Familjet mafioze kontrollojnë miliardat e Kosovës

  • 21 January 2018 - 09:37
Familjet mafioze kontrollojnë miliardat e Kosovës

Ekonomia në duart e matrapazëve dhe sundimtarëve

Gati dy dekada pas luftës, Kosova po ecën me ritëm të dobët në zhvillimin ekonomik, ndërsa ambienti biznesor është më i përkeqësuar se asnjëherë tjetër, për shkak të mossundimit të ligjit dhe korrupsionit që i largon investitorët seriozë. Analistët dhe njohësit e politikave ekonomike në vendin tonë janë të bindur se që nga pas lufta e deri më sot, e gjithë ekonomia e Kosovës është tërësisht e kontrolluar dhe e menaxhuar nga nëntoka kriminale, mafio-oligarkët dhe pushtetarët e nivelit të lartë, si në nivelin qendror edhe në atë komunal. Ata janë të mendimit se tregu dhe konkurrenca e lirë në Kosovë definitivisht janë të vdekur. Po sipas analistëve, i gjithë shteti është futur në grusht të disa familjeve mafio-oligarkike, që zotërojnë gjithçka ekonomikisht dhe janë bërë super të pasura kriminalisht, jo përmes konkurrencës së lirë në ekonomi të tregut të lirë, por në saje të lidhjeve mafioze: pushtet-mafiooligarki, që ka mundësuar që ata të pasurohen jashtëligjshëm, në mënyrë të shpejtë dhe që sot të diktojnë edhe politikën e pushtetarëve të inkriminuar. Analistët janë të mendimit se pa ndërprerjen e plotë të monopoleve kriminale dhe ngjalljen e konkurrencës së lirë në një treg të lirë e të barabartë për të gjithë, kurrë nuk do të mund të kemi një ekonomi të shëndoshë, sundim të ligjit dhe as zhvillim ekonomik dhe as mirëqenie të qytetarëve.

Politikanët, pasanikët më të mëdhenj

Analisti Luzim Beqiri tha për "Kosova Sot" se ekonomia kosovare që nga pas lufta është në duar të disa matrapazëve që për qëllime personale janë në gjendje ta kallin edhe Kosovën, lëre më që ta shkatërrojnë ekonominë e shtetit edhe ashtu të shkatërruar nga pala serbe. "Një vend ku bizneset kryesore janë fajdetë, kazinotë, bastoret, qendrat e masazheve, aty nuk ka ekonomi tregu, aty ka grupe që qëllimin e kanë paranë, pa marrë parasysh ndikimin për rrethin, si ekonomistë në bazë të situatës që shoh në terren ekonomia e Kosovës ka jetëgjatësi vetëm edhe dy ose tre vjet, sepse nuk ka konkurrencë të lirë, nuk ka treg të lirë, ka shumë burokraci, po shumë e kishin dashur këtë Kosovë edhe këta profiterë", u shpreh ai. "Nëse i analizojmë raportet e Agjencisë kundër Korrupsionit mund të kuptosh se në çfarë vendi kriminal jetojmë, sepse i kemi më shumë se 10 politikanë me pasuri marramendëse në një vend me më shumë se 1 milion e 800 mijë banorë", vijoi më tej Beqiri. "Ku ka kështu në bote secili milioner, edhe atë vetëm për 18 vjet, kurse të njëjtët deri dje as nga dy pula pasuri të tyre nuk i kanë pasur e tash të njëjtët deklarojnë pasuri milionëshe", theksoi ai. Sipas Beqirit, në Kosovë ende ka probleme serioze me monopolet.

Ekonomia e centralizuar nuk ka treg të lirë

Analisti Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot" se ekonomia e Kosovës tërësisht është e kontrolluar dhe menaxhuar nga nëntoka kriminale, mafio-oligarkët dhe pushtetarët e nivelit të lartë. "Kjo situatë është si në nivelin qendror, edhe në atë komunal, ku ekonomia e Kosovës është tërësisht e kontrolluar dhe menaxhuar nga nëntoka kriminale, që është në bashkëpunim me mafiooligarkët dhe pushtetarët e nivelit të lartë", deklaroi ai. "Në Kosovë e kemi një treg të vdekur definitivisht dhe një vdekje edhe të konkurrencës së lirë dhe e tëra kjo po ndodh se ekonomia kontrollohet dhe menaxhohet nga nëntoka kriminele e mafio-oligarkëve nga dy pushtetet", ka thënë Guraziu. "Kjo nënkupton se shteti është futur në grusht të disa familjeve mafio-oligarkike, që ata zotërojnë gjithçka ekonomikisht dhe janë bërë super të pasuar kriminalisht ,pra jo përmes konkurrencës së lirë në ekonomi të tregut të lirë , por të gjitha këto ata i kanë arritur në saje të lidhjeve mafioze: pushtet-mafiooligarki, gjë që edhe u ka mundë- suar atyre që të pasurohen jashtëligjshëm, në mënyrë të shpejtë dhe që sot të diktojnë edhe politikën e pushtetarëve të inkriminuar", vlerësoi analisti Ragip Guraziu.

