Asfalti korruptiv vazhdon të gllabërojë miliardat e Kosovës

  • 18 January 2018 - 07:59
Asfalti korruptiv vazhdon të gllabërojë miliardat e Kosovës

Investimet kapitale, në përputhje me interesat e ngushta të pushtetarëve

"Jemi dëshmitarë se Autostrada 'Ibrahim Rugova' buxhetit të shtetit i ka kushtuar jashtëzakonisht shumë, madje as sot nuk kemi një kontratë publike se sa saktësisht ka kushtuar. Pastaj kemi edhe rrugë të tjera, që janë shtruar dhe i kanë kushtuar buxhetit të shtetit shumëfish më shumë sesa vlera aktuale e tregut, pra kemi të bëjmë me një manipulim të hapur", u shpreh eksperti i ekonomisë Lulzim Beqiri për "Kosova Sot"

Qeveritë kosovare nuk dallojnë nga njëra- tjetra nga 'etja" për të investuar kryesisht në asfalt, edhe pse rrugët kanë cilësi të dobët, ndërsa kostoja për një kilometër rezulton ndër më të shtrenjtat në Evropë. Me gjithë vërejtjet e bëra nga ekspertët e ekonomisë, si duket edhe Qeveria "Haradinaj" preferon që shumicën e investimeve nga buxheti i shtetit t'i fusë në asfalt. Që nga pas lufta e deri më sot, në asfaltimin e rrugëve dhe ndërtimin e autostradave të reja fondet miliardëshe të buxhetit të shtetit po treten pa i parë kush dhe askush nuk po heton ato që dyshohen si vjedhje masive të buxhetit. Ndaj, analistët pyesin se përse këto abuzime po lejohen edhe në nivelin lokal, edhe në atë qendror. Ata shfaqin dyshimin e tyre se pas kompanive të asfaltit, gurëve të betonit, qëndrojnë politikanët e fortë dhe ish-komandantët e UÇK-së, mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, ku tenderët milionësh janë të kontraktuar paraprakisht ende pa u shpallur publikisht.

Anashkalohet zhvillimi ekonomik

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot" se buxheti i Republikës së Kosovës është i orientuar kryesisht në asfalt dhe jo vetëm buxheti i vitit 2018, por edhe buxhetet e viteve të kaluara ishin të orientuara kryesisht në infrastrukturë rrugore, duke anashkaluar tërësisht zhvillimin ekonomik të vendit. "Jemi dëshmitarë se Autostrada 'Ibrahim Rugova' buxhetit të shtetit i ka kushtuar jashtëzakonisht shumë, madje as sot nuk kemi një kontratë publike se sa saktësisht ka kushtuar, pastaj kemi edhe rrugë të tjera, që janë shtruar dhe i kanë kushtuar buxhetit të shtetit shumëfish më shumë sesa vlera aktuale e tregut, pra kemi të bëjmë me një manipulim të hapur", u shpreh ai. "Nuk duhet harruar se 1/3 e buxhetit të shtetit shkon në asfalt, pastaj një e treta tjetër është borxh, pra një mosmenaxhim i duhur i buxhetit të shtetit, dhe se një buxhet fleksibil do të duhej të hartohej në forma të tjera, ku prioritet duhet dhënë zhvillimi ekonomik, uljes së papunësisë, luftimit të korrupsionit, përmirësimit në arsim, infrastrukturës ligjore etj", vijoi më tutje Beqiri. "Pra aktualisht buxheti i shtetit menaxhohet me teke në stilin e kaubojve, thjesht thuajse janë para të babës, falja e borxheve, rritja e pagave enorme, shpërndarja e parasë për teke etj., janë vetëm disa nga faktorët që e kanë shkatërruar këtë ekonomi të brishtë", thotë analisti Lulzim Beqiri.

Image

Vjedhje e hapur nga pushtetarët

Ndërsa, Dardan Grapci, ekspert i ekonomisë, tha për "Kosova Sot" se edhe kjo Qeveri po vazhdon me këto investime masive duke i fshehur në asfalt, duke menduar se askush nuk mund t'i hetojë apo t'i gjejë gabimet e tyre. "Për ta rregulluar apo për ta shtruar një rrugë asfalt nga 200 - 1000 metra nuk kushton më shumë se 300.000 euro, tani duke e shikuar anën negative të kësaj është se për 1000 metra rrugë të shtruar pushtetarët tanë po i harxhojnë mbi 1 milion euro", ka theksuar ai. "Arsyeja përse këto vjedhje po lejohen në nivel qendror dhe lokal është se ligji nuk po zbatohet në kuotën 100 për qind", u shpreh Grapci. Sipas tij, kjo do të thotë se biznesmenët, politikanët dhe ish-komandantët e UÇK-së, të cilët disa sish e kanë bartur pushkën vetëm shtatë ditë, janë duke e shkatërruar ekonominë dhe tregun e Kosovës "duke u dhënë tenderë njerëzve të tyre dhe duke marrë për vete një përqindje që nuk u takon me ligj dhe rregullore".

