Aventura me Specialen rrezikon RAPORTET KOSOVË-SHBA

  • 19 January 2018 - 07:51
Aventura me Specialen rrezikon RAPORTET KOSOVË-SHBA

POROSIA E AMBASADORIT AMERIKAN TË MERRET SERIOZISHT NGA LIDERSHIPI

Kadrijaj: "Nëse dikush ka më së paku të drejtë të mbrojë kauzën e UÇK-së është pikërisht Baton Haxhiu, sepse po ky akuzohet për mospastërti kombëtare"

"Hallakamën kundër Gjykatës Speciale pa dyshim se e bën spiuni i UDB-së, kupto BIAs, me librezë zyrtare, Baton Haxhiu. Kjo shkon në mulli të Serbisë për të thënë pastaj se ne ju kemi thënë se shqiptarët nuk dinë të mbajnë shtet, se ata nuk janë mirënjohës dhe shumë gjëra të tjera, si e kanë zakon tashmë ata. Jo rastësisht Serbia fashiste e ka ndërsyer Baton spiunin, që vajtoi me peshqir për mikun e tij, Ivanoviqin, kundër Gjykatës Speciale, krejt me qëllim për të futur Kosovën kundër Amerikës dhe Bashkimit Evropian" tha analisti Reshat Badallaj për gazetën "Kosova Sot"
Bllokimin e punës së Kuvendit të Kosovës që po ndodh në këtë fillim viti, analistët politikë janë duke e parë si pasojë të vazhdimit, sa publik e për aq edhe tinëzar, të përpjekjeve të pushtetarëve të Kosovës, në bashkëkoordinim me Baton Haxhiun dhe krahun e djathtë të Hashim Thaçit dhe këshilltarin e Kadri Veselit, për ta bllokuar funksionimin e Gjykatës Speciale përmes nismës ligjore të një grupi deputetësh të iniciuar ditë më parë. Analistët vazhdojnë të theksojnë se Kosova po vazhdon të jetë nën ethe për fatin e shtetit dhe mbështetjes ndërkombëtare që mund të humbet, pas 'natës më të rrezikshme për Kosovën" dhe 'thikat pas shpine për ndërkombëtarët", që iu futën më 22 dhjetor, tentativë e cila po duket se nuk ka përfunduar ende, edhe pse dështoi mbajtja e mbledhjes së Kryesisë ditën e mërkurë, në mungesë kuorumi, siç dështoi edhe tentativa e 22 dhjetorit për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, që ishte miratuar dy vjet më parë. Sidoqoftë, analistët konsiderojnë se tani reagimi i ashpër i fundit i ambasadorit amerikan, Greg Delawie, se SHBA-ja është më e brengosur se kurrë për fatin e Kosovës, sesa pushtetarët të cilët po e udhëheqin dhe po e shkatërrojnë shtetin, dëshmon fuqishëm për papërgjegjësinë që ka kjo klasë politike. Sipas analistëve, deklarata e ambasadorit amerikan drejtuar pushtetarëve dhe deputetëve se "deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj përkundër mohimeve të tyre, do t'iu nënshtrohen pasojave tepër specifike dhe të ashpra", ishte vërejtja e fundit dhe tepër serioze. "Kosova ka luftuar më 1999 dhe ne kemi qëndruar pranë jush, kemi qëndruar me viktimat, kemi qëndruar përkrah drejtësisë për Kosovën. Askush nuk do të mundet ndonjëherë t'i rishkruajë librat e historisë për fushatën e krimeve mizore të Republikës Federale të Jugosllavisë, por realiteti është se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës kanë kryer edhe krime të rënda kundër të tjerëve, për çka edhe duhet të japin llogari para drejtësisë", ka thënë ambasadori Delawie.

