Nënkryetari i LDK'së thotë se udhëheqja aktuale e ka izoluar Kosovën

  • 21 January 2018 - 12:54
Nënkryetari i LDK'së thotë se udhëheqja aktuale e ka izoluar Kosovën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, gjatë ceremonisë së përvjetorit të 12’të të vdekjes së presidentit historik Ibrahim Rugova, ka thënë se Kosova gjatë këtij viti është më e izoluar ndërkombëtarisht se sa në vitet e 90'ta, kohë kjo kur Rugova vepronte.

“Mënyra se si qeveriset dhe drejtohet sot Kosova nuk është rruga se si na mësonte Rugova. Në përvjetorin e shkuarjes në amshim të presidentit Rugova kemi nevojë më shumë për mësimet e tij”, u shpreh Veliu.

Tutje ai deklaroi se Rugova i la Kosovës trashëgimi aleancat e përjetshme me miqtë ndërkombëtarë. Andaj ai porositi liderët kosovarët që t’i ndjekin mësimet e Rugovës. Veliu u shpreh  se Rugova për dallim nga liderët aktual interesant e shtetit i vendoste para interesave personale.

“Në histori burrështetasit e mëdhenj nuk jetojnë gjatë dhe nuk i shijojnë frutet e punës së tyre. Më e rëndësishme që i la Kosovës trashëgimi janë aleancat e përjetshme me miqtë tanë ndërkombëtarë. Ai nuk merrej me kritika dhe gjera të vogla sepse përqendrimin e kishte në punë të mëdha", ka thënë Velit.

"Në kohën e sotme Kosova ka shumë nevojë që të mësojë nga përvoja politike e Rugovës për dallim nga këta të sotmit që po i vendosin interesat e veta përpara interesave të shtetit”, ka deklaruar nënëkryetari i LDK'së duke shtuar se gjatë jetës së tij, Rugova udhëhoqi me standardet më të larta në politikë.

Veliu, këto deklarata i ka bërë në kohën kur në Kosovë është duke dështuar iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Tutje, nënkryetari i LDK-së, tha se sot Kosova është më e izoluar ndërkombëtarisht sesa në vitet e ‘90-ta kur Rugova vepronte.

(Kosova Sot)