Jeta e veteranit me familje mund të përfundojë nën gërmadha (FOTO)

  • 21 January 2018 - 17:13
Jeta e veteranit me familje mund të përfundojë nën gërmadha  (FOTO)

SHIU KA DËMTUAR RËNDË MURET E STREHËS SË FAMILJES SYLA

Veterani i luftës, Ramadan Syla, tashmë jeton me atë pensionin e luftës prej 170 eurosh dhe bën jetë me familje në një shtëpi të huazuar dhe të braktisur tani e shumë vite. Por, shiu i para dy ditësh që ra në Prizren ka bërë që lagështia t'ia dëmtojë tepër muret e kësaj shtëpie. Shtëpi i thënçin, ngase janë dy dhoma të vogla e një banjë një metër me një metër. Kjo shtëpi ndodhet në rrugën "Luigj Gurakuqi", numër 67, dhe është bërë strehë e familjes së Ramadan Sylës. Ai tregon se tani së fundi ka arritur të marrë statusin e veteranit, edhe pse ishte luftëtar që nga ditët e para. Por, ja që deri më tani ishte i detyruar të jetojë nga ndihma sociale. Tani e ka marrë statusin e veteranit dhe merr pensionin prej 170 eurosh. Por, ato janë tepër pak për shëndetin e tij. 

Me pension i mbulon nevojat vetëm për ilaçe

Syla pohon se e ka të rrënuar shëndetin dhe ka disa gishta të dorës së djathtë të humbur. Pastaj tregon se tashmë e sa vite jeton në këtë shtëpi të braktisur. Ai thotë se tashmë seriozisht i ka dëmtuar muret dhe frikësohet tashmë të flejë qetë me familjen. "Askund tjetër s'mund të jetojë e të banojë", tregon ai. "Jetojmë bashkë me gruan dhe vajzën me këtë pension. Gruan e kam të sëmurë rëndë dhe harxhojmë shumë mjete vetëm për barna. Unë falënderoj humanistët e shumtë, që shpesh na ndihmojnë, se assesi unë s'do të mund t'ia dilja me këtë pension të mbuloj vetëm nevojat për barna, e nuk po flasim për të jetuar. Sepse që nga paslufta unë jam mësuar të jetoj në kushte të vështira, pa strehë mbi kokë, pastaj me barkun më shumë zbrazur se plot, por ja ky paska qenë fati i shkruar për mua", tregon Ramadan Syla.

As rrugët e kurbetit nuk e ndihmuan

Veterani i zbehur shpjegon për gazetën "Kosova Sot" se pas lufte mori edhe udhët e kurbetit. Por, as atje nuk ia bënë vendin dhe e kthyen. Kurse me t'u kthyer tregon se ka pasur një mal krajatash me shëndetin. Shprehet se duke punuar privatisht ka humbur tre gishtat e dorës së djathtë. Ai mezi është shëruar, pasi kishte infektime në gishtërinj. Problemeve të tij sot u janë shtuar edhe muret e dëmtuara të shtëpisë. "Frikësohem se në gjumë mund të na zërë shtëpia dhe të na mbytë të gjithëve. S' kemi as kujt t'i ankohemi. Isha në komunë, por këtë të rinjtë e pushtetit ende si kanë marrë kompetencat për raste të këtilla. Derisa vetë gjendja e asaj shtëpie është bërë rrezik për familjen time", tregon veterani Syla. Ai shpreson se dikush do ta ndihmojë këtë familje që mos ta lërë me këtë ankth jete, sepse kështu mund të vdesin pa i vërejtur askush, madje në gjumë. "Tani e dy net kujdestaroj natën, po të bie edhe një herë shi jam i sigurt se do të rrënohet kjo strehë", tregon ai. Shpresa e kësaj familje veterani është se pas botimin të shkrimit në gazetën "Kosova Sot" do të interesohet dikush t'ua zgjidhë problemin e strehimi.

Image
Image

 

(Kosova Sot)