U gëzua që humbi peshë, por më pas e kuptoi se vuante nga kanceri

  • 19 January 2018 - 19:50
U gëzua që humbi peshë, por më pas e kuptoi se vuante nga kanceri

NUK E KISHTE IDENË SE SHTATZËNËSIA ISHTE DUKE IA MASKUAR SËMUNDJEN

Carolina kishte menduar se kanceri, sidomos ai i zorrëve, paraqitet vetëm te pleqtë

Një nënë 'sefte', e cila ishte ngazëllyer pasi që kishte parë se kishte filluar të humbte në peshë, mbeti më pas e tmerruar kur pa se humbja e peshës kishte qenë pasojë e kancerit të zorrëve. Për shkak të përhapjes së kancerit, asaj iu desh që t'ia hiqnin vagjinën, zorrën e trashë dhe rektumin. Përkundër asaj se kishte një shtatzënësi normale dhe kishte filluar të shtonte në peshë, në fillim, 42 vjeçja kishte vërejtur se si duart dhe këmbët kishin filluar t'i tëholloheshin, por nuk i kishte kushtuar vëmendje të madhe këtij problemi. 

Stresi i shkaktuar nga ky lajm i keq

Por, humbja në peshë tek ajo vazhdoi edhe pas lindjes së djalit. Ishte vetëm kur i biri mbushi gati një vit, që testet treguan se ajo vuante nga etapa e katërt e kancerit të zorrëve. Ajo tregon se si stresi i shkaktuar nga ky lajm i keq bëri që ajo të ndahej nga i ati i Maxx-it. Para vënies së diagnozës, ajo kishte parë praninë e gjakut në jashtëqitje, por mjeku i kishte thënë se kjo ishte nga shtatzënësia. Përkundër marrjes së preparateve të hekurit, ajo nuk ndihej më mirë, prandaj shkoi te mjeku edhe një herë. Ai i tha Carolines që të shkonte në një spital, për ta bërë incizimin e zorrës së trashë - kolonoskopinë.

Tetë runde të kimioterapisë

Ajo e bëri këtë analizë më 29 nëntor, kur edhe e mori lajmin e tmerrshëm nga mjekët. Caroline thotë se, më parë, kishte menduar se kanceri, sidomos ai i zorrëve, paraqitet vetëm te pleqtë. Në dhjetor të vitit 2015, Caroline iu nënshtrua një operacioni i cili zgjati tri orë. Më pas bëri tetë runde të kimioterapisë. Në fillim u duk sikur filloi të bëhej mirë, por më pas u pa përhapja e kancerit në vagjinë, si dhe në zonën e rektumit. Ajo u desh që të operohej edhe një herë. Por, përkundër të gjithave, mjekët i thanë se asaj i kanë mbetur vetëm edhe disa vjet jetë. Për këtë shkak, Caroline dëshiron që ta ngrejë vetëdijen te të rinjtë, se edhe ata mund të preken nga kjo sëmundje.

(Kosova Sot)