Panik në avionin nga Stambolli, pati pasagjerë që u alivanosën

  • 19 January 2018 - 20:36
Panik në avionin nga Stambolli, pati pasagjerë që u alivanosën

Momente paniku kanë kaluar pasagjerët e fluturimit me avion nga Stambolli për në Tiranë, mbrëmjen e djeshme. Avioni i nisur nga aeroporti “Sabiha Gokcen” në orën 21.30 me orën turke, kaloi në disa turbulenca të fuqishme. Situata ka zgjatur më shumë se 15 minuta, çka shkaktoi ankth tek pasagjerët.

Në avion ishin të pranishëm edhe lojtarët e ekipeve të futbollit Flamurtari dhe Partizani. Ata ishin nisur nga Antalia në Stamboll, dhe më tej me fluturimin e mbrëmjes për të mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas në orën 21.20 (kjo pasi Turqia është dy orë para me Shqipërinë).

Në momentin kur stjuardesat kanë qenë duke shërbyer ushqime dhe pije për pasagjerët, avioni është përfshirë nga turbulenca shumë të forta, çka detyroi stjuardesat që të çonin menjëherë karrocat me ushqime pranë kabinës dhe të ofronin ndihmë për udhëtarët, shumica shqiptarë, pasi shumë prej tyre kaluan në panik.

Madje një vajzë u alivanos. Kjo situatë u përballua fillimisht me batuta edhe nga lojtarët e Luftëtarit dhe Partizanit, duke thënë me humor se do ishte mirë të tregonin kodet e kartave bankare dhe rrjeteve sociale, por në momentin kur turbulenca zgjati shumë dhe avioni pësoi edhe një rënie të lirë për disa sekonda, situata u bë më dramatike. Mes ulërimave, lutjeve, e disa pasagjerëve që nisën të hapin telefonat për të folur me të afërmit e tyre, situata u kthye në normalitet. Por ankthi i kaluar u ndje thuajse gjatë gjithë pjesës së mbetur të fluturimit, ku pasagjerët frikësoheshin në çdo luhatje normale që pësonte avioni.
Kur rrotat e avionit prekën tokën, lojtarët kanë bërë një gjest që më tej përfshiu gjithë avionin: Duartrokitje dhe brohoritma “shpëtuuuaaam” ishte momenti kur pasagjerët u lehtësuan dhe falenderuan Zotin që gjithçka kaloi me aq.


(Kosova Sot)