Neziraj: Projektet infrastrukturore jotransparente

  • 18 January 2018 - 17:54
Neziraj: Projektet infrastrukturore jotransparente

 Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për Kosova Sot", se çdo qeveri vitin e parë të qeverisjes e ka të vështirë të implementojë programin e vet qeverisës, sepse kontratat dhe disa punë të qeverisjes së mëparshme duhet të kryhen, sepse është edhe obligim ligjor, siç bie fjala, Autostrada Prishtinë -Shkup dhe disa projekte të tjera kapitale nuk mund të kryhen gjatë një mandati qeverisës. "Është me interes për publikun dhe buxhetin, i cili mbushet nga taksat e qytetarëve të vendit, që nga ana e Qeverisë të ketë një transparencë të plotë në këto projekte dhe që të përdoren ashtu siç parashihet me ligje, e jo të ndodhë si në qeveritë e kaluara, ku nuk dihet kostoja e projekteve të mëdha, siç bie fjala, nuk dihet saktë deri më sot se sa ka kushtuar Autostrada Kosovë- Shqipëri", potencoi ai. "Është me rëndësi se Qeveria e re duhet të ketë rritje të transparencës dhe përfshirje në vendimmarrje të shumë aktorëve, duke përfshirë edhe shoqërinë civile në projekte të rëndësishme dhe që kanë kosto të madhe, si në nivelin qendrore ashtu edhe atë lokal", u shpreh Neziraj. "Ndaj, dua të besoj se ka ardhur koha që investimet, e sidomos investimet në infrastrukturën rrugore, jo vetëm që duhet të kenë transparencë dhe mbikëqyrje më të madhe, por edhe duhet që të rritet cilësia e punimeve, sepse edhe numri i madh i aksidenteve në komunikacion që janë me fatalitet, ku çdo ditë kemi humbje të jetëve të qytetarëve të vendit, po ndodh për shkak të infrastrukturës së dobët rrugore, edhe pse këto rrugë po kanë kosto tepër të lartë e kualiteti po është shumë i dobët dhe pa asnjë kriter",thotë Neziraj.

(Kosova Sot)