Të hapen dosjet dhe të zbardhen spiunët e Serbisë

  • 22 January 2018 - 08:23
Të hapen dosjet dhe të zbardhen spiunët e Serbisë

LIGJI I LUSTRACIONIT ËSHTË I DOMOSDOSHËM PËR T'I HAPUR RRUGË ZBARDHJES SË DOSJEVE

Analistë të politikës janë të bindur se pa e dekriminalizuar politikën nga spiunët e Serbisë dhe matrapazët nuk do të ketë asnjë parti politike të hairit që punon për shtetin dhe qytetarët? Ata vlerësojnë se Ligji i lustracionit po bëhet i domosdoshëm që t'i hapet rruga zbardhjes se dosjeve për secilin politikan, por edhe gazetarë mercenarë që po gënjejnë e manipulojnë opinionin për llogari të armiqve të shtetit të Kosovës. Veç saj, analistët thonë se kjo edhe është arsyeja se përse asnjëra parti në Kuvendin e Kosovës nuk kërkon që të hapen dosjet e ishspiunëve dhe spiunëve të tanishëm të UDB-së e BIA-s serbe në Kosovë? Ndaj, sipas tyre, asnjë parti nuk dëshiron ta hapë këtë temë dhe po hezitojnë për një gjë të tillë pikërisht tash, kur vendi ka nevojë të dijë kush ishin e kush janë ata që e dëmtuan dhe po vazhdojnë ta dëmtojnë edhe sot Republikën e Kosovës, duke e mbajtur Kosovën të lidhur, të varur e të nënshtruar nga Serbia armike, fashiste dhe vrasëse për shqiptarët e Kosovës!? Analistët pyesin se përse nuk po thuhet hapur se kush janë komplotistët në institucione të larta të shtetit, në disa media mercenare dhe në shoqërinë civile etj., që po punojnë si "mercenarë të paguar" fshehtas e pandalshëm me urdhra dhe për interesa të Serbisë armike, duke e mbajtur të lidhur dhe të varur e të ndikuar Kosovën nga Serbia, edhe tani, aktualisht 10 vjet pas pavarësisë!?

KELMENDI: SERBIA NUK DUHET T'I KETË ANGAZHUAR KOT SPIUNËT DHE MARIONETAT

Analisti Ibrahim Kelmendi theksoi për gazetën "Kosova Sot" se Serbia nuk duhet t'i ketë angazhuar kot spiunët e marionetat e të shpenzojë kot, por për të realizuar neokolonializmin, kryesisht ekonomik, të Kosovës, i cili po të analizohen shifrat, do të jetë më fitimprurës për Serbinë sesa kolonializmi klasik deri në qershor 1999. Ata, spiunët dhe marionetat, Serbia duhet t'i ketë plasuar gjithandej, nëpër parti e partiza, deri edhe në krye të institucioneve të Kosovës, dhe tashmë Kosova po ngjan në një arushë cirku që po defilon për Serbinë, respektivisht në kërmë që po ushqen hienat". Ai thotë se matrapazët janë kategori tjetër e devijantëve, që për përfitime personale janë në gjendje të ecin edhe mbi kufoma. Ligji i lustracionit është një emërtim atraktiv, por nuk do të ketë ndonjë ndikim konkret, pos të shuajë kureshtjet kush çka ishte, edhe pse dihen në përmasa të mëdha. Por, mirë është ta kemi edhe atë ligj. Përndryshe, Serbia ka gjetur mjaftueshëm njerëz të brezit pasues, për t'i angazhuar si spiunë e marioneta kuislinge". Sipas Kelmendit, dosjet kryesore duhet të jenë në Beograd dhe goxha problematike është që t'i kthehen Kosovës, të paktën jo të pamanipuluara, sepse Serbia do t'ua nxjerrë edhe atyre përfitimin politik. Ato dosje po i shpërdor Serbia për t'i mbajtur nën kontroll e komandë spiunët dhe marionetat". Ai theksoi se partitë në Kuvend nuk dëshirojnë të hapin këtë tematikë, sepse duhet të jenë të kapura e të shantazhuara nga Serbia. "Diç tjetër nuk i pengon. Ndërsa dosjet për spiunë e marioneta të tanishme nuk janë pronësi e Kosovës, ato i kanë krijuar shërbimet e Serbisë, për të qenë sa më të suksesshëm në operativë të tyre diversioniste në Kosovë". Sipas Kelmendit, emrat e komplotistëve nuk konkretizohen në disa media, sepse ato duhet të jenë pronësi e komplotistëve mercenarë dhe prandaj nuk dekonspirojnë veten e tyre dhe të kolegëve në krye të pushtetit. Ai shtoi se edhe shoqëria civile është e shantazhuar dhe e kontrolluar, sepse ata që i kanë themeluar OJQ-të janë kryesisht parazitë, që duan të rrojnë duke zhvatur donacione të pamerituara. "Kosova, edhe pas 10 viteve të pavarësisë shtetërore, në dukje shtet, fatkeqësisht është tjetërsuar në neokoloni të Serbisë dhe plaçkitësve e shfrytëzuesve të tjerë", është shprehur ai.

