësimi. Koalicionet joparimore po funksionojnë aq mirë sa nuk po i pengon askush", vijoi më tej Preteni."Të gjitha veprimet janë veprime kozmetike sa për sy e faqe dhe për të krijuar mjegull. Dëshmia kryesore kësaj janë shifrat e publikuar që e vërtetojnë atë që u pohua me lart. Nuk ka hetime serioze, ka pak aktakuza, asnjë në nivel të lartë, gjykime me kushte", tha Preteni për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)