Mësuesja braktis punën, për të punuar në spital

  • 21 January 2018 - 18:02
Mësuesja braktis punën, për të punuar në spital

NË VENDIN KU U SHËRUA NGA KANCERI

"Zoti më ka sprovuar me këtë sëmundje, me një qëllim të caktuar" 

Një grua e cila mposhti një formë agresive të kancerit, ka vendosur që ta lejë profesionin e saj të mëparshëm, të mësueses, me qëllim që të fillojë të trajnohet për infermiere në spitalin ku edhe gjeti shërimin. Ashley Moore, 30 vjeçe, ishte frymëzuar aq shumë nga trajtimi që ia kishte bërë stafi i atij spitali, sa që vendosi ta shqelmonte karrierën e saj të mësueses. Ajo ishte diagnostikuar me limfomë jo-Hodgkin në nëntor të vitit 2016, vetëm 11 muaj pas lindjes së djalit të saj, Hudson.

Ekipi i jashtëzakonshëm i mjekëve dhe infermierëve

Në trupin e saj mjekët gjetën disa tumore me rritje të shpejtë - ku njëri prej tyre ishte 8 me 11 cm dhe ia kishte mbështjellë aortën. Ata gjetën vatra tumori edhe në mushkëritë e saj. Nëna e dy fëmijëve tani është në remision (e shëruar) pasi që iu nënshtrua një kimioterapie të mundimshme në spitalin "Medical City Plano" në Teksas. Zonja Moore, nga Celina, Teksas, thotë se asaj i kishte ndihmuar ekipi i jashtëzakonshëm i mjekëve dhe infermierëve, të cilët kishin manifestuar një sjellje të shkëlqyeshme ndaj pacientëve dhe ndaj saj, në veçanti, prandaj ajo tani dëshiron që t'i mbështesë pacientët e tjerë, që janë duke përjetuar momente të vështira. 

"Rashë në dashuri me këtë profesion"

Ja si shprehet ajo: 'Ajo që pritej të ishte koha më e keqe në jetën time, në fakt u bë pjesa më e mirë e saj, meqë u frymëzova tej mase nga mbështetja të cilën e mora nga infermierët. Kjo është vështirë të shprehet me fjalë, thjesht, rashë në dashuri me këtë profesion dhe me përkushtimin të cilin e manifestonin ata ndaj meje, edhe jashtë orarit të punës. Më duket sikur Zoti më ka sprovuar me këtë sëmundje, me një qëllim të caktuar". Edhe pse ajo thotë se braktisja e profesionit të mësueses kishte pasur vështirësi të mëdha financiare për të, si dhe për burrin e saj, Danny Moore, ajo nuk i ka ra pishman që e ka bërë një gjë të tillë. 

(Kosova Sot)