Nëntoka kriminale nuk po e lejon Vetting-un në Kosovë

  • 22 January 2018 - 07:57
Nëntoka kriminale nuk po e lejon Vetting-un në Kosovë

POLITIKA DHE SISTEMI I DREJTËSISË DUHET TË PASTROHEN PARALELISHT

Analistët politikë dhe njohësit e fushë së të drejtës konsiderojnë se viti 2018, në të cilin porsa kemi shkelur, do të duhej të ishte një vit i detyrueshëm i spastrimit të politikës dhe drejtësisë kosovare nga strukturat e inkriminuara e tepër kriminale dhe fillimi i shuarjes së rrjeteve kriminale të kapjes së shtetit. Mirëpo, dilemat e tyre shfaqen në faktin se sa vërtet është e pritshme që faktori ndërkombëtar me detyrim t'u kërkojë institucioneve të drejtësisë dhe politikës që në këtë vit që po hyjmë të bëjnë me detyrim edhe Ligjin për Vettingun, si e vetmja mundësi e dekriminalizimit dhe vetë- pastrimit të plotë nga krimi i të gjitha instancave të shtetit të Kosovës, duke filluar nga sistemi i degraduar i drejtë- sisë! Kjo dilemë dhe mosbesim sa vjen e forcohet më shumë, ngase janë partitë politike të inkriminuara me krimin e organizuar, që duket sikur kanë një konsensus për të heshtur anti-VETTING-un dhe prandaj nuk e duan një gjyqësor e prokurori të pavarur, me etikë dhe integritet profesional dhe të pandikuar!

Image

ZEQA: PARTITË POLITIKE JANË ZHYTUR NË KRIM 

Analisti Florim Zeqa është shumë skeptik që edhe këtë vit do të ketë veprime në drejtim të bërjes së Ligjit për Vettingun, derisa është klasa politike e atij formati që nuk ka vullnet të ballafaqohet me një proces të tillë. "Me këtë klasë politike në pushtet, nxjerrja e Ligjit për Vettingun, si e vetmja mundësi e dekriminializimit dhe vetëpastrimit të plotë nga krimi i të gjitha instancave të shtetit të Kosovës, filluar nga sistemi i degraduar i drejtësisë, shëndetësisë, arsimit, etj,...nuk është edhe punë aq e lehtë. Pasi partitë politike të inkriminuara me krimin e organizuar duket sikur kanë një konsensus për të heshtur anti-VETTING-un. Prandaj, nuk u pëlqen dhe nuk e duan një gjyqësor e prokurori të pavarur, me etikë dhe integritet profesional dhe të pa ndikuar nga politika", është shprehur Zeqa për gazetën "Kosova Sot".

 

Osmani: Jemi dëshmitarë se SHBA-ja si pikësynim ka reformimin e sistemit të drejtësisë

Edhe analisti Azem Osmani thotë se viti 2018 është viti i shpresës për qytetarët e Republikës së Kosovës, prandaj fryma e reformave, e sidomos në fushën e drejtësisë që po ndihet në Shqipëri, por dhe në Maqedoni, duhet të bartet edhe në Kosovë."Kjo po nxit ndikime pozitive edhe në Kosovë. Qytetarët kanë filluar po ashtu dukshëm të vetëdijesohen. Zgjedhjet e fundit qendrore dhe lokale kanë dhënë sinjale të qarta se vota qytetare në shumicë nuk ka shkuar tek kandidatët që janë pjesë e rrjeteve klientele, të cilët e kanë sjellë në brishtësi sistemin e funksionimit të shtetit, por te kandidatët, tek të cilët ekziston shpresa e reformimit dhe instalimit të një mendësie të re politike. Jemi dëshmitarë se SHBA-ja si pikësynim ka reformimin e sistemit të drejtësisë. Ashtu si po ndihmon në Shqipëri dhe Maqedoni, të njëjtën gjë po e bën edhe Kosovë. 2018-ta do jetë viti i intensifikimit të përkrahjes së SHBA-së për këto reforma kaq të nevojshme. Reformat pritet të fillojnë me miratimin e Ligjit të Vettingut. Krejt kjo ka për qëllimin dekriminalizimin e institucioneve tona, e sidomos të institucioneve të drejtësisë, si dhe shkëputjen e ndikimit të politikës nga to", është shprehur Osmani për gazetën "Kosova Sot". Ai shton se është një numër simbolik i OJQ-ve që po kontribuojnë në zbulimin e parregullsive nëpër organe të drejtësisë.

