Republika e Haraçit dhe padrejtësive po e rrënon biznesin

  • 18 January 2018 - 07:57
Republika e Haraçit dhe padrejtësive po e rrënon biznesin

SHTETI NËN KONTROLLIN E PLOTË TË NËNTOKËS

Mafio-oligarkët komandojnë çdo gjë, paligjshëm dhe kriminalisht

"Nuk është sekret se për tenderë të ndryshëm jepen nën dorë 15-20% të vlerës totale të tenderit dhe leje po ashtu, lejet e ndërtimit me para nën tavolinë, ose vonohen aq shumë dhe ato leje ndërtimi pastaj edhe kur të merren thuajse e humbin vlerën apo interesin, nuk u duhet asgjë më, pasi i vonojnë qëllimisht me vite duke endur qytetarët poshtë e lart nëpër sportele. Kjo më pastaj i detyron ata që të japin edhe haraç", tha analisti Naim Miftari për "Kosova Sot"

Njohësit e fushës së të drejtës dhe analistët politikë po vazhdojnë ta shohin me shqetësim të madh fushën e sundimit të ligjit në Kosovë, ku po shihet qartë që lidhja kriminale e drejtësisë me politikën e inkriminuar është shumë e fuqishme. Madje kjo lidhje bën që mungesa efikase e sundimit të ligjit të pamundësojë edhe të bërit biznes në suaza ligjore dhe të konkurrencës lokale në treg. Sipas njohësve të kësaj fushe, në Kosovë akoma nuk ka shanse që pa e paguar haraçin ndaj politikës të marrësh as leje ndërtimore, as licencë aktiviteti biznesor, në asnjë veprimtari ekonomike, e as përgjigje apo vendime administrative nga administrata e shtetit. Kjo gjendje është e tillë për faktin se, sipas analistëve, si në pushtetin lokal po ashtu edhe në atë qendror të administratës shtetërore, edhe pse ligjet shumë qartë i obligojnë për këto veprime të detyrueshme e të rregulluara me ligj e Kushtetutë, aty nuk përfillet zbatimi i ligjit. Madje, për më keq, deri më sot nuk kemi asnjë të akuzuar dhe të dënuar të nivelit të lartë politik, apo zyrtar të lartë në administratën shtetërore, komunale dhe atë qendrore qeveritare, e as të mafio-oligarkëve që bashkëveprojnë dhe janë pjesë e "nëntokës dhe krimit të organizuar" që funksionon para hundëve e syve të prokurorëve të Prokurorisë Speciale, ndërkaq që ata nuk i hetojnë as ex-officio dhe as pas kallëzimeve penale nga qytetarët, duke u dalë në mbrojtje, e kështu dhe duke bërë avokatinë e tyre kriminale dhe nuk ngritin fare aktakuza kundër tyre.

Image

Krimi i ka shtrirë rrënjët në institucione

Analisti Azem Osmani tha për "Kosova Sot" se pikërisht kjo gjendje e reflekton realitetin e hidhur në institucionet tona qendrore e lokale."Në një shtet ku institucionet e saj keqpërdoren nga zyrtarët e saj pothuajse në vazhdimësi, dhe ky keqpërdorin ngel i pandëshkuar, tregon për kapjen e tyre nga rrjete kriminale, sidomos institucionet e drejtë- sisë. Ky grup individësh të pozicionuar jorastësisht në ato pozita kyçe ka ardhur direkt nga njerëz që kanë fuqi dhe ndikim të madh. Krejt kjo bëhet për përfitime të tyre dhe në dëm të buxhetit të shtetit të Kosovës. Prandaj, nuk pritet që ky grup kriminal të respektojë ligjet në fuqi, përderisa nuk ka frikë nga drejtësia. Thjesht, ata nuk e duan shtetin e zhvilluar ekonomikisht, as nuk ndjejnë dhimbje për pozitën e rëndë sociale të qytetarëve, por kanë vetëm interesin e vet dhe të grupeve të tyre për t'u pasuruar. Pavarësisht deklaratave politike pompoze se do luftohet krimi e korrupsioni, kjo gjë deri më tani nuk ka ndodhur. Ato deklarata të krerëve shtetërorë kanë mbetur shterpe", u shpreh ai."Kompanitë publike, bordet, gjykatat, si dhe shumë institucione qendrore e lokale janë të drejtuara, apo thjesht dominohen nga njerëzit e sjellë nga ky grup politik kriminal. Këta kanë krijuar lidhje përfitimi edhe me kompani të mëdha private, duke e bërë shtetin të sundohet nga oligarkët", tha Osmani për "Kosova Sot". Sipas tij, prokurorët tanë, të cilët janë të thirrur për të hetuar shkelësit e ligjit, paguhen me paga të majme nga buxheti i Kosovës, por nuk e kryejnë detyrën si duhet."Shpresa e vetme qytetare për përmirësimin e situatës në vend, do të kthehet vetëm atëherë, kur partitë politike pastrohen nga këta individë, të cilët fatkeqësisht nuk janë pak", ka theksuar Azem Osmani. 

