Në Kosovë nuk sundon ligji, dominojnë GRUPET JOFORMALE DHE MAFIOZE

  • 20 January 2018 - 10:07
Në Kosovë nuk sundon ligji, dominojnë GRUPET JOFORMALE DHE MAFIOZE

PASOJAT E SUNDIMIT TË NËNTOKËS DHE OLIGARKËVE

Miftari: Kosova është bërë çerdhe e mafisë!

"Në të gjitha shoqëritë ku nuk sundon ligji, ku nuk ka sundim të shtetit e së drejtës, ku ka anarki, atëherë "të fortët muskulorë" vendosin rend dhe ligj. Kjo është situata në Kosovë, nuk sundon ligji, institucionet gjyqësore të brishta dhe joefikase, kush dominon, dominojnë grupet joformale, grupet e interesit, klanet dhe grupet mafioze. Sikur e kanë bërë një organizim joparimor e i kanë ndarë tregjet, i kanë ndarë interesat, nuk iu përzihen njëri-tjetrit dhe për të gjithë ka mjaft. Tregun e kanë ndarë, para për të gjithë, ligj askund... zgjate Zot për krim dhe kriminelë" deklaroi ishdrejtori i AKK-së, Hasan Preteni, për gazetën "Kosova Sot"

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, si dhe analistët politikë, në cilësinë e monitoruesve të vazhdueshëm të shtyllës kryesore të shtetit të ri të Kosovës, sistemit të drejtësisë, po vazhdojnë të theksojnë se Kosova është bërë një vend ku nëntoka kriminale është "de facto mbi ligjin" dhe vendos për gjithçka dhe ku për shkak të mossundimit të ligjit pandëshkueshmëria është bërë normë. Kjo bindje është krijuar për faktin se politikanët e inkriminuar, kriminelët e lidhur me ata, mafio-oligarkët e bizneseve të pista, shpërdoruesit e tenderëve, nuk i tremben drejtësisë e as ligjit, sepse të tillë i ka bërë drejtësinë dhe shtetin jofunksional kjo klasë politike tërësisht e tej inkriminuar, si në pozitë ashtu edhe në opozitë ! Kur jepet një notë e tillë kaq negative nga analistët e kësaj fushe, ata bazohen në vetë faktin që në institucionet tona akoma vazhdojnë të jepen qindra miliona euro në tenderë, madje edhe në licenca, si rasti i homologimit, i dhënë gati para 10 vjetësh vëllezërve Devolli, licenca për 'Z. MOBILE' për të zhvatur buxhetin dhe qytetarët pa as edhe një investim të vetëm, pastaj lejet ndërtimore e shumëçka tjetër përmes ryshfetit dhe shpëlarjes së parave të krimit, edhe atë përmbi 18 vjet me radhë, ndërkaq që prokuroria qysh prej kohës së UNMIKut, pastaj të EULEX-it e deri te Prokuroria Speciale vendore tani po vazhdojnë të injorojnë dhënien e qindra miliona eurove të parave të tatimpaguesve kosovarë përmes rrugëve të krimit të organizuar! Deri më tani supozohet se asnjë tender i vlerave të mëdha nuk ka pasur shans dhe nuk ka shans t'i jepet cilësdo kompani, po qe se ajo kompani nuk do të japë ryshfet, përqindje apo t`ia lajë fytin, siç e dëshmuan edhe përgjimet -regjistrimet , rasti i klani PRONTO i Adem Grabovcit & Co me Shkëlqim Devollin dhe jo vetëm! Gazeta u ka dërguar pyetje edhe Prokurorisë Themelore, të Shtetit dhe Prokurorisë Speciale, duke i pyetur pse po i mbyllin sytë edhe para dhënies së tenderëve dhjetëra milionësh e deri në 50 milionë euro me tender njëburimor të kundërligjshëm dhe deri kur prokuroria do të injorojë dhe nuk do të ketë guximin të trajtojë dhe të hetojë rastet e nivelit të lartë, edhe atë siç e tha edhe vetë ambasadori amerikan se" ky sistem i drejtësisë ende nuk e ka demonstruar që është i aftë që të ndajë drejtësi në rastet e profilit të lartë dhe njerëzve të lidhur me ta ", por siç është bërë tradicionale heshtja e Prokurorisë për çështje të ngjashme, ajo ka heshtur edhe në këtë rast. Edhe përkundër faktit se gazetari iu ka dërguar pyetje Prokurorisë Speciale si dhe asaj Themelore, si dhe vëllezërve Devolli (Shkëlqim dhe Blerim Devolli), asnjëri prej tyre nuk kanë kthyer përgjigje.