KAPITI: KOSOVA, POLITIKA DHE SISTEMI I SAJ JANË DUKE IMITUAR SHQIPËRINË

Analisti politik, Skënder Kapiti, thotë se nuk do të duhej lëshuar shansi që dekriminalizimi të bëhet gjatë këtij viti, që është edhe viti i shënimit të dekadës së parë të pavarësisë së Kosovës. Sidoqoftë, ai thotë se aplikimi i Vettingut në Kosovë do të varet shumë nga rezultati që do të japë i njëjti model tash gjatë zbatimit në Shqipëri."Viti 2018 duhet të jetë viti i Vettingut, viti i triumfit të lirisë dhe të pavarësisë së drejtësisë dhe demokracisë mbi politikën e krimit, korrupsionit dhe të tradhtisë, do të jetë si viti i çmontimit, i ndëshkimit e largimit nga pushteti, nga politika dhe nga drejtësia i sistemit të mafio-oligarkisë dhe i korporatokracisë politiko-juridike të cilat kanë mbërthyer shtetin, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, të shteti dhe shoqërinë", është shprehur Kapiti për gazetën "Kosova Sot". Rezultatet e pastrimit të politikës dhe të drejtësisë në Kosovë, sipas tij, do të varen shumë edhe nga fakti i asaj se çfarë realisht do të realizojë VETTING-u në Shqipëri, pasi shpreson se me fitoren e VETTING-ut në Shqipëri kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në Kosovë. "Kosova, politika dhe sistemi i saj ashtu sikurse ka imituar dhe marrë për model deri më sot të gjithë negativizmat e politikës së Tiranës. Mendoj se me VETTING-un në Shqipëri, ndryshimet që do të sjellë ai, ato do të reflektohen edhe në Kosovë në rast se gjërat në Shqipëri, shteti, ligji dhe demokracia e integrimi do të fillojnë të funksionojnë për së mbari. Pra, një model i mirë politik, juridik dhe institucional dhe i përmirësuar në Shqipëri si pasojë e fillimit të funksionimit të VETTING-ut, ato do të ndikojnë për më mirë edhe në Kosovë", theksoi Kapiti për "Kosova Sot".

Image

MIFTARI: DUHET VETTING SERIOZ, I MBËSHTETUR NGA QEVERIA MIKE AMERIKANE DHE NGA FBI-JA

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, nuk beson që një proces i tillë do të përqafohet nga politika kosovare pa presionin të drejtpërdrejtë amerikan."Vetëm një Vetting serioz, i mbështetur nga qeveria mike amerikane dhe nga FBI-ja, ku do të pastroheshin fillimisht partitë politike, gjykatat dhe organet e sigurisë dhe inteligjencës mund ta kthejnë rendin dhe ligjin dhe mund të kthehet shpresa se do të bëhet më mirë. Në këtë pikë ku jemi, ne sot si Kosovë, pa u pastruar politika dhe drejtësia nga dora e krimit të organizuar, ne nuk kemi shanse ta gëzojmë Kosovën si shtet të drejtë, si qytetar të thjeshtë të Kosovës, të cilët dita-ditës janë duke u shndërruar në skllav modern të shekullit 21", theksoi Naim Miftari për gazetën "Kosova Sot".

Image

 

Spahiu: Mediet, intelektualët, shoqëria civile etj., janë për çdo kritikë që nuk i kërkojnë llogari Këshillit Gjyqësor të Kosovës

"Sistemi i drejtësisë në Kosovë është më i infektuar sesa klasa politike e Kosovës. Pastrimi i tyre duhet të shkojë paralelisht. Ne patëm rastin të dëgjojmë rrëfimin e tmerrshëm të Shkumbin Mehmetit se si kriminel me nam janë liruar të pafajshëm dhe nuk dëgjuam që Këshilli i Gjyqësor apo gjykatës e prokurorë që kanë pasur të bëjnë me rastet të deklarohen fare të thonë të paktën se është gënjeshtër, por futën veshët në lesh. Kjo është e tmerrshme. Për më tepër janë për çdo kritikë mediet, intelektualët, shoqëria civile etj që nuk i kërkojnë llogari Këshillit Gjyqësor të Kosovës", tha Spahiu për "Kosova Sot". "Nuk jam optimist se viti 2018 do të jetë vit i kthesës. Kjo kastë politike nuk i zgjidh problemet, nuk kanë as dëshirë e as vullnet. Kjo garniturë i prolongon gjërat, duke e udhëhequr vendin me vendime të vogla, asnjë veprim që 4 muaj, asnjë vendim strategjik. Vendime të vogla dhe atë 90% joligjore. Po kush t'i atakojë këto vendime!!! Reformën në gjyqësi mund ta bëjë një strukturë tjetër e vullnetshme, pa hipotekën e së kaluarës dhe jo kriminale", theksoi analisti Hasan Preteni.

(Kosova Sot)