Mero Baze: Komandantët nuk i tremben Gjykatës sepse vranë serbë, por sepse vranë shqiptarë

  • 17 January 2018 - 22:22
Mero Baze: Komandantët nuk i tremben Gjykatës sepse vranë serbë, por sepse vranë shqiptarë

Gazetari i njohur nga Tirana i përgjigjet Baton Haxhiut për Tribunalin Special

Baton Haxhiu mbron idenë e shfuqizmit të Gjykatës Speciale, mbështetur tek fakti që komandantët shqiptarë të luftës, thuajse të gjithë, janë marrë nën hetim, ndërkohë që e konsideron krijimin e saj, si një sajesë për të fyer Kosovën.

Të gjitha këto janë të vërteta, por nuk shërbejnë si argumente kundër idesë së Gjykatës Speciale. Është e vërtetë, se shumë komandantë të UÇK në Kosovë janë marrë nën hetim dhe disa kanë vuajtur dhe dënime. Është po ashtu e vërtet se ka dhe praktika të dështuara të projekteve ndërkombëtare për drejtësi dhe po aq e vërtet se ky projekt e fyen Kosovën. Por këtë duhet ta sqarojmë mirë.

Gjykata Speciale u ofroi si një mundësi nga aleatët perëndimorë për të pastruar hipotezat serbe, për krimet shqiptare ndaj tyre. Për ti pastruar përfundimisht dhe në mënyrë të besueshme këto ose si legjenda urbane, ose histori të vërteta.

Në procesin e gjatë të stabilizimit të shtetit të Kosovës, Gjykata Speciale është një çertifikim perëndimor I aftësisë së Kosovës, për të qenë shtet I drejt, që meriton të vetqeveriset. Kosova nuk është fyer pse ju ofrua projekti I Gjykatës Speciale, por se klasa politike e Kosovës krijoi pabesueshmërinë e nevojshme, për ta baltosur Kosovën, si një shtet të papërgjegjshëm dhe të pasigurt në dhënien e drejtësisë.

Gjithkush që mund të kishte qenë komandant lufte normal që do kish vrarë njerëz, se nuk do të dilte në mal për të kënduar serenata. Por luftën e UÇK nuk e njollosin vrasjet në luftë kundër serbëve.

Përkundazi!

Një komandant që mund të akuzohet për vrasje në luftë, pasi ka gëzuar dhe 20 vjet liri dhe pushtet politik në Kosovën e lirë, do të duhej të shkonte me qejf drejt Gjykatës Speciale, për të marrë medalien e heroit të Kosovës. Nuk është kurrfarë turpi apo njolle për një luftëtar të gjykohet se ka vrarë armiq në betejën për liri. Për serbët ai mund të jetë kriminel, por për shqiptarët do të jetë hero.

Shumë nga komandatët shqiptarë të UCK mund të dalin vërtet të pafajshëm në raport me krimet ndaj serbëve, se vërtet kanë vrarë shumë pak serb, për të mos thënë që shumë prej tyre as janë përball me ta.

Por ne, nuk kemi prej vitit 1999, asnjë hetim dhe gjykim të drejt për të ndëshkuar vrasjet politike mes shqiptarëve, të bëra në shumicë po nga këta komandant.

Problemi I disa prej tyre, është se I tremben Gjykatës jo se do ti dënoj si luftëtarë antiserb, por si burrcak që kanë vrarë shqiptarë. Dhe këtu sillet gjithë zemërimi dhe paniku I tyre.

Kjo është arsyeja shqiptare përse duhet Gjykata Speciale.

Por kryearsyeja mbetet investimi I perëndimit në Kosovë. Kosova nuk është një shtet I lindur natyralisht, por një shtet që Perëndimi ja hoqi nga duart Serbisë, për të shpëtuar një popull nga genocidi dhe padrejtësia. Kosova është eksperimenti I vetëm I perëndimit në emër të lirisë për një komb, dhe ky fat u ka rënë shqiptarëve.

Babai dhe Nëna e Kosovës, janë SHBA dhe vendet e NATO që e çliruan dhe e bën shtet të pavarur. Ata janë prindërit e Kosovës. Dhe prindërit e Kosovës e kërkojnë Gjykatën Speciale, jo për të vrarë foshnjën e tyre, por për të mbrojtur foshnjën e tyre në një kohë të re, me rreziqe të shtuara edhe për shkak të gabimeve foshnjore të saj.

Kosova nuk është gati të mohoj prindërit e saj dhe të ec në një rrugë të panjohur për shkak të ndjenjës së turpit që ka dikush, nëse dënohet nga Gjykata Speciale.

Kosova nuk është vetëm shtet I atyre që kanë frikë se mos dënohen. Është dhe shtet I fëmijve dhe familjarëve të atyre shqiptarëve që nuk kanë marr akoma një përgjigje kush ua vrau djalin, babin, apo burrin në prag të lirisë së Kosovës, edhe spe e dinë mirë kush u aka vrarë. Kosova nuk mund të jetë një vend I sigurt dhe I lirë, duke qenë strehë vrasësish të padënuar dhe vend I njerëzve të dëshpëruar nga mungesa e drejtësisë.

Qytetarët e Kosovës, dinë ti ndjanë heronjtë e luftës, nga përfituesit e luftës. Dinë ti ndajnë ata që mund të shkojnë para Gjykatës për luftën e tyre për liri dhe ata që mund të shkojnë për të vjedhur lirinë e sjellë nga të tjerët.

Kosova duhet ta kaloj testin e Gjykatës Speciale me dinjitet, duke I hapur rugë jo vetëm drejtësisë dhe pastrimit të Kosovës nga akuzat e pabaza për krime kundër serbëve, por dhe për ti hapur rrugë një klase të re politike, që mund ta bëj diferencën e madhe që pret rinia e Kosovës.

(Kosova Sot)