Sundim i "muskujve"

Derisa Prokuroria hesht, analistët i drejtojnë gishtin pikërisht këtij sistemi, Prokurorisë dhe gjykatave. Njohësi i kësaj fushe, Hasan Preteni, thotë se nuk ka asnjë dilemë që në shtetin e Kosovës akoma sundojnë të fortët muskulorë që po vazhdojnë të jenë mbi ligjin."Lirisht mund të them se në të gjitha shoqëritë ku nuk sundon ligji, ku nuk ka sundim të shtetit e së drejtës, ku ka anarki atëherë, "të fortit muskulorë" vendosin rend dhe ligj. Kjo është situata në Kosovë, nuk sundon ligji, institucionet gjyqësore të brishta dhe joefikase, kush dominon, dominojnë grupet joformale, grupet e interesit, klanet dhe grupet mafioze. Sikur e kanë bërë një organizim joparimor e i kanë ndarë tregjet, i kanë ndarë interesat, nuk ju përzihen njëritjetrit dhe për të gjithë ka mjaft", u shpreh ai."Tregun e kanë ndarë, para për të gjithë, ligj askund... zgjate Zot për krim dhe kriminelë. Qytetari i thjeshtë le të vazhdojë të vuajë dhe mbijetojë pa iu referuar pyetjes tuaj konkrete, lirisht mund të them se në të gjitha shoqëritë ku nuk sundon ligji, ku nuk ka sundim të shtetit e së drejtës, ku ka anarki, atëherë "të fortët muskulorë" vendosin rend dhe ligj", tha Preteni për "Kosova Sot".

MIFTARI: TENDERËT MULTIMILIONËSH, SI: PTK, 'Z. MOBILE', AEROPORTI, KEK-U,'TREPÇA', MAGJISTRALET,URAT DHE NDËRTESAT QEVERITARE SHUMËMILIONËSHE JANË KONTRAKTUAR PËR MAFINË!

Një vlerësim dhe gjykim të tillë kritik ka edhe analisti Naim Miftari."Kosova që nga viti 1999 është bërë çerdhe e mafisë, ku 24 orë publikisht flitet për sundimin e ligjit dhe demokracisë, por gjer sot, 2018, as nuk jem shoqëri ku sundon ligji dhe as demokraci e vërtetë, por jemi çerdhe e mafisë, ku politikani dhe zyrtari i lartë shtetëror është bërë bos i mafisë. Fatkeqësisht në vendin tonë ka lëshuar rrënjë të thella edhe mafia ndërkombëtare, e cila së bashku me krimin e organizuar vendor janë mur i pakalueshëm për ligjin dhe drejtësinë. Edhe mos me qenë i korruptuar ky sistem i mafisë të korrupton, pasi të studion mirë gjersa nuk ju gjen një pikë të dobët", u shpreh ai. "Edhe tenderët multimilionësh si PTK, 'Z. Mobile', Aeroporti, KEK-u,'Trepça', magjistralet,urat dhe ndërtesat qeveritare shumëmilionëshe janë kontraktuar për mafinë. Organet e drejtësisë, policisë, prokurorisë, inteligjencës, janë vetëm duar të krimit të organizuar që i ndihmojnë dhe i mbrojnë keqbërësit dhe kriminelët vendas dhe ndërkombëtarë. Kosova jonë e varfër është në një mision të pamundur dhe pa shpresë", tha Miftari për "Kosova Sot",

