Kosova, shtet ku kriminelët nuk përballen me asnjë pasojë për krimet e tyre

  • 19 January 2018 - 07:43
Kosova, shtet ku kriminelët nuk përballen me asnjë pasojë për krimet e tyre

ZVARRITJA E GJATË E SUNDIMIT TË LIGJIT

Ambasadori Delawie: A dëshironi që Kosova të bëhet vend ku sundimi i ligjit nuk aplikohet për ata që kanë pushtet, që kanë fuqi apo miq politikanët e fuqishëm?

"Tashmë e ka të qartë edhe bashkësia ndërkombëtare se mafia kriminale në Kosovë është aq e fuqishme, saqë asnjë BOSS i nivelit të lartë, qoftë nga politika apo mafio-oligarkia, nuk ka shans të arrestohet, e lërë më të gjykohet e të dënohet nga këta prokurorë dhe gjyqtarë të kapur nga krerët e politikës dhe nëntokës kriminale. Ndodh pikërisht kështu, pasi njerëzit që duhet të ndajnë drejtësi ata që do të duhej të luftonin krimin e organizuar dhe korrupsionin, janë bërë pjesë e tyre, respektivisht bashkëjetojnë dhe janë bërë suporti më i madh i BOSS-ave të nivelit të lartë në të dyja nivelet e pushtetit", ka thënë analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot

Duke iu referuar deklaratës së ambasadorit amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili të mërkurën, ndër të tjera, u shpreh se kanë investuar shumë në sistemin e drejtësisë në Kosovë, por ky sistem ende nuk e ka demonstruar e as dëshmuar që është i aftë që të ndajë drejtësi në rastet e profilit të lartë dhe dëshmitarët e palët vazhdojnë që të jenë subjekt i frikësimeve, kërcënimeve dhe dhunës, prandaj ende nevojitet një mekanizëm i jashtëm drejtësie, njohësit e fushës së sundimit të ligjit,analistët vlerësojnë se ky është një tregues shumë serioz për gjendjen alarmante në të cilën është drejtësia jofunksionale e Kosovës, e dështuar në ndjekjen e nivelit të lartë të krimit e korrupsionit."A dëshironi që Kosova të bëhet vend ku sundimi i ligjit nuk aplikohet për ata që kanë pushtet, që kanë fuqi apo miq politikanët e fuqishëm? A dëshironi që Kosova të jetë një vend i tillë, ku kriminelët nuk përballen me asnjë pasojë për krimet e tyre evidente e të pashme e faktueshme?", ka pyetur ambasadori amerikan. Sipas analistëve, diplomati i SHBA-së e tha atë të vërtetë që gazeta 'KOSOVA SOT' po e përsërit për çdo ditë, për vite të tëra, se në Kosovë nuk ka prokurorë dhe as gjyqtarë, të cilët kanë guximin që të ndajnë drejtësi për 'peshqit e mëdhenj' dhe tani edhe bashkësia ndërkombëtare e ka të qartë se mafia kriminale në Kosovë është aq e fuqishme saqë asnjë BOSS i nivelit të lartë, qoftë nga politika apo nga mafio-oligarkia, nuk ka shanse të arrestohet, e lëre më të gjykohet e të dënohet me këta prokurorë dhe gjyqtarë palaço. Prokuroria e Shtetit dhe ajo Speciale, të kontaktuara dhe të pyetura për këtë shqetësim të mikut amerikan, nuk kanë marrë kurajë të përgjigjen, por komente dhe kritikat, në drejtim të sistemit të drejtësisë, në mbështetje të ambasadorit amerikan, kanë ardhur nga njohës të fushës së ligjit dhe analistët politikë.

