Për 20 vjet njerëzit do ta kenë kopjen e tyre në formë roboti

  • 21 January 2018 - 17:43
Për 20 vjet njerëzit do ta kenë kopjen e tyre në formë roboti

PUNON SI ZGJATJE DIGJITALE E VETËDIJES SË NJERIUT

Makinat e tilla do të dinë çdo gjë rreth jush, bile edhe do të mendojnë sikurse ju

Pritet që, së shpejti, të bëhen realitet alteregot robotike të njerëzve, që në fakt, do të jenë zgjatje (vazhdime) digjitale të vetëdijes së njeriut. Këtë e thonë zyrtarët e kompanisë "Microsoft", Brad Smith dhe Harry Shum, të cilët janë duke punuar për ta zhvilluar një softuer të përparuar të inteligjencës artificiale, të aftë për ta imituar të menduarit e njeriut. Ata thonë se ky zbulim do të realizohet brenda një periudhe prej 20 vjetësh, por ka edhe të tillë që kanë frikë se, ky zbulim, do ta shënojë fillimin e fundit të racës njerëzore. Ata, për këtë shkak, tërheqin vërejtjen se duhen përdorë kontrolle për t'i parandaluar makinat inteligjente që të mos veprojnë kundër interesave të shoqërisë dhe njerëzve. Presidenti i kompanisë "Microsoft", Brad Smith, si dhe zëvendëspresidenti ekzekutiv i inteligjencës artificiale, Harry Shum, kanë shkruar librin me titull 'The Future Computed', ku paraqesin parashikimet e tyre për të ardhmen e inteligjencës artificiale. Ata besojnë se, derisa inteligjenca artificiale bëhet më e sofistikuar, ajo do të bëhet më e integruar në rutinën tonë të përditshme. Një version i ardhshëm i "Cortana"-s së kësaj kompanie, do të jetë në gjendje që të komunikojë në mënyrë automatike me kalendarin tuaj, derisa ju jeni në gjumë, që t'ju ndihmojë në organizimin e orarit tuaj për ditën e ardhshme. 

Kontrolli ndaj pjesëve të caktuara të jetës sonë

Makinat e tilla do të dinë çdo gjë rreth jush, bile edhe do të mendojnë sikurse ju. Por, sikur që thamë më lart, kjo teknologji mund të përdoret edhe për gjëra shumë më pak fisnike. Duke ua dhuruar makinave kontrollin ndaj pjesëve të caktuara të jetës sonë, edhe atë makinave që mendojnë si ne, rrisim gjasat që kjo fuqi të keqpërdoret. "Microsoft" deklaron se qeveritë dhe akademikët janë më të përshtatshmit për t'i trajtuar këto çështje. Smith shton: "Ju keni njerëz në sektorin e teknologjisë, që janë të përqendruar në mënyrë intensive në çështjet e etikës, në lidhje me inteligjencën artificiale dhe, ekziston një ndërveprim me akademitë dhe universitetet rreth kësaj gjëje, por kjo duhet që të jetë një temë e cila bashkon njerëzit nga e tërë shoqëria. 

Rreziku fundamental

Disa figura të profilit të lartë në botën e shkencës dhe teknologjisë, më parë kanë ngritur shqetësim rreth të së ardhmes së inteligjencës artificiale. Në mesin e tyre është edhe Elon Musk, i cili në një bisedë, të mbajtur në nëntor të vitit 2017, tha se, përpjekjet për ta bërë inteligjencën artificiale të sigurt, kanë gjasa vetëm 5 deri 10% që të arrijnë sukses. Kjo vërejtje erdhi pak kohë pasi që Musk deklaroi se, rregullimi i inteligjencës artificiale është një nevojë e domosdoshme, meqë ajo paraqet një rrezik fundamental për ekzistimin e civilizimit njerëzor. Ky miliarder tha se, vendosja e rregullave në këtë fushë, do t'i mbrojë njerëzit nga kompjuterët, apo "inteligjenca e thellë në rrjete", e cila mund të fillojë luftëra, duke manipuluar me informata. Qeveritë duhet ta kenë një të kuptuar më të mirë të zhvillimit të shpejtë të inteligjencës artificiale, me qëllim të kuptimit të tërësishëm të rreziqeve, tha shefi ekzekutiv i "Space X" dhe "Tesla", në korrik të vitit 2017. 'Pasi të vijë deri te vetëdijesimi, njerëzit do të fillojnë që të frikësohen, gjë që edhe duhet ta bëjnë. Nëse këtë nuk e bëjmë menjëherë, atëherë më pas do të jetë vonë', tha ai. Miliarderi i bëri këto komente gjatë një mbledhjeje me pyetjepërgjigje në Konferencën verore të Shoqatës së guvernatorëve nacionalë në Rod Ajlend. I pyetur për më shumë informata, Musk tha se hapi i parë është që qeveritë të kenë më shumë njohuri rreth inteligjencës artificiale, të cilën ai më parë e kishte krahasuar me "thirrjen e djallit".  

(Kosova Sot)