Republika e mbushur me padrejtësi

Analisti politik Florim Zeqa vlerëson se edhe përkundër prezencës së fuqishme ndërkombëtare në Kosovë, të mekanizmave politikë (BE dhe SHBA) dhe ushtarako-policorë (KFOR dhe EULEX), Kosova e sotme është e mbushur përplot prapaskena dhe padrejtësi. "Edhe përkundër gjithë mekanizmave ndërkombëtar të sundimit të ligjit, që afro 19 vite rresht në vend të drejtësisë sundon vetëm anarkia! Ndodh kështu pasi të fortët e politikës dhe nëntoka kriminale e bëjnë ligjin dhe 'drejtësinë' në Kosovë", theksoi ai. "Do t'u hyja në hak ndonjërit prej politikanëve, prokurorëve apo gjykatësve sikur të përmendja emra të përveçëm, pasi e gjithë skena politike dhe ajo e drejtësisë është bërë përafërsisht e njëjtë. Pavarësisht cili subjekt politikë vjen në pushtet, asnjëri nga politikanët, prokurorët dhe gjykatësit nuk i mbrojnë interesat e qytetarëve. Secili në mënyrën dhe stilin e vet mundohet të shkëputë diçka nga pasuria publike dhe tenderomania e bizneseve të pista për t'u pasuruar në mënyrë të jashtëligjshme brenda një mandati politik ose më pak se kaq!", vijoi më tej Zeqa."Përfundimisht ka ardhur koha që edhe bashkësia ndërkombëtare e instaluar në Kosovë të dëshmojë veten se është e përkushtuar për sundim të ligjit dhe për qasje të barabartë të qytetarëve para drejtësisë, për zhvillim ekonomik dhe mirëqene të popullatës në përgjithësi, në të kundërtën, në një të ardhme të afërt në Kosovë më shumë do të kemi pushtetarë sesa qytetarë", tha Zeqa për 'Kosova Sot'.

Kelmendi: Vetëm Ligji i VETTING-ut mund ta vendosë në binarë funksionimin e Gjykatave dhe të Prokurorisë

Në anën tjetër prof. i së drejtës, Muhamet Kelmendi, nuk i heq madje as një pikë dhe asnjë presje konstatimeve të bashkëbiseduesve të lartcekur dhe nxjerr vlerësimin e tij, sipas të cilit vetëm Ligji i VETTING-ut mund ta vendosë në binar funksionimin e Gjykatave dhe të Prokurorisë së shtetit."Në Kosovë nuk funksionon shteti juridik. Organet që janë kompetente për të luftuar krimin, korrupsionin dhe shumë dukuri tjera, janë vetë të kriminalizuara. Nuk mund të diskutohet për një polici ligjore nëse udhëhiqet nga njerëzit e kapur dhe të dyshimtë, nga ata që kanë të kaluar të dyshimtë dhe si të tillë janë edhe vetë objekt për hetime kriminale. Kështu është edhe gjendja në prokurori. Me prokurorë të shtetit që bartin mbi vete vepra të dënueshme nuk priten veprime për të luftuar krimin. Mjerisht kështu është edhe në gjykatat e Kosovës. Kjo gjendje është krijuar nga UNMIK-u dhe EULEX-i dhe këtë sistem i ka shfrytëzuar mirë politika kriminale dhe ekonomike e mafioze e Kosovës", ka potencuar ai. "Në njërën anë është grupi "Pronto"me Hashim Thaçin në ballë dhe, në anën tjetër, janë mediat, si Surroi, Haxhiu, sikundër edhe kompanitë e ndryshme, që janë bashkuar në veprimtari kriminale në vend. Nuk ka fushë që nuk sundojnë. Dhe, kjo nuk zgjidhet pa veprime të ashpra të shtetit", u shpreh më tutje Kelmendi. Sipas tij, vetëm me një VETTING në përmasa të gjëra mund të vihen bazat e shtetit të fuqishëm dhe të drejtë ligjor.

(Kosova Sot)