Image

Pushtetarët vënë në plan të parë interesat personale

Edhe analisti Ragip Guraziu thotë se këtë reagim të fundit të mikut të madh amerikan, krerët e shtetit të Kosovës dhe vetë deputetët iniciues të nismës duhet ta marrin seriozisht dhe të mos ndikojnë në acarimin e mëtejshëm të raporteve me miqtë ndërkombëtarë. "Krerët e shtetit të Kosovës dhe të zgjedhurit në Parlament, deklaratën e ambasadorit amerikan duhet ta fusin thellë në kokë, sepse ai e ka thënë shumë seriozisht se 'Kosova ka luftuar më 1999 dhe ne kemi qëndruar pranë jush, kemi qëndruar me viktimat, kemi qëndruar përkrah drejtësisë për Kosovën'", u shpreh ai. "Nëse lidershipi politik i Kosovës vazhdojnë me politikën e mospërfilljes së këtij mesazhi, atëherë do të bëhet shumë e qartë se pushtetarët e Kosovës, për interesa të tyre personale, po dëshirojnë ta shkatërrojnë të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Ende po vazhdojnë përpjekjet e pushtetarëve të Kosovës, në bashkëkoordinim me kryespiunin e Serbisë, Baton Haxhiun, dhe krahun e djathtë të Hashim Thaçit, dhe jo vetëm dhe këshilltarin e Kadri Veselit, për mbajtjen në funksion të skenarit për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, nga Baton Haxhiu,Hashim Thaçi dhe 3 politikanë", tha Guraziu për "Kosova Sot". Këtë insistim e sheh për shkak të frikës së të fortëve që mund të jenë në listat e ndjekjes. "I paguari tani "multimilioneri "i mafiooligarkëve dhe mafio-politikës, Baton Haxhiu, i cili përmes lidhjeve që ka me UDB-në, me krimin e organizuar dhe me të tjera shërbime sekrete është informuar se Hashim Thaçi definitivisht edhe mund të jetë në listën potenciale të të akuzuarve", ka thënë Guraziu për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Blerim Burjani konsideron se reagimi i fundit i ambasadorit amerikan dëshmon më së miri për situatën dramatike rreth këtij problemi, në të cilin politika po e fut vendin. "Është situatë dramatike rreth Gjykatës Speciale, ka shumë komente të ashpra ndërkombëtare për tentativa serioze për të ndalur apo për të bërë lojë politike në mes bërjes dhe jo të shfuqizimit të ligjit", u shpreh ai. "Këta njerëz ende po e testojnë opinionin ndërkombëtar për temën e Gjykatës Speciale, vetëm LDK-ja nuk është për shfuqizim, derisa partitë e tjerat duken të gjitha së bashku, ato që paraqesin krahun e luftës dhe ndihen të kërcënuara nga kjo Gjykatë", ka thënë Burjani për "Kosova Sot". Ai shton se është një gabim i madh politik rezistenca që po bëhet nga krerët e shtetit karshi ndërkombëtarëve për këtë temë. "Nuk më duket e mençur rezistenca ndaj kësaj Gjykate, tashmë ndaj kësaj vale ndërkombëtar që i prin Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, të cilën ai nuk do ta ndalë asnjëherë, derisa të pushojnë kërcënimet për shfuqizimin e kësaj Gjykate. Situata është kështu dhe po qe se shfuqizohet kjo Gjykatë ,disa njerëz, të cilët do të votojnë për shfuqizim, nuk do të mund të lëvizin jashtë shtetit të Kosovës, do të aplikohen masa sanksionuese ndaj liderëve politikë dhe deputetëve", tha Blerim Burjani. 

BADALLAJ: HALLAKAMËN KUNDËR GJYKATËS SPECIALE PA DYSHIM SE E BËN SPIUNI I UDB-SË, KUPTO BIA-S, ME LIBREZË ZYRTARE, BATON HAXHIU! 

