Ibishi: Tendenca destabilizuese

  • 19 January 2018 - 14:28
Ibishi: Tendenca destabilizuese

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nuredin Ibishi, njohës i fushës së sigurisë, për gazetën "Kosova Sot" tha se Rusia është e interesuar që të involvohet në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku është edhe Kosova, dhe qëllimi i saj është që me çdo kusht të krijojë destabilitet në rajon, sikurse që ishte në vitin e kaluar, kur Rusia drejtpërdrejt ishte e involvuar në tendencat për grushtshtet në Malin e Zi."Edhe tash në Kosovë, sikurse që veproi në Mal të Zi, Rusia nuk po zgjedh mënyra që ta destabilizojë Kosovën, sikurse që është edhe atentati i fundit në Oliver Ivanoviqin. Kjo ngase Rusia çdoherë këto tentativa po i arrin nëpërmjet shërbimeve sekrete të Serbisë dhe mendoj se kjo është edhe një tendencë e Rusisë që ta destabilizojë Kosovën", vlerësoi ai. Eksperti Ibishi shton se prezenca apo hapja e Qendrës Koordinuese Ruse në Nish dhe Beograd, por edhe vetë ushtrimet ushtarake që kanë qenë në kufirin me Kosovën, dëshmojnë për kërcënime reale të sigurisë në Kosovë."Rusia dhe shërbimet e inteligjencës serbe janë të interesuara që në çdo formë ta destabilizojnë Kosovën dhe ky është një realitet që tashmë po shihet", potencoi ai. Ibishi ka kritikuar heshtjet e deritashme të institucioneve shtetërore të vendit dhe mosreagimin me kohë për veriun e vendit që e lejuan këtë gjendje. "Kthimi i dy pikave kufitare në veri të vendit, asaj në Jarinje dhe Bërnjak, ku gjatë këtij aksioni ka rënë heroikisht pjesëtari i Policisë së Kosovës, dëshmori Enver Zymberi, nuk u kurorëzua edhe me vazhdimësinë e pranisë sonë në veri të Kosovës, sepse atje, në kufirin e veriut, ishin vetëm Policia e Kosovës dhe pjesëtarët e Doganës, por jo edhe shërbimet e tjera të organeve të shtetit të nivelit qendror dhe lokal", ka thënë ai

(Kosova Sot)