Projektet infrastrukturore jotransparente

Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për Kosova Sot", se çdo qeveri vitin e parë të qeverisjes e ka të vështirë të implementojë programin e vet qeverisës, sepse kontratat dhe disa punë të qeverisjes së mëparshme duhet të kryhen, sepse është edhe obligim ligjor, siç bie fjala, Autostrada Prishtinë -Shkup dhe disa projekte të tjera kapitale nuk mund të kryhen gjatë një mandati qeverisës. "Është me interes për publikun dhe buxhetin, i cili mbushet nga taksat e qytetarëve të vendit, që nga ana e Qeverisë të ketë një transparencë të plotë në këto projekte dhe që të përdoren ashtu siç parashihet me ligje, e jo të ndodhë si në qeveritë e kaluara, ku nuk dihet kostoja e projekteve të mëdha, siç bie fjala, nuk dihet saktë deri më sot se sa ka kushtuar Autostrada Kosovë- Shqipëri", potencoi ai. "Është me rëndësi se Qeveria e re duhet të ketë rritje të transparencës dhe përfshirje në vendimmarrje të shumë aktorëve, duke përfshirë edhe shoqërinë civile në projekte të rëndësishme dhe që kanë kosto të madhe, si në nivelin qendrore ashtu edhe atë lokal", u shpreh Neziraj. "Ndaj, dua të besoj se ka ardhur koha që investimet, e sidomos investimet në infrastrukturën rrugore, jo vetëm që duhet të kenë transparencë dhe mbikëqyrje më të madhe, por edhe duhet që të rritet cilësia e punimeve, sepse edhe numri i madh i aksidenteve në komunikacion që janë me fatalitet, ku çdo ditë kemi humbje të jetëve të qytetarëve të vendit, po ndodh për shkak të infrastrukturës së dobët rrugore, edhe pse këto rrugë po kanë kosto tepër të lartë e kualiteti po është shumë i dobët dhe pa asnjë kriter",thotë Neziraj.

Image

Investimet e gabuara

Selatin Kaçaniku ("Konsumatori") tha për "Kosova Sot", se investimi në infrastrukturën rrugore do të duhej të ishte në funksion të kapitalizimit të investimeve. "Kjo bëhet duke hapur vende pune, mundësisht vende të përhershme, të qëndrueshme pune; duke bashkëpunuar me kooperantë e bashkëpunëtorë vendorë; duke shfrytëzuar e duke konsumuar energjentë, resurse humane, mjete e mekanizime, materiale...vendore", u shpreh ai. "Ky kapitalizim i investimeve nënkupton edhe sigurimin e qarkullimit të mjeteve financiare, të parasë, në format dhe nëpër rrugët legale financiare e fiskale. Sepse, ky qarkullim financiar duhet të synohet të jetë sa më i përshpejtuar, që nga çdo xhiro paraja të lërë pas përfitime socioekonomike dhe në buxhet. Ndërsa, me sa di unë, investimet kapitale në fjalë as tërthorazi nuk mundësojnë hapjen e vendeve të qëndrueshme të punës", ka shpjeguar Kaçaniku. "Eksploatimi i rezervave të gurit dhe gurorëve dhe të rërës për ndërtimin e autostradave në Kosovë përcillet me ndikime shumë negative në mjedis, e në veçanti në degradimin e rrjedhave të ujit. Po ashtu, kemi dëmtimin e rrugëve lidhëse deri te linja e ndërtimit", vijon më tutje ai. "Ajo që është më kryesorja, e kemi mbajtjen larg syve të opinionit e informatave lidhur me ndërtimin e autostradave, që nga tenderimi deri te përfundimi. Sepse, hëpërhë, autostradat nuk janë duke u shfrytëzuar as 25 për qind, ndërsa me këtë 'temp' të zhvillimit ekonomik, shfrytëzimi i potencialit të autostradave mund të arrihet pas minimum 25 vjetësh", thekson Kaçaniku. Sipas tij, këto investime kapitale janë tepër të shtrenjta për një shtet të vogël, për një popullatë të varfër, për një buxhet konsumues, për një ekonomi me mbi 90 për qind importe.

(Kosova Sot)