Analisti politik Reshat Badallaj fajin kryesor për nxitjen kundër Speciales ia vë Baton Haxhiut. "Hallakamën kundër Gjykatës Speciale pa dyshim se e bën spiuni i UDB-së, kupto BIA-s, me librezë zyrtare, Baton Haxhiu. Kjo shkon në mulli të Serbisë për të thënë pastaj se ne ju kemi thënë se shqiptarët nuk dinë të mbajnë shtet, se ata nuk janë mirënjohës dhe shumë gjëra të tjera si e kanë zakon tashmë ata. Jo rastësisht Serbia fashiste e ka ndërsyer Baton spiunin, që vajtoi me peshqir për mikun e tij Ivanoviqin, kundër Gjykatës Speciale, krejt me qëllim për të futur Kosovën kundër Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Rusia është me sy e vesh nga Kosova dhe që jep informacione Baton Haxhiu. Natyrisht se Baton spiuni ka shumë të drejtë, sepse ai merr thasët me para për shërbimin që e bën dhe prandaj duhet shpërblyer për punën e tij. Batoni shkon për të futur në grackë edhe babën e tij, Hashimin e Brojës, Kadri Topuzin edhe disa lehaqen të bandave politike, që t´i japin zjarr kundër kësaj Gjykate, kupto kundër Amerikës dhe në të mirë të Serbisë dhe Rusisë që është futur në Ballkan me KGB-në", tha Badallaj për "Kosova Sot". Ai është i sigurt se këto lojëra të këtyre të pista do të dështojnë shumë turpshëm, sepse kjo nuk do të zhbëhet. "Pra, fushata kundër Gjykatës Speciale, kundër UÇK-së, nesër do të vdesë, pra do të dështojë turpshëm, sepse Kosova dhe shqiptarët nuk do të pranojnë këtë përçarje me Amerikën dhe miqtë e tjerë. Kosova mbron interesat e saj dhe të qytetarëve kundër shtetit gjakatar serbian dhe kundër tradhtarëve dhe spiunëve që kanë shitur shpirtin te djalli", tha Reshat Badallaj. Gazetari i ka shkruar edhe Baton Haxhiut, për të marrë mendimin e tij për këto akuza që i bëhen, por ai nuk ka kthyer përgjigje.

KELMENDI: BATON HAXHIU ËSHTË NË SHËRBIM TË UDB-SË DHE TË STRUKTURAVE TË TJERA TË SHTETIT KRIMINEL SERB!

Prof. Muhamet Kelmendi tha për "Kosova Sot" se ka kohë që Baton Haxhiu është në shërbim të UDB-së dhe të strukturave të tjera të shtetit kriminel serb. "Lidhjet me kriminelët serbë të Baton Haxhiut janë të njohura tashmë për publikun e Kosovës. Por, shumë e dëmshme është lidhja e këtij elementi antishqiptar me strukturat e PDK-së dhe të VV-së, që janë të kriminalizuara dhe që tash po kryejnë vepra të rënda kundër shtetit tonë. Në këtë kuadër është veprimtaria e Baton Haxhiut me 'Devolli Company', duke shërbyer dhe duke vepruar me të gjitha mjetet në llogari të shtetit serb", theksoi ai. "Natyrisht se Gjykata Speciale është e dëmshme për Kosovën. Mirëpo, ky grup i udhëhequr nga Hashim Thaçi janë ata që e formuan këtë Gjykatë. Dhe, tash gjoja janë kundër. Kjo, jo pse u dhimbset Kosova dhe UÇK-ja, po pse janë vetë të akuzuar, si Thaçi etj. Po këtë po e shfrytëzon Baton Haxhiu për të krijuar konflikte dhe për të ndërtuar pakënaqësi në Kosovë dhe konflikte të mëdha, kuptohet në drejtim të demaskimit të shtetit dhe të paraqitjes së pasuksesshëm në botë", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Image

 