Image

Fuqizimi i mafisë kosovare

Profesori universitar, Nexhmedin Spahiu, tha për "Kosova Sot" se ambasadori amerikan e ka thënë vetëm një të vërtetë, të cilën për vite të tëra po e ngacmon dhe nuk po e lë në heshtje gazeta "Kosova Sot". "Natyrisht se edhe ambasadori Delawie dhe "Kosova Sot" kanë plotësisht të drejtë. Kosova nuk e ka një traditë të sistemit të drejtësisë e as që ka arritur ndonjëherë ta ndërtojë atë", u shpreh ai."Vërtet që amerikanët kanë dhënë shumë para për ta bërë gjyqësorin e Kosovës, por qasja e tyre ka qenë e gabuar. Amerikanët kanë pasur eksperiencë me transformim të sistemit të drejtësisë, të sistemit komunist në atë demokratik, me ngritjen e një sistemi të drejtësisë të një kombi të ri, por që sistemi politik paraprak, në të cilin ka jetuar ai komunitet që tashmë po lind si komb, të mos ketë qenë komunist. Kosova në këtë drejtim është rast më i komplikuar. Këtu kemi të bëjmë me të dy këto procese në të njëjtën kohë, e që për amerikanët ka qenë një situatë e paprovuar më parë", tha Spahiu për "Kosova Sot". Këtë reagim e sheh tepër me vend edhe analisti Florim Zeqa."Atë që kishte ngritur si shqetësim gazeta 'KOSOVA SOT' çdo ditë për vite të tëra rreth mosfunksionimit të sistemit të drejtësisë vendore, gjegjësisht faktit se në Kosovë nuk ka prokurorë dhe as gjyqtarë të cilët kanë guximin për të ndarë drejtësi për "peshqit e mëdhenj",...të mërkurën e deklaroi edhe ambasadori amerikan Greg Delawie, i cili krahas shqetësimit e shtroi nevojën e një mekanizmi ndërkombëtar për zbardhjen dhe luftimin e krimeve ekonomike në vendin tonë, pasi në Kosovë sundimi i ligjit nuk aplikohet për ata që kanë pushtet, si dhe për ata që kanë lidhje me politikanët e fuqishëm", theksoi ai."Tashmë e ka të qartë edhe bashkësia ndërkombëtare se mafia kriminale në Kosovë është aq e fuqishme, saqë asnjë BOSS i nivelit të lartë, qoftë nga politika apo mafio-oligarkia nuk ka shans të arrestohet, e lërë më të gjykohet e dënohet nga këta prokurorë dhe gjyqtarë të kapur nga krerët e politikës dhe nëntokës kriminale. Ndodh pikërisht kështu, pasi njerëzit që duhet të ndajnë drejtësi, ata që do të duhej të luftonin krimin e organizuar dhe korrupsionin janë bërë pjesë e tyre, respektivisht bashkëjetojnë dhe janë bërë suporti më i madh i BOSS-ave të nivelit të lartë në të dyja nivelet e pushtetit", ka thënë Zeqa për "Kosova Sot".

Image

PRETENI: NË KËTË SISTEM TË DREJTËSISË NUK IA VLEN TË INVESTOHET, POR DUHET RINGRITUR QË NGA E PARA!

Ish-drejtori i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni, thotë se nuk ka shtet të së drejtës dhe qytetari nuk i beson sistemit të drejtësisë."Sistem i katandisur, joprofesional, jo i përkushtuar, frikacak, kalkulant dhe aspak patriotik, janë karakteristikat kryesore të bartësve të institucioneve të drejtësisë. Janë bërë shumë investime edhe materiale edhe profesionale, janë shpenzuar shumë lekë dhe është shpenzuar shumë mund dhe kohë kot së koti, investim i gabuar dhe asnjëherë i arsyetuar. Sistem në të cilin nuk ia vlen të investohet, por të cilin duhet ringritur që nga e para. Nuk duhet të falen këta keqbërës dhe këta hipokritë, të dënohen, t'u konfiskohet pasuria dhe të shkojnë në dreq të mallkuar. Nuk e kemi merituar këtë as ne as brezat që shumë kontribuuan për këtë liri dhe për këtë vend", tha Preteni për "Kosova Sot".