Konkurrenca "vdiq"

Eksperti i Integrimeve Evropiane për Ekonominë, Ardian Nokaj për gazetën "Kosova Sot" tha se tregu dhe konkurrenca e lirë në Kosovë definitivisht janë të vdekur, sepse tanimë dihet se Kosova është e kapur nga krimi ekonomik, njerëz të lidhur me politikën, që kanë arritur dhe po arrijnë që t'i realizojnë synimet e tyre të pasurimit. "E kemi këtë situatë, ngase që nga pas lufta bizneset e lidhura me politikën e politikanët e kishin veç një qëllim, se si të pasurohen për vete dhe si ta falimentojnë ekonomikisht Kosovën", potencoi ai. "Në Kosovën e pasluftës po lulëzon haraçi dhe zhvatja që i largoi biznesmenët seriozë. U ngjallën bizneset e pandershme, të lidhura me krimin, nëntoka kriminale kontrolloi çdo gjë, duke u hapur dyert biznesit të tyre. Krimi bëri të veten, duke frikësuar bizneset serioze e te pambrojtura", u shpreh Nokaj. Ai vlerëson se tenderomania, si dukuri që pasuronte edhe politikanët dhe favorizonte oligarkët e tyre, u shndërrua në kancer të zhvillimit ekonomik. "E njëjta situatë është edhe sot dhe si e tillë ajo e ka tkurrur mundësitë e konkurrimit të ndershëm dhe të tregut të lirë, duke pamundësuar hapjen e vendeve të reja të punës. Kjo po shkakton dëme të mëdha në ekonomi, e cila është kapur në duart e disa individëve të paskrupullt. Ekonomia e Kosovës është në duart e mafisë, sepse ajo kontrollon çdo gjë dhe po i mbyt idetë për biznes të njerëzve të ndershëm", ka theksuar Nokaj.

Mbijetesa ekonomike

Analisti Florim Rudhani për gazetën "Kosova Sot" tha se synimi i vetëm i sundimtarëve aktualë, por edhe i të gjitha garniturave të pushtetarëve tanë të pasluftës, ka qenë dhe mbetet futja nën kontrollin e tyre të ekonomisë, përmes procesit të privatizimit dhe të kompanive fantome e tenderomanisë, duke e kthyer vendin në një shtet importues të çdo gjëje dhe krejt çka eksportojmë janë disa profesionistë që na i merr Perëndimi. Edhe sipas tij, shteti është futur në grusht të disa familjeve mafio-oligarkike, që zotërojnë gjithçka ekonomikisht dhe janë bërë super të pasura kriminalisht. "Shteti me institucionet kompetente duhet të analizojë dhe të gjenden shkaktarët e hajnisë e zhvatjes, që janë bërë sëmundje e pushtetarëve në Kosovë, në mënyrë që të hapen rrugë të reja për vendin e qytetarët tanë", ka theksuar ai. Sipas Rudhanit, duhet që të hapen perspektiva të reja zhvillimore. Ndërsa, njohësi i çështjeve të ekonomisë, Dardan Grapci për gazetën "Kosova Sot" tha se në gjendjen ku jemi, Kosova është në prag të falimentimit ekonomik. "Nëse Qeveria 'Haradinaj' dhe klasa aktuale e politikanëve më të lartë të shtetit nuk fillojnë urgjentisht zbatimin e ligjit, luftimin e monopoleve në ekonomi, krimit të organizuar korrupsionit, arrestimin e mafio-oligarkëve, Kosova brenda një periudhe shumë të shkurtër mund edhe të falimentojë. Ndaj, në mungesë perspektive në Kosovë, rinia e vendit ka synim të ikë jashtë vendit, në mënyrë legale apo ilegale, në BE apo gjetiu", u shpreh ai. Ndërsa, Selatin Kaçaniku ("Konsumatori") tha për "Kosova Sot" se nuk kemi akoma institucione të afta për të qenë gardianë të Kushtetutës dhe kujdestar të denjë të Republikës e të qytetarit konsumator taksapagues. "Për fat të keq, nuk kemi sistem të drejtësisë, i cili me fakte e dëshmi dhe me vendim valid gjyqësor do t'i kualifikonte e dënonte të gjithë ata që e meritojnë si " nëntoka kriminale, mafio-oligarkë" dhe pushtetarë të nivelit të lartë, si në nivelin qendror edhe në atë komunal", u shpreh ai. Sipas tij, tregu i lirë është inekzistent në Kosovë dhe nuk ka konkurrencë të ndershme.

(Kosova Sot)