Kush është Millan Radojiçiq, që akuzohet nga Rada Trajkoviq për Olliver Ivanoviqin?

  • 18 January 2018 - 21:34
Kush është Millan Radojiçiq, që akuzohet nga Rada Trajkoviq për Olliver Ivanoviqin?

Millan Radojiçiq është akuzuar nga ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkovçiq, si i përfshirë në vrasjen e politikanit Olliver Ivanoviq. Por, kush është ky person?

Ish-deputetja serbe e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviq, ka akuzuar themeluesit e Listës Serbe për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Olliver Ivanoviq, në Mitrovicën e Veriut, të martën. 

Ajo ka përmendur njëfarë Millan Radojiçiq, njëri prej personave që e kontrollon Listën Serbe, si një ndër shefat kryesorë të nëntokës në veri të Kosovës. 

Radojiçiq, ka thënë Trajkoviq, është në kontakt të rregullt me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. Vetë Haradinaj ka folur në fund të vitit të kaluar për raportet e tij me serbin në fjalë.

I kontaktuar nga emisioni "Jeta në Kosovë", pas deklaratave të Trajkoviqit, Radojiçiq i ka hedhur poshtë akuzat si spekulime.

"Më vjen keq që ende pa përfunduar varrimi i të ndjerit Olliver Ivanoviq, individët dhe publiku merren me spekulime, të cilat shkaktojnë dëme të mëdha, para së gjithash popullit serb, qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, si dhe emrit dhe familjes sime", ka thënë ai. 

"Është e qartë që publiku në Kosovë dëshiron që të drejtojë vëmendjen në të pavërteta, që edhe më shumë ta rrezikojë stabilitetin edhe ashtu të brishtë. Absolusisht nuk ka ndonjë motiv e as bazë që kushdo të më vëjë në lidhje me këtë rast", ka deklaruar Radojiçiq.

"Unë punoj shumë mirë me kolegët serbë, për shembull me zëvendëskryeministrin Dalibor Jevtiq, me ministrat Nenad Rikallo, Teodosijeviq, punoj me kryetarin Goran Rakiq, punon edhe me Sllavko Simiqin, punoj edhe me njerëzit nga veriu - Millan Radojiçiqin për shembull, besoj që edhe ai e ka rolin e tij dhe të gjithë...", ka thënë Haradinaj në dhjetorin e 2017's, në një emision në gjuhën serbe të Radiotelevizionit të Kosovës.

I pyetur se kush është ky njeri, Haradinaj është përgjigjur: "Dikush nga veriu të cilin e pyes për të gjitha dhe flas edhe me të".

"S'ka nevojë të jetë vetëm politikan. Secili e kemi ndonjë rol këtu. Unë flas me të gjithë, jam i hapur", ka thënë Haradinaj, kur është pyetur nëse Radojiçiq është politikan.

"Nuk kam lidhje direkte me Beogradin të ndonjë niveli, por të gjithë që jetojnë në Kosovë për mua janë bashkëbisedues dhe bisedoj me ta", ka shtuar kryeministri kosovar.

E, ish-hetuesi i Policisë së Kosovës, Murat Mehmeti, ka folur në folur lidhur me strukturën e organizuar kriminale, që sipas tij funksionon në veriun e Mitrovicës.

Mehmeti ka përmendur edhe Radojiçiqin, që sipas tij ka rrahur dhe kërcënuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës përgjatë viteve para dhe pas Pavarësisë së Kosovës.

“Për popullatën e veriut Milan Radojiçiq, është i njohur si sinonim i nëntokës, i dhunës, i kërcënimeve dhe distribuimit të narkotikëve”, tha Mehmeti.

Ai ka treguar se si AKI ka bërë një bastisje në veri. “Po flas prej burimeve të hapura, që kanë qenë mediatike. Kanë hyrë aktivitete kriminale në Kryqin e Kuq në pjesën veriore, dhe janë ndarë keq. Ka pasur rezistencë. I kanë rrahur pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Janë çarmatosur, u janë marrë armët. Tre vetë i kanë çarmatosur, të paktën”, ka treguar ai.

(Kosova Sot)