Rusia dhe Serbia synojnë destabilizimin e Kosovës

  • 19 January 2018 - 07:54
Rusia dhe Serbia synojnë destabilizimin e Kosovës

PRAPASKENAT E VRASJES SË OLIVER IVANOVIQIT

Veriu jashtë kontrollit të institucioneve kosovare

"Edhe tash në Kosovë, sikurse që veproi në Mal të Zi, Rusia nuk po zgjedh mënyra që ta destabilizojë Kosovën, sikurse që është edhe atentati i fundit ndaj Oliver Ivanoviqit. Kjo ngase Rusia çdoherë këto tentativa po i arrin nëpërmjet shërbimeve sekrete të Serbisë dhe mendoj se kjo është edhe një tendencë e Rusisë që ta destabilizojë Kosovën", vlerësoi eksperti Nuredin Ibishi për "Kosova Sot"

Vrasja e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, mbetet ende e pazbardhur, por analistët mendojnë se qëllimi i këtij akti kriminal është nxitja e tensioneve në veri të Kosovës. Lidhur me çështjen, gazeta ka dërguar pyetje në adresë të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe atë të AKIsë, por vetëm KFOR-i është përgjigjur. Në përgjigjen me shkrim të zyrtarëve të Zyrës për Informim të KFOR-it në Kosovë, në mes tjerash, thuhet se KFOR-i vazhdon të garantojë një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në tërë Kosovën, sipas dispozitave të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së 1244, për çdo qytetar të të gjitha etnive."KFOR-i mbetet vigjilent, duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me organizatat vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë për këtë çështje", theksohet në përgjigjen e misionit. Ndërsa përfaqësuesi i shoqërisë civile, Arton Demhasaj ('Çohu'), për gazetën "Kosova Sot" tha se nuk duhet të çuditemi fare për veprimet dhe tendencat destabilizuese të situatës në Kosovë nga ana e Serbisë dhe Rusisë që po i bëjnë në veriun e vendit."E tërë e keqja është se fajtore për atë gjendje që po mbretëron në veriun e vendit janë edhe faktori politik shqiptar, një pjesë e të cilit kanë qenë të involvuar në kontrabandë, krim dhe korrupsion, që është bërë atje që nga paslufta e deri më sot. Është për keqardhje që në këto punë të pista kanë qenë të involvuar edhe disa individë shqiptarë që kanë vepruar për përfitime personale", ka thënë Demhasaj.

Image

Tendencat destabilizuese

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Ibishi, njohës i fushës së sigurisë, për gazetën "Kosova Sot" tha se Rusia është e interesuar që të involvohet në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku është edhe Kosova, dhe qëllimi i saj është që me çdo kusht të krijojë destabilitet në rajon, sikurse që ishte në vitin e kaluar, kur Rusia drejtpërdrejt ishte e involvuar në tendencat për grushtshtet në Malin e Zi."Edhe tash në Kosovë, sikurse që veproi në Mal të Zi, Rusia nuk po zgjedh mënyra që ta destabilizojë Kosovën, sikurse që është edhe atentati i fundit në Oliver Ivanoviqin. Kjo ngase Rusia çdoherë këto tentativa po i arrin nëpërmjet shërbimeve sekrete të Serbisë dhe mendoj se kjo është edhe një tendencë e Rusisë që ta destabilizojë Kosovën", vlerësoi ai. Eksperti Ibishi shton se prezenca apo hapja e Qendrës Koordinuese Ruse në Nish dhe Beograd, por edhe vetë ushtrimet ushtarake që kanë qenë në kufirin me Kosovën, dëshmojnë për kërcënime reale të sigurisë në Kosovë."Rusia dhe shërbimet e inteligjencës serbe janë të interesuara që në çdo formë ta destabilizojnë Kosovën dhe ky është një realitet që tashmë po shihet", potencoi ai. Ibishi ka kritikuar heshtjet e deritashme të institucioneve shtetërore të vendit dhe mosreagimin me kohë për veriun e vendit që e lejuan këtë gjendje. "Kthimi i dy pikave kufitare në veri të vendit, asaj në Jarinje dhe Bërnjak, ku gjatë këtij aksioni ka rënë heroikisht pjesëtari i Policisë së Kosovës, dëshmori Enver Zymberi, nuk u kurorëzua edhe me vazhdimësinë e pranisë sonë në veri të Kosovës, sepse atje, në kufirin e veriut, ishin vetëm Policia e Kosovës dhe pjesëtarët e Doganës, por jo edhe shërbimet e tjera të organeve të shtetit të nivelit qendror dhe lokal", ka thënë ai.