MEHMETI: AMBASADORI DELAWIE IU DREJTON MESAZH TË QARTË HASHIM THAÇIT, RAMUSH HARADINAJT DHE KADRI VESELIT QË MOS TË LOZIN ME SHBA-NË SE DO TA PËSOJNË KEQ

Analisti Faton Mehmeti ka pohuar për "Kosova Sot" se deklarata e ambasadorit e shpjegon më së miri gjendjen kritike në të cilën ndodhet sistemi i drejtësisë në Kosovë."Një sistem i korruptuar nga klasa politike e vendit, e cila për të mbrojtur veten ka blerë gjyqtarët dhe prokurorët. Fatkeqësisht këta të fundit janë pjesë e hallkës së krimit, e cila çdo ditë e më shumë po degradon jetën e qytetarit të vendit dhe sigurisht kjo nuk pëlqehet nga SHBA-ja, e cila është sinonim i drejtësisë dhe ligjit. Andaj, deklarata e ambasadorit Delawie është rrjedhojë e dështimit të sistemit për të cilin vetë SHBA-ja ka dhënë miliona euro, e të cilat duken se kanë shkuar huq", vlerësoi ai. Sipas tij, ambasadori Delawie iu drejton mesazh të qartë Hashim Thaçit, Ramush Haradinajt dhe Kadri Veselit që mos të lozin me SHBA-në se do ta pësojnë keq.

Deklarata e ambasadorit amerikan, Delawie, plotësisht në përputhje me realitetin

Analisti Azem Osmani i tha gazetës se SHBA-ja dhe BE-ja në mënyrë konsistente ua kanë tërhequr vërejtjen organeve të drejtësisë që të merren me rastet e profilit të lartë. "Shtetet mike të Kosovës u kanë lënë deri më tani kohë institucioneve që ta dëshmojnë veten, mirëpo gjendja ka mbetur e tillë, në një krizë të thellë. Qytetarët e Kosovës kanë arritur në kulmin e zhgënjimit, pasi sytë dhe shpresat e tyre kanë qenë në drejtim të institucioneve të drejtë- sisë. Duke u bazuar në këto rrethana ekzistuese, deklarata e ambasadorit amerikan Delawie ka qenë plotësisht në përputhje me realitetin. Qytetarët e Kosovës, por edhe SHBA-të janë të interesuara me çdo çmim që kriminelët si dhe shkelësit e tjerë të ligjit të përballen me drejtësinë dhe të dënohen në mënyrë meritore", u shpreh ai."Vazhdimi i kësaj gjendjeje ku individë dhe grupe të caktuara janë mbi ligjin, Kosovën e lë me sistem të brishtë, ia ngulfat mundësinë e zhvillimit ekonomik, ndikon në uljen e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, pasuron shtresat sunduese, varfëron qytetarin e rëndomtë", tha Osmani. 

Milionat shkuan huq

Njohësi i kësaj fushe, Naim Miftari, pohon se fjalimi i ambasadorit amerikan ka qenë i ashpër, por edhe shumë i drejtë dhe drejtpërdrejtë, mirëpo, sipas tij, si sistemin e drejtësisë po e përjeton fatin e njëjtë, sikurse vetë shteti që është i kapur nga krimi i organizuar, nga politikanë të korruptuar."Pra, nëse reagimi i ambasadorit të nderuar të shtetit mik amerikan ka qenë i sinqertë dhe serioz, ju lutemi ambasador bëni më shumë dhe veproni që t'i detyroni ta bëjnë një VETING serioz në Kosovë, ku do të ndihmonte FBI-ja amerikane në pastrimin e AKI-së, Policisë, hetuesisë, gjyqësisë, prokurorisë dhe të vetë partive politike, ...pastrim nga dora e zgjatur e krimit të organizuar që përmes zyrtarëve dhe politikanëve të korruptuar e të shitur që kanë vrarë ardhmërinë e shtetit tonë dhe ardhmërinë e fëmijëve tanë", tha Miftari për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)