Sekserët e KEK-ut nuk i "zbulon" askush

  • 19 January 2018 - 07:57
Sekserët e KEK-ut nuk i

Kryeministri kishte drejtuar akuza publike, por asnjë masë nuk u ndërmor

"Qeveria dhe Prokuroria e dinë shumë mirë se kush janë këta sekserë kriminalë të nëntokës, që e kanë në dorë çdo institucion të Kosovës në çdo nivel, duke e përfshirë edhe KEK-un, ku përmes kësaj ndërmarrje që nga paslufta e deri më sot këto grupe mafiozësh, të lidhura me krerët e shtetit e të politikës, madje kanë përfituar kundërligjshëm miliarda euro, që nga paslufta e deri më sot", theksoi analisti Dardan Grapci për "Kosova Sot" 

Në ditët e fundit të dhjetorit të shkuar, ka qenë vetë kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, që deklaroi publikisht se krizën energjetike në vendin tonë e ka sjellë në këtë gjendje të mjerë interesi i sekserëve të politikës që blejnë dhe shesin rrymë. Por, pas kësaj deklarate të kryeministrit të vendit kanë qenë analistë të ekonomisë dhe shoqëria civile që kanë reaguar se përse Haradinaj ende nuk po i jep emra se për kë e ka fjalën dhe kush janë ata sekserë që me qëllim e lanë vendin pa rezerva qymyri. Analistët pyesin se deri kur do t'u lejohet nga Qeveria si dhe Prokuroria sekserëve kriminalë dhe nëntokës që të vazhdojnë të kenë në dorë çdo institucion të Kosovës, në çdo nivel, përfshirë edhe të gjitha ndërmarrjet publike e deri te KEK-u, përmes së cilës ndërmarrje i kanë bërë e përfituar kundërligjshëm qindra miliona e ndoshta edhe miliarda euro që nga paslufta e deri më sot, duke përfshirë tenderët e dhënë në mënyrë kriminale e deri te shitja dhe blerja kriminale e energjisë elektrike dhe e qymyrit- thëngjillit. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të KEK-ut se çfarë thonë në këtë korporatë rreth akuzave të kryeministrit se janë sekserët dhe ata që vendosën dhe blejnë e shesin rrymën elektrike, zyrtarët e KEK-ut nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Ndërkaq, në një përgjigje të Zyrës për Informim të Qeverisë së Kosovës lidhur me çështjen në fjalë, në mes tjerash, sugjerojnë që për të gjitha këto të flasë Prokuroria.

Akuzat pa masa konkrete, të pavlera

Analisti Luzim Beqiri tha për "Kosova Sot" se deklarimi i kryeministrit të vendit se kriza energjetike e vendit ka ardhur si pasojë e ndërhyrjeve të sekserëve që blejnë e shesin rrymë, nuk ka vlerë përderisa nuk ka ndonjë veprim konkret."Nëse qëndron një gjë e tillë, siç po pretendon kryeministri, atëherë ai duhet të tregojë kush janë dhe të nisin hetimet e Prokurorisë, sepse janë vlera të mëdha që po përfliten lidhur me energjinë elektrike", u shpreh ai. "Mbesin vetëm premtimet nga institucionet e vendit, por në fund po mbesin të zhgënjyer qytetarët dhe mendoj se nuk është praktikë e mirë që t'i maltretosh qytetarët, andaj ka ardhur koha e punës jo e premtimeve dhe mashtrimeve me ndjenja të qytetarëve, të cilëve përveçqë po u ndalet rryma janë edhe të dëmtuar në aspektin financiar", vijoi më tutje Beqiri. "Siç jemi në dijeni, konsumatori kosovar ka paguar edhe energjinë elektrike të shpenzuar nga komuniteti serb. Sipas një analize nga Oda Ekonomike e Kosovës, bizneset kosovare humbin hiç më pak se 300 milionë euro në vit nga mungesa e energjisë elektrike, për këtë edhe energjia elektrike llogaritet si barrierë e të bërit biznes në Kosovë", ka potencuar ai.

