Të zbardhet kontrata joligjore e homologimit!

  • 22 January 2018 - 08:31
Të zbardhet kontrata joligjore e homologimit!

Pas kontratës për "Kosova e Re", duhet të bëhen publike të gjitha marrëveshjet e tjera

Ekspertë të ekonomisë dhe përfaqë- sues të shoqërisë civile e kanë mirëpritur publikimin e kontratës së ndërtimit të TC-së "Kosova e Re", që e ka bërë javën e kaluar para mediave ministri i MZHE-së, Valdrin Lluka. Por, në të njëjtën kohë ata kanë kërkuar që të bëhen publike edhe kontratat e autostradave, si edhe ajo e homologimit monopolistik antiligjor dhe antikushtetues, dhe të plot marrëveshjeve të tjera që mbahen fshehur nga publiku. Nuk dihet se a do të ketë guximin Qeveria 'Haradinaj' që të publikojë kontratat e autostradave miliardëshe dhe monopolit kriminal pothuajse 10- vjeçar të Devollëve, që nga viti 2008. Siç dihet në këtë rast është fjala për kontratën e homologimit, që i mundë- son një kompanie të vetme ta ofrojë këtë shërbim (kompani, pronë e oligarkëve Devolli, të njohur për lidhjet e tyre të dyshimta me pushtetin e pushtetarët e inkriminuar). Për këtë kontratë që po i fshihet publikut qytetarët janë zhvatur dhe e kanë pësuar për afro 10 vjet, pikërisht nga lejimi i këtij monopoli antiligjor dhe antikushtetues dhe zhvatës? Ndaj analistët e ekonomisë kanë frikën se përmes kontratës së homologimit të automjeteve ka dyshime të mëdha, se kanë qenë oligarkët Devolli ata që ua kanë mbushur gushën për tërë këto vite, pikërisht kjo kontratë, si dhe shumë të tjera për vëllezërit Devolli, pushtetarëve në prapaskenë me milionat e korrupsionit? Me gjithë pyetjet e dërguara në adresën elektronike të ministrit të tashëm të Infrastrukturës, Pal Lekaj, të Ministrisë së Infrastrukturës, por edhe në adresë elektronike të pronarit të kompanisë së homologimit, Shkëlqim Devolli, nuk kemi marrë përgjigje nga asnjëri prej tyre.

Image

Mustafa: Publikimi i kontratave do të duhej të vlente për të gjitha investimet 

Eksperti i ekonomisë dhe profesori universitar, Muhamet Mustafa, ndryshe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës në përbërjen e kaluar, për gazetën "Kosova Sot" theksoi se parimisht duhet të zbardhen të gjitha kontratat që bëhen për interes publik dhe që e përdorin paranë publike dhe që në çfarëdo mënyre i involvojnë taksat e qytetarëve tanë. "Publikimi i kësaj kontrate duhet përshëndetur, por një gjë duhet bërë të qartë, se publikimi i këtyre kontratave nuk do të duhej të ishte vetëm një rregull përjashtues, që është bërë me publikimin e kontratës së TC-së"Kosova e Re", por kjo rregull i publikimit të kontratave do të duhej të vlente për të gjitha investimet që bëhen në Kosovë", është shprehur ai. Ndërsa përfaqësuesi i shoqërisë civile, Isuf Zejna, (Demokracia Plus) theksoi për gazetën "Kosova Sot" se beson se është një gjest i mirë si i tillë publikimi i kontratës, por shton se Ministria e Infrastrukturës duhet të publikojë edhe kontratat e të dy autostradave, pastaj homologimit të automjeteve. "Me ligj ministritë janë të obliguara që mediat dhe të gjithë të tjerët mund të kenë dhe janë të lejuara qasja në dokumentet zyrtare", është shprehur Zejna, duke shtuar se në parim publikimi i këtyre kontratave është në të mirë të opinionit, sepse ajo i largon dyshimet për keqpërdorime eventuale. Sipas njohësit të fushës së prokurimit, Isuf Zejna, pas publikimit të kësaj kontrate ekspertët e fushave përkatëse të ekonomisë dhe energjetikës do të mund të analizojnë se çfarë në të vërtetë përmban kjo kontratë, përkatësisht do të sqarojë të gjitha misteret e kësaj kontrate.

