Vrapuesja e maratonës vdes nga grip

  • 18 January 2018 - 20:14
Vrapuesja e maratonës vdes nga grip

VETËM 48 ORË PASI U PREK NGA KJO SËMUNDJE

Një vrapuese e maratonës, nënë e tre fëmijëve, vdiq nga gripi vetëm 48 orë pasi u prek nga kjo sëmundje. Katie Oxley Thomas, 40 vjeçe, nga San Jose, Kaliforni, ishte entuziaste e jogës dhe vrapuese. Familjarët e saj tregojnë se gjendja e saj shëndetë- sore ishte përkeqësuar shumë shpejt, kështu që sapo e kishin dërguar në spital, menjëherë e kishin vendosur në Njësinë e Kujdesit Intensiv. Por, për fat të keq, ajo vdiq jo më vonë se 15 orë nga pranimi në spital. 

Me mijëra njerëz kanë kërkuar trajtim në spitalet e Kalifornisë

Prindërit e saj, Adrienne dhe Walt Oxley, thonë se Katie duhej ta kishte marrë një vaksinë të gripit, por si duket kjo nuk i ka bërë punë. Katie është bërë njëra ndër 42 njerëzit e moshës më të re se 65 vjeç, që kanë vdekur në Kaliforni nga gripi, derisa spitalet janë ngarkuar aq shumë me pacientë, sa që tendat gjigante janë duke u ngrehur në parkingjet e spitaleve. Një banor i zonës e përshkruan lagjen e tij si "zonë luftarake". Gjatë javëve të fundit, me mijëra njerëz kanë kërkuar trajtim në spitalet e Kalifornisë. Epidemia e sivjetme e gripit, e cila filloi në tetor dhe që, rëndom, zgjatë deri në maj, ka qenë sidomos shkatërrimtare. Zyrtarët shëndetësorë kanë raportuar më shumë se 40 vdekje të personave më të rinj se 65 vjet në Kaliforni, krahasuar me nëntë vdekje të tilla, vitin e kaluar në këtë kohë. 

Në barnatore ka filluar të ndjehet mungesa e ilaçit "Tamiflu"

Disa spitale, sikur psh "Palomar", janë duke anuluar operacionet e caktuara, meqë stafi iu nevojitet për të trajtuar të prekurit nga gripi, derisa të tjerët vazhdojnë që t'i trajtojnë njerëzit nëpër korridore. Në barnatore ka filluar të ndjehet mungesa e ilaçit "Tamiflu" dhe e ilaçeve të tjera, që përdoren për trajtimin e virusit. Mendohet se shkaktar i kësaj epidemie është virusi H3N2. Zyrtarët shëndetësorë preferojnë vënien e dorës para gojës, gjatë teshtimës apo kollitjes, larjen e shpeshtë të duarve, të shkohet te mjeku menjëherë pas vërejtjes së simptomave të para të gripit dhe, nëse nuk janë për spital, të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, e të mos shkojnë në shkollë, apo punë. 

(Kosova Sot)