Image

Prokuroria t'i hetojë sekserët

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha se kryeministri Ramush Haradinaj e ka thënë të vërteten sa i përket shitblerjes së rrymës që po bëhet përmes sekserëve të politikes. "Por e keqja në tërë këtë mesele është se kryeministri duhet që të fillojë të mendojë edhe për qytetarët e Kosovës, duke deklaruar haptas se kush janë këta sekserë që po e lënë vendin pa rezerva qymyri. Së këndejmi kryeministri ynë ka obligim moral dhe ligjor dhe i njëjti duhet që të tregojë se kush në të vërtetë po përfiton nga krejt ky biznes ilegal i shitblerjes së qymyrit etj.", u shpreh ai."Qeveria dhe Prokuroria e dinë shumë mirë se kush janë këta sekserë kriminalë të nëntokës që e kanë në dorë çdo institucion të Kosovës në çdo nivel, duke e përfshirë edhe KEK-un, ku përmes kësaj ndërmarrje që nga paslufta e deri më sot këto grupe mafiozësh të lidhura me krerët e shtetit e të politikës madje kanë përfituar kundërligjshëm më miliarda euro që nga paslufta e deri më sot", theksoi Grapci. Ndërsa, analisti Florim Rrudhani tha për "Kosova Sot" se deklarata e Haradinaj se e kemi këtë krizë energjetike si pasojë e ndërhyrjeve të sekserëve që blejnë e shesin rrymë nuk vlen përderisa nuk ka ndonjë veprim konkret."Nëse është ashtu siç po thotë Haradinaj, atëherë mendoj se ai po ditka kush janë ata ekspertë dhe i njëjti duhet që të tregojë kush janë ata dhe emrat t'i deponojë në prokurori dhe ajo të nisë hetimet", ka deklaruar ai. "Kryeministri Haradinaj e ka rastin të dëshmohet edhe si lider i fuqishëm në luftën ndaj krimit, mafiozëve dhe sekserëve të ndryshëm që janë duke e shkatërruar ekonominë e Kosovës. Ndaj ai duhet që me emër e mbiemër të tregojë se për kë e ka fjalën dhe kush janë ata sekserë që me qëllim e lanë vendin pa rezerva qymyri", vijoi më tutje Rrudhani.

Image

 

Keqpërdorim dhe keqmenaxhim i madh

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për "Kosova Sot" se është e vërtetë që po mos të kishim ndërhyrje të drejtpërdrejtë të kryeministrit Haradinaj tani do të kishim reduktime të mëdha të rrymës, por edhe importe të mëdha për energji, sepse neglizhenca e qeverive të kaluara dhe sekserëve të ndryshëm që ka përmendur Haradinaj kanë sjellë deri te kjo situatë. "Pas deklaratës së Haradinajt ishte dashur të krijohet një komision hetimor parlamentar rreth problemeve, të cilat vite me radhë janë në Korporatën Energjetike se për këtë korporatë qeveritë e mëhershme kemi dhënë kredi edhe nga buxheti i Kosovës, të cilat kredi nuk është kthyer kurrë", ka theksuar ai. Sipas Nezirajt, pas një analize të një komisioni hetimor është dashur që të ndërhynë edhe Prokuroria e Shtetit të hulumtojë për keqpërdorimet e mëdha që janë bërë dhe po bëhen në këtë korporatë. Ndërsa Selatin Kaçaniku ('Konsumatori') tha për "Kosova Sot" se kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës ligjërisht dhe sipas mandatit do të duhej t'i niste procedurat hetimore për të gjitha dyshimet për paligjshmëritë e bëra. "Është koha e fundit që Qeveria dhe kryeministri të ndalojnë çdo mendësi, logjikë të mbulimit të kostove edhe të keqmenaxhimit e nikoqirllëkut të pamjaftueshëm nga xhepi i qytetarit konsumator, sepse duhet të ndërpritet zhvatja 'legale' e qytetarit konsumator taksapagues e gjenerues kryesor të buxhetit të Republikës së Kosovës", potencoi ai. Sipas tij, këtë skemë kriminale, nga e cila përfitojnë oligarkët, e paguajnë qytetarët e varfëruar të Kosovës.

(Kosova Sot)