Qarri:Skenari i rrezikshëm, i paramenduar mirë

  • 19 January 2018 - 20:15
Qarri:Skenari i rrezikshëm, i paramenduar mirë

Të rrezikshme i sheh këto lojëra të orkestruara për shtetin e Kosovës edhe analisti Gani Qarri."Duke pasur parasysh faktin, për pasojat e rënda që mund t'i pësojë vendi nga skenari trishtues për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, përpjekje të cilat, nga pushtetarët më të lartë të vendit jo vetëm se nuk po reshtin, por ende vazhdojnë, ato me të drejtë, po nxisin edhe reagimet e forta të vendeve mike dhe ndërkombëtarëve, e sidomos të ambasadorit amerikan, z. Delawie. Kjo dëshmon se aventura e mbrëmjes së 22 dhjetorit dhe natës më të rrezikshme për Kosovën që nga pas lufta, e pushtetarëve më të lartë të vendit, për t`ua ngulur "thikën pas shpine" SHBA-së dhe bashkësisë ndërkombëtare, fatkeqësisht ende nuk ka përfunduar", u shpreh ai. "Siç duket, ky skenar i befasishëm dhe përpjekja urgjente e ardhur në mënyrë aq të befasishme, përmes peticionit të organizatës së veteranëve të dalë nga lufta, mbledhjes së atypëratyshme të nënshkrimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dhe parashtrimit i rrufeshëm i kërkesës për ndryshimin e Ligjit mbi Gjykatën Speciale, nuk ishte asgjë tjetër, përveçse një plan i paramenduar mirë dhe projekt i përgatitur me kujdes nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, të cilëve pa fije hezitimi, iu bashkua edhe Ramush Haradinaj, për të shpëtuar lëkurën e tyre", shtoi më tej Qarri për "Kosova Sot". Sipas tij, nga droja e ndoshta edhe informatat e mundshme të rrjedhura nga multispiuni Baton Haxhiu, se pikërisht Thaçi vetë, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj apo të afërmit e tij mund të jenë të akuzuarit e parë të kësaj Gjykate, shtyu ata që me urgjencë të përgatisnin skenarin për shfuqizimin e Ligjit mbi Gjykatën Speciale, "duke treguar me aktin e tyre edhe një herë më tepër, papërgjegjësinë totale, egoizmin e pafund personal dhe tendencën e atyre të treve, se janë të gatshëm që ta vënë veten para interesave të popullit dhe shtetit të Kosovës, qoftë edhe me çmimin e prishjes së miqësisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendeve të QUINT-it, bashkësisë ndërkombëtare dhe izolimin total të vendit, duke i vënë flakën gjithçkaje të arritur deri më tani".

(Kosova Sot)