Image

Burjani: Të gjithë u shndërruan në përfitues e zhvatës 

Eksperti i fushës së drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, theksoi për "Kosova Sot" se shteti ligjor nuk funksionon, andaj të gjithë janë shndërruar në përfitues dhe zhvatës në të gjitha drejtimet e mundshme, nuk kursehet asgjë, as qytetarët e të gjitha moshave dhe gjinive."Problemi qëndron ngase është instaluar përfitimi në vend të respektimit të të drejtave të njeriut, të të drejtave të fëmijëve. Gjendje skandaloze mbretëron në shëndetësi që dy vjet, nga rasti "Stenta", dhe as nuk ka filluar procesi gjyqësor. Pastaj kemi vendimin e fundit të Komunës së Prishtinës për vizitë mjekësore për të bërë termin, është hapje e rrugës për biznesin privat të shëndetësisë, pra institucionet tjera shëndetësore private", thotë Burjani. Ai vlerëson se ky sistem i rrezikshëm për qytetarët fillon të marrë kahe në të gjitha drejtimet, shumë kanë precizuar se pa heqjen e kësaj klasë politike nga pushteti nuk ka rend dhe ligj dhe respektim të të drejtave kushtetuese të qytetarëve dhe nuk ka as disiplinë sociale, as ekonomike e as shëndetësore. "Kosovën e kanë kapluar anarkia dhe përfitimet, gjithçka janë në gjendje të bëjnë për para, asnjë profesion më në Kosovë nuk është human, prej kryeministrit që rrit pagat për njerëz që sillen vërdallë nëpër rrugë, e zëvendësministra koti dhe këshilltarë politikë që tregojnë se a ka borë në asfalt, a janë rrugët e kalueshme apo jo dhe madje edhe këshilltarë për të treguar se a ka borë në rrugë, gjithçka ka në këtë shtet", është shprehur ai. Edhe sa i përket pastrimit të spiunëve, Burjani thekson se ligjet nuk ndihmojnë, sepse ato nuk zbatohen fare.

Image

Aliu: Kaherë ka qenë dashur të bëhet dekriminalizimi i politikës kosovare 

Analisti Bislim Aliu për gazetën "Kosova Sot" theksoi se kaherë ka qenë dashur të bëhet dekriminalizimi i politikës kosovare dhe lustracioni, sepse pa u bërë një gjë e tillë edhe nuk ka ecje përpara."Por kjo nuk është bërë me qëllim që të mbahet një situatë e tillë në Kosovë, në mënyrë që Kosova mos të ecën përpara. Prandaj, këta politikanët tanë sa të munden do të mundohen ta heshtin këtë dekriminalizim të skenës politike dhe lustracionin, në mënyrë që t'i ruajnë pozitat e veta", është shprehur ai. "Lustracioni apo hapja e dosjeve duhet bërë sa më parë në mënyrë që të shikohet se kush ka qenë atëherë, por edhe tash kush është spiun i Serbisë, sepse këta janë e keqja e këtij vendi dhe e keqja e këtij shteti. Së këndejmi duhet bërë sa më parë lustracionin, për të mësuar se kush janë ata persona bashkëpunëtorë. Këtë duhet ta bëjë edhe Kuvendi ynë sa më parë, sepse edhe në Kuvend ka njerëz të tillë. Prandaj, duhet që më parë të bëhet dekriminalizimi i skenës politikë, se ndryshe nuk mund të ecim përpara", është shprehur ai. Analisti Aliu thotë se kjo është arsyeja se përse asnjë parti politike te ne nuk po dëshiron që ta hapë këtë temë dhe përse po hezitojnë për një gjë të tillë, kur vendi ka nevojë të dijë kush ishin e kush janë ata që e dëmtuan dhe po vazhdojnë ta dëmtojnë edhe sot Republikën e Kosovës, duke e mbajtur Kosovën të lidhur, të varur e të nënshtruar nga Serbia armike për shqiptarët e Kosovës.Ndërsa analisti Ardian Nokaj theksoi për "Kosova Sot" se bashkëpunimi më i madh i pushtetarëve tanë me ata serbë është në veri të Kosovës. "Andaj edhe miratimi i Ligjit për Lustracionin do të ishte zgjidhje e dekriminalizimit të partive tona që janë të filtruara të Shërbimit Sekret serb, por edhe të shërbimeve tona armike të Kosovës dhe që veprojnë në Kosovë . Sepse në Kosovë aktualisht veprojnë më shumë se 30 shërbime të shteteve që nuk janë mike të Kosovës", thotë analisti Nokaj për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)