Bastioni i fundit rus

Analisti Ali Hertica tha për "Kosova Sot" se Rusia është duke e shfrytëzuar vakumin për të marrë një kontroll në rajon për t'u treguar sërish si fuqi e rikthyer botërore. Sipas tij, Rusia kishte planifikuar një grushtshtet në ishRepublikën Jugosllave në Malin e Zi."Këto projekte ishin të dështuara në planin për Malin e Zi, duke mos harruar edhe involvimin në Maqedoni, që nxiti konfliktin ndëretnik mes maqedonasve dhe shqiptarëve", vlerëson analisti Hertica."Tani dihet botërisht se bastioni i fundit rus në Ballkan është Serbia, andaj Rusia do të përpiqet ta aktivizojë një plan për destabilizim të Kosovës, pikërisht duke e përdorur si kartë veriun e Kosovës, si një pikë strategjike për Ballkanin, për reflektim të dhunës dhe destabilizimit", vijoi më tutje ai."Ultranacionalistët serbë do të presin momentin dhe kohën kur Rusia të kthehet si superfuqi në arenën ndërkombëtare, për planifikimin e rimarrjen e Kosovës në kontroll nga Serbia. Por, Rusia nuk ka ende guxim për të sulmuar, sepse vetë NATO-ja vepron me prezencën e saj ushtarake në Kosovë. Tani Serbia pret një urdhër nga aleati i saj mik, Rusia, dhe do të veprojnë sipas urdhrave të planit Rus për Kosovën dhe në çfarëdo situate Rusia do të intervenojë për ta ndihmuar Serbinë dhe ultranacionalizmin serb", thotë Hertica. "NATO-ja dhe Perëndimi së bashku me SHBA-në dhe aleatët dhe miqtë e Kosovës nuk do të lejojnë Serbinë që të arrijë këtë qëllim, duke u munduar që të krijojë trazira brenda Kosovës", theksoi Hertica. 

Image

Qeveria kosovare e hapur për bashkëpunim me Beogradin

Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme, përmes një komunikate me shkrim, për mediat vendore kanë njoftuar se organet kompetente dhe përgjegjëse për zhvillimin e procedurës penale në Republikën së Kosovës janë duke punuar intensivisht për zbardhjen e rrethanave të aktit të vrasjes së politikanit dhe shtetasit nga Kosova, Oliver Ivanoviq. Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme edhe një herë ritheksojnë se akti i vrasjes së politikanit serb është absolutisht i papranueshëm dhe i patolerueshëm, prandaj akte të tilla meritojnë një përgjigje të menjëhershme. Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës ka pranuar përmes kanaleve zyrtare të komunikimit një kërkesë nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Serbisë, për ndihmë juridike të ndërsjellë për rastin "Ivanoviq", së cilës i është bashkëngjitur kërkesa e Prokurorisë për Krim të Organizuar të Republikës së Serbisë, në bazë të së cilës kërkohet ndihmë juridike nga Republika e Kosovës, sipas procedurave të theksuara në marrëveshjen dypalëshe në fuqi. Kërkesa ekskluzivisht ndërlidhet me mundësinë e ofrimit të kopjes së dëshmive eventuale, të dhënave dhe njoftimeve të tjera, të cilat i posedojnë apo mund t'i posedojnë organet prokuroriale dhe policore të Republikës së Kosovës, përkitazi me këtë rast. Ministria e Drejtësisë është e hapur për bashkëpunim të ndërsjellë juridik dhe mirëpret gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Serbisë për të ofruar ndihmë juridike përmes shkëmbimit të informatave që mund të kontribuojë në zgjidhjen sa më të shpejtë të rastit, njëherësh duke mos cenuar në asnjë rrethanë zhvillimet e procedurës hetimore dhe duke siguruar pacenueshmërinë e juridiksionit të Republikës së Kosovës në zhvillimin e hetimeve për rastin në fjalë. Ministria e Punëve të Brendshme bën të ditur se ka vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat e saj dhe organet e zbatimit të ligjit, me qëllim që procedura hetimore të zhvillohet me efikasitet dhe se hetimet janë duke u zhvilluar në parametra të mirëfilltë.

(Kosova Sot)