Pronari i televizionit, në shërbim të UDB-së

Sipas analistit Mustafë Kadrijaj, derisa gjatë luftës edhe mund të ketë ndodhur ndonjë shkelje e ligjeve të luftës, edhe nga pala kosovare, nuk ka ndonjë arsye të rezistohet ndaj kësaj Gjykate, ndonëse është e padrejtë në raport me krimet serbe të kryera ndaj popullatës së pafajshme shqiptare. "Duke marrë parasysh luftën e fundit, Serbia është ajo agresorja dhe është e padrejtë barazimi i luftës së UÇK-së me krundet serbe, por duke marrë parasysh që lufta e UÇK-së ka qenë mbi baza vullnetare, normal që nuk ka pasur mundësi të menaxhohet secili ushtar dhe epror, kanë shfrytëzuar emblemën e UÇK-së për t'i qëruar hesapet ndoshta edhe personale, por edhe politike", u shpreh ai. "Duke e marrë parasysh që çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës është bërë me ndihmën ndërkombëtare dhe miqve tani më të ditur, si SHBA-ja dhe Britani e Madhe, mendoj që lidershipi kosovar ka obligime ndërkombëtare të sillet si shtet demokratik që i përgjigjet çdo kërkese ndërkombëtare, edhe nëse në momente të caktuara nuk është e drejtë. Rasti i Gjykatës Speciale mendoj që do të jetë vetëm pozitiv, sepse do të pastrohet lufta çlirimtare si dhe nuk do të traumatizohet qytetari i Kosovës pafundësisht që disa medie vendore akuzojnë njerëz të luftës për krime politike, pra për eliminim të kundërshtarëve politikë", tha Kadrijaj për "Kosova Sot". Sipas tij, për tentim të shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale është e pakuptimit sjellja e televizionit Klan Kosova dhe pronarit të tij Baton Haxhiu."Nëse dikush ka më së paku të drejtë të mbrojë kauzën e UÇK-së është pikërisht Baton Haxhiu, sepse po ky akuzohet për mospastërti kombëtare, saqë edhe dëshmitarin nga burgu u mundua ta devijojë në deklaratën e tij gjoja si një njeri i ISIS-it, saqë edhe në epitetin që i dha është jo i sinqertë, por edhe jo profesionale, duke e quajtur mjekra e Allahut, që filozofia Islame nuk e njeh këtë term, por ky kishte të vetmin qëllim që të hutojë opinionin", potencoi Kadrijaj për "Kosova Sot". 

Skenari i rrezikshëm, i paramenduar mirë

Të rrezikshme i sheh këto lojëra të orkestruara për shtetin e Kosovës edhe analisti Gani Qarri."Duke pasur parasysh faktin, për pasojat e rënda që mund t'i pësojë vendi nga skenari trishtues për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, përpjekje të cilat, nga pushtetarët më të lartë të vendit jo vetëm se nuk po reshtin, por ende vazhdojnë, ato me të drejtë, po nxisin edhe reagimet e forta të vendeve mike dhe ndërkombëtarëve, e sidomos të ambasadorit amerikan, z. Delawie. Kjo dëshmon se aventura e mbrëmjes së 22 dhjetorit dhe natës më të rrezikshme për Kosovën që nga pas lufta, e pushtetarëve më të lartë të vendit, për t`ua ngulur "thikën pas shpine" SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare, fatkeqësisht ende nuk ka përfunduar", u shpreh ai. "Siç duket, ky skenar i befasishëm dhe përpjekja urgjente e ardhur në mënyrë aq të befasishme, përmes peticionit të organizatës së veteranëve të dalë nga lufta, mbledhjes së atypëratyshme të nënshkrimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dhe parashtrimit i rrufeshëm i kërkesës për ndryshimin e Ligjit mbi Gjykatën Speciale, nuk ishte asgjë tjetër, përveçse një plan i paramenduar mirë dhe projekt i përgatitur me kujdes nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilëve pa fije hezitimi, iu bashkua edhe Ramush Haradinaj, për të shpëtuar lëkurën e tyre", shtoi më tej Qarri për "Kosova Sot". Sipas tij, nga droja e ndoshta edhe informatat e mundshme të rrjedhura nga multispiuni Baton Haxhiu, se pikërisht Thaçi vetë, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj apo të afërmit e tij mund të jenë të akuzuarit e parë të kësaj Gjykate, shtyu ata që me urgjencë të përgatisnin skenarin për shfuqizimin e Ligjit mbi Gjykatën Speciale, "duke treguar me aktin e tyre edhe një herë më tepër, papërgjegjësinë totale, egoizmin e pafund personal dhe tendencën e atyre të treve, se janë të gatshëm që ta vënë veten para interesave të popullit dhe shtetit të Kosovës, qoftë edhe me çmimin e prishjes së miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendeve të QUINT-it, bashkësisë ndërkombëtare dhe izolimin total të vendit, duke i vënë flakën gjithçkaje të arritur deri më tani". 

(Kosova Sot)