Katër të vdekur në Gjermani nga uragani "Friederike"

  • 19 January 2018 - 12:46
Katër të vdekur në Gjermani nga uragani

Për shkak të ndërprerjes së qarkullimit hekurudhor në Gjermani, trenat dhe personeli nuk ndodhen sipas planit në vendet e parashikuara. Këtë e bëri të ditur një zëdhënëse e Hekurudhave Gjermane në një prononcim për radion kombëtare gjermane, Deutschlandfundk.

Ajo tha se për të ndihmuar pasagjerët që kanë mbetur në stacione të caktuara e nuk udhëtojnë dot më tej, në stacionet e mëdha të trenave në Gjermani është shtuar personeli dhe janë vënë në dispozicion trena ku mund të rrinë pasagjerët. Kjo ka ndodhur midis të tjerash në Hamburg, në Lajpcig dhe në Këln. Në stacionin kryesor të trenave në Berlin, disa qindra vetë të enjten në mbrëmje ishin në pritje për të vazhduar udhëtimin. Që prej së enjtes pasdite, për arsye sigurie u ndërpre qarkullimi i trenave të distancave të largëta në të gjithë Gjermaninë.

Pengesa të shumta ka pasur edhe në transportin rrugor. Disa autostrada janë bllokuar, për shkak të pemëve të rrëzuara. "Friederike" është furtuna më e fortë në Gjermani që prej uraganit "Kyrill" të vitit 2007. Furtuna më e fortë që prej njëmbëdhjetë vjetësh në Gjermani mori jetën e disa viktimave. Sipas të dhënave më të fundit, numri i të vdekurve ka arritur katër. Dy prej atyre që humbën jetën qenë punonjës të zjarrfikësve. Vetëm në landin e Rinit Verior-Vestfalisë u plagosën më shumë se 50 vetë.

Me shpejtësi rekord deri në 200 kilometra në orë, uragani "Friederike" goditi Gjermaninë Perëndimore dhe Gjermaninë Qendrore. Veçanërisht rëndë u prekën landet e Rinit Verior-Vestfalisë, Saksonisë së Poshtme dhe Tyringisë.

(Kosova Sot)