Rrudhani: Kosova është e popullit dhe jo e kësaj klase politike

Analisti Florim Rrudhani theksoi për "Kosova Sot" se pas publikimin të kontratës për TC-në "Kosova e Re" ministritë përkatëse duhet që patjetër të publikojnë edhe kontratat që janë bërë më herët, siç janë dy kontratat e autostradave dhe kontratat e homologimit të veturave, ku pronar janë Devollët, sepse fundja këtë e kanë edhe obligim ligjor që të bëjnë publike."Siç dihet publikisht e kemi një akuzë publike nga ish-ministrja e MTI-së, Hykmete Bajrami, që e ka bërë kohë më parë ndaj zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj, në kohën kur ai ishte ministër i Infrastrukturës, për kontratën e nënshkruar me kompaninë për homologim të veturave. Dhe është një vlerë prej rreth 20 milionë eurosh sa ka përfituar kjo kompani për afro 10 vjet, sa po zgjat kjo kontratë", është shprehur ai. Sipas Rrudhanit, ajo që nevojitet tash të bëhet është edhe çështja se me zbardhjen e kësaj kontrate duhet që të merret edhe Prokuroria e Kosovës."Sa jam në dijeni, deri më sot nuk ka nisur ndonjë hetim rreth kësaj akuze publike që i është bërë Fatmir Limajt për kontratën që ai e pati nënshkruar me kompaninë që është në pronësi të vëllezërve Devolli", tha ai. Ai vlerë- son se publikimi i kësaj kontrate duhet që të bëhet doemos nga Ministria e Infrastrukturës, ngase duhet të dihet se ku po shkojnë taksat e qytetarëve tanë, përkatësisht të mësohet e të dihet publikisht se si dhe ku kanë shkuar ato, por edhe ku kanë shkuar ato taksa, duke dëshmuar kësisoj jo me fjalë, por me dokumente, duke i publikuar këto kontrata", është shprehur Rrudhani. Sipas tij, shumë nga këto kontrata të deritanishme kanë qenë të dyshimta, sepse janë bërë pa asnjë transparencë publike."Së këndejmi duhet që të kemi përgjegjësi si qytetarë që të kërkojmë llogari nga individët, të cilët i kanë menaxhuar institucionet, ku janë të përfshirë në dakordimet e kontratave të kaluara dhe të tanishme dhe në të ardhmen". Rrudhani vlerëson se Kosova është e popullit dhe jo e kësaj klase politike që është e kriminalizuar, e korruptuar dhe në shërbim të interesave të tyre personale, familjare dhe klaneve të tyre, por jo për të mirën e përgjithshme. "Ligji i Vettingut është një emergjencë për ekonominë e Kosovës, të konfiskohet pasuria, jo vetëm e paligjshmja, por edhe pasuria e pajustifikueshme e sekserëve që kanë privatizuar Kosovën", është shprehur ai.

Image

 

Grapci: Qytetarët duhet të dinë se çka po ndodh me kontratat e fshehura

Ekonomisti Dardan Grapci theksoi për gazetën "Kosova Sot" se kontratat duhet të bëhen publike për shkak se publiku dhe qytetarët e Kosovës duhet të dinë se çka po ndodh me kontratat e fshehura, që janë me vite larg syve të opinionit, sikurse që ishin ato të autostradave dhe homologimit të automjeteve."Qeveria 'Haradinaj' ka guxim dhe duhet patjetër që t'i publikojë kontratat miliardëshe dhe të monopolit kriminal të Devollëve andaj kjo qeveri duhet që doemos që të bëjë transparente këto kontrata", është shprehur ai. Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, theksoi për "Kosova Sot" se është për t'u përshëndetur publikimi i kontratës së termocentralit "Kosova e Re" nga ana e Qeverisë 'Haradinaj', sepse jep një shembull dhe duhet të tregojë se si qeveritë tona duhet që të jenë të hapura dhe shumë transparente, sepse janë të zgjedhura nga qytetarët e Republikës së Kosovës. Analisti Ragip Guraziu theksoi për "Kosova Sot" se nuk ka asnjë fije dyshimi se Qeveria 'Haradinaj' duhet që të ketë guximin dhe të publikojë kontratat e autostradave miliardëshe dhe monopolit kriminal pothuajse 10-vjeçar të Devollëve, që nga viti 2008, por edh plot marrëveshje të tjera që mbahen fshehur nga publiku", është shprehur ai. Tutja ka shtuar: "Qeveria 'Haradinaj' duhet të publikojë kontratat me synimin për të njohur lidhjet e tyre të dyshimta me pushtetin dhe pushtetarët e inkriminuar. Kurse publikimi i kontratës do ta bënte transparente atë kontratë, me të cilën do të qartësohej se si qytetarët janë zhvatur dhe e kanë pësuar për afro 10 vjet, pikërisht nga lejimi i këtij monopoli antiligjor dhe antikushtetues dhe zhvatës". Kreu i 'Konsumatorit', Selatin Kaçaniku, është shprehur për "Kosova Sot" se institucionet janë të obliguara të bëjnë transparente kontratat.

(Kosova Sot)