Haradinaj nuk i bie pishman, thotë se nuk do t’i kërkojë falje Delawies

  • 18 January 2018 - 20:03
Haradinaj nuk i bie pishman, thotë se nuk do t’i kërkojë falje Delawies

Sot nënkryetari i OVL-së së UÇK-së Nasim Haradinaj, e quajti ‘palaço’ ambasadorin amerikan në Kosovë, Greg Delawie, por edhe pas kritikave që ai mori, duket se nuk është pishman.

Koha.net ka kontaktuar Nasim Haradinajn, për të parë qëndrimin e tij pas reagimit të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, të cilët e dënuan gjuhën e tij dhe kërkuan reflektim të tij ndaj Delawies, por megjithatë ai thotë se e ka thënë vetëm mendimin e tij.

“Nuk kërkoj asnjëherë falje, e kam dhënë veç mendimin tim. Une e kam ndier veten të fyer kur Delawie hyri në parlament e bëri veprime të tilla. Kjo në fakt është shkelje e Kushtetutës”, tha ai.

E për t’i kërkuar falje për gjuhën që ai e përdori, duket se s’e ka ndërmend, ani pse i kanë kërkuar edhe Haradinaj e Veseli.

“Pse mi kërku falje? Le t’i kërkojnë falje ata vetë. Ai kurgjo mirë ndaj nesh s’po bën. Ai që bën mirë nuk ta shkel shpinë. Ai po don me na imponu neve diçka. Parlamenti osht shpia jonë, ai hyri na thej shpinë tonë”, tha ndër të tjera Nasim Haradinaj.

Kujtojmë edhe një herë çka ka thënë sot Nasim Haradinaj për ambasadorin amerikan Greg Delawie.

“Delawie më së pari është treguar një palaço, kur i ka thyer të gjitha rregullat dhe të gjitha përgjegjësitë e tij si diplomat që i ka. Delawie nëse ka prova për komandantët që kanë bërë krime, le të urdhëron si dëshmitar. Nuk është Dealawie i plotfuqishëm që të flas çfarë të do ai. Delawie më së pari nuk e përcakton dhe nuk mund të sillet në Parlamentin e Kosovës, sikur janë sjellë ushtarët e tij në kampin e Guantenamos. Prandaj, Delawie të jetë shumë i kujdesshëm çka fol. Ka thanë se për ata që kanë iniciuar shfuqizimin e Gjykatës do të merren masa. Unë po i them Delawies se t’i nuk mund të marrësh masa asnjëherë, ti e ke të drejtën e diplomatit. Diplomatët te na shkojnë e vijnë për çdo ditë, e kryejnë detyrën prej diplomatit dhe mos t’i kalojë kompetencat e tij”.

Pas kësaj, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka dënuar gjuhën e Nasim Haradinajt dhe ka kërkuar që të gjithë të distancohet nga ajo.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës. Në këtë kohë kur Kosova po ballafaqohet me debat të brendshëm rreth Dhomave të Specializuara, gjuha fyese në këtë debat është e dënueshme për këdo. Deklarimet fyese nuk i bëjnë nderë askujt dhe dëmtojnë proceset tona zhvillimore. Fyerja e shprehur publikisht e Z. Nasim Haradinaj është në kundërshtim të plotë me etikën tonë të diskursit publik dhe normat të cilave iu përkushtohemi si qytetarë të Kosovës. I bëj thirrje të gjithëve që të distancohen dhe të përmbahen nga të shprehurit e një fjalori të tillë ndaj kujtdo qoftë”.
Edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar që Nasim Haradinaj të reflektojë mbi gjuhën që përdori, megjithatë Nasim Haradinaj këmbëngul se nuk do të kërkojë falje.
“SHBA me rolin që ka në Kosovë është shumë më tepër se vetëm partner ndërkombëtar. Nuk dua ta theksoj sa rëndësi strategjike ka SHBA për Kosovën, se është e vetëkuptueshme kjo. Por është gabim të mendosh rolin e SHBA-së ndaras nga roli i ambasadorit. Deklarata e dhënë sot nga një bashkëluftëtar i yni dhe përfaqësues i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së është një fyerje që nuk duhej të ndodhte asnjëherë në Kosovë nga njerëz që i kanë dhënë shumë Kosovës, si Nasimi me familje. Besoj dhe jam i bindur në reflektim nga Nasimi të kësaj çfarë ka ndodhur, ndaj ambasadorit të ShBA-së, një personaliteti të urtë, dinjitoz dhe shumë dashamirës ndaj vendit tonë”.

(Kosova Sot)