Politikani serb godet Serbinë për vrasjen e Ivanoviqit: Deri dje i keni thënë tradhtar, sot po e varrosni me nderime

  • 18 January 2018 - 15:44
Politikani serb godet Serbinë për vrasjen e Ivanoviqit: Deri dje i keni thënë tradhtar, sot po e varrosni me nderime

Në një intervistë për DW, politikani serb Marko Jaksiq, i është drejtuar Serbisë, veçanërisht Aleksandar Vuçiqit, për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, duke thënë se deri dje Serbia e ka quajtur atë tradhtar, e sot po e varrosin si qytetar nderi

Kjo intervistë është titulluar “Për Kosovën flitet më zë të ulët”, e dhënë nga Marko Jaksiq, politikan serb nga Kosova.

“Deri dje e keni quajtur Ivanoviqin lojtar dhe tradhtar, e sot po e varrosni në Aleji si qytetar nderi. Ky lloj sarkazmi i flet të gjitha. Nuk mundeni të veproni kështu, njerëzit nuk janë budallenj”, ka thënë politikani serb nga Kosova, Marko Jaksiq.

I pyetur nga kjo media se a beson që do të gjendet shpejt vrasësi i Oliver Ivanoviqit, Jaksiq tha se kjo gjë është mjaft e vështirë.

Ai ka thënë se në veri të Mitrovicës që nga koha kur Aleksandar Vuçiq hyri në zgjedhje në Serbi, kishin ndodhur një numër i madh i sulmeve të armatosura nëpër shtëpi. Madje, ai tha se nga këto djegie, kishte pësuar edhe vetura e tij.

“E kam pyetur personalisht Aleksandar Vuçiqin kur erdhi në Mitrovicë: A qëndroni pas djegies së makinës time, pasi ju kontrolloni shërbimet e inteligjencës? Ju e keni për obligim të më tregoni se kush e bëri këtë, pasi Mitrovica është e vogël”, tha Jaksiq ta ketë pyetur Vuçiqin.

(Kosova Sot)