Image

 

Gjykatat mbrojtëse të të korruptuarve

Sipas analistit Florim Zeqa, kjo gjendje po tregon se si me paratë e shtetit mbrohet krimi dhe korrupsioni i nivelit të lartë në vend."Në Kosovën e sotme, qytetarët e thjeshtë nuk kanë shanse të gëzojnë të drejtat e tyre të garantuara me ligj. Nuk kanë shanse të marrin leje ndërtimi, licencë apo zhvillim të lirshëm të asnjë aktiviteti, të asnjë veprimtarie ekonomike nga administratorët e shtetit pa ua "lagur fytin" pushtetarëve të të dyja niveleve të qeverisjes (lokale dhe qendrore), ani pse ligjet shumë qartë i obligojnë administratorët për kryerjen e shërbimeve ndaj qytetarëve në mënyrë të barabartë, në përputhje me ligjet në fuqi. Edhe përkundër kësaj, instalimi i haraçit ka marrë trajtën legale në institucionet e shtetit, respektivisht në administratën lokale dhe qendrore. Kështu deri më sot nuk e kemi asnjë të akuzuar, gjegjësisht asnjë të dënuar për mitëmarrje apo kërkim të haraçit, qoftë në nivelin e lartë të administratës publike apo eksponentë politikë të profilit të lartë. Ndodh pikërisht kështu, për faktin se kemi një bashkëveprim të mafio-oligarkëve politikë me prokurorinë, gjykatat dhe nëntokën e krimit të organizuar!", u shpreh ai."Edhe pse prokurorët janë të paguar nga shteti për hetimin e rasteve të mitëmarrjes dhe haraçit, me neglizhencën e tyre (të qëllimshme) janë shndërruar në mbrojtësit më të mëdhenj të dukurive negative në vend", theksoi Zeqa për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti politik Arsim Haziri thotë se pasqyra më e mirë, besnike, e mosfunksionimit të sistemit ligjor janë lëndët e patrajtuara që gjenden në sirtarët e gjykatave, afro 500 mijë."Si në komunë-organet lokale po ashtu edhe tek ato qendrore, vështirë mund t'ia dalësh e të mos prekesh nga haraçi i derivuar prej politikës. Në një mënyrë ose tjetër të kushtëzojnë materialisht vetëm për të përfituar ky rrjet ekonomikisht. E arsyeja pse nuk veprojnë organet për ndjekjen e krimit dhe përfundimisht ndërtimin e kushteve për dominimin e sistemit ligjor është se gjithë aparati shtetëror është në funksion të krimit dhe politikës negative dhe duke qenë brenda kësaj logjike e kanë të pamundshme t'i luftojnë dukuritë negative, të cilat po e dhunojnë shoqërinë kosovare", potencoi ai për "Kosova Sot". 

Tenderomania godet shtetin

Duke parë lidhjen e fortë të politikës dhe drejtësisë me krimin, njohësi i së drejtës, Naim Miftari, thotë se në Kosovë akoma nuk janë krijuar as shansat minimale që të largohet haraçi, pasi vetë sistemi shtetëror iu vë haraç hallexhinjve dhe qytetarëve që janë të detyruar të paguajnë nën dorë, nëse duan të mbarojnë një punë të vet apo të firmave të veta."Dhe nuk është sekret se për tenderë të ndryshëm jepen nën dorë 15-20% te vlerës totale të tenderit dhe leje, po ashtu lejet e ndërtimit me para nën tavolinë, ose vonohen aq shumë dhe ato leje ndërtimi pastaj edhe kur të merren thuajse e humbin vlerën apo interesin nuk u duhet asgjë më, pasi i vonojnë qëllimisht me vite, duke endur qytetarët poshtë e lart nëpër sportele. Kjo më pastaj i detyron ata që të japin edhe haraç. Prandaj e them me plot përgjegjësi se në Kosovë nuk ka shanse minimale që të largohet Haraçi pasi vetë sistemi shtetëror vendos haraç", tha Miftari për "Kosova Sot". Edhe njohësi tjetër i kësaj fushe, Naim Kelmendi, tha për "Kosova Sot" se është një fatkeqësi e madhe në sistemin ë drejtësisë që Kosova akoma nuk po arrin të nxjerrë në bankën e të akuzuarve "peshqit e mëdhenj" të krimit e korrupsionit, e të cilët janë prijësit e top skandale dhe hajnive që po i ndodhin shtetit të Kosovës. "Shkaqet e kësaj gjendje të brishtë në drejtësinë kosovare dhe mosefikasitetin e kësaj drejtësie, në luftën e saj ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, duhet kërkuar në shumë faktorë përcaktues që kanë determinuar gjendjen në të cilën është katandisur drejtësia kosovare, e ndër to janë edhe ai i ndikimit politik në ekonomi, lidhjet me mafio-bizneset, në gjyqësor e prokurori, pastaj ai i ndërlidhjes së krimit dhe sundimit të tij edhe përmes njerëzve brenda sistemit të drejtësisë, kështu që drejtësinë kosovare e kanë determinuar për të qenë e pasuksesshme", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot". Prokuroria Speciale e Kosovës nuk i ka kthyer përgjigje gazetës as në pyetjen e adresuar rreth kësaj çështje.

(Kosova Sot)