KAPITI: KOSOVA, POLITIKA DHE SISTEMI I SAJ JANË DUKE IMITUAR SHQIPËRINË

  • 22 January 2018 - 15:14
KAPITI: KOSOVA, POLITIKA DHE SISTEMI I SAJ JANË DUKE IMITUAR SHQIPËRINË

Analisti politik, Skënder Kapiti, thotë se nuk do të duhej lëshuar shansi që dekriminalizimi të bëhet gjatë këtij viti, që është edhe viti i shënimit të dekadës së parë të pavarësisë së Kosovës. Sidoqoftë, ai thotë se aplikimi i Vettingut në Kosovë do të varet shumë nga rezultati që do të japë i njëjti model tash gjatë zbatimit në Shqipëri."Viti 2018 duhet të jetë viti i Vettingut, viti i triumfit të lirisë dhe të pavarësisë së drejtësisë dhe demokracisë mbi politikën e krimit, korrupsionit dhe të tradhtisë, do të jetë si viti i çmontimit, i ndëshkimit e largimit nga pushteti, nga politika dhe nga drejtësia i sistemit të mafio-oligarkisë dhe i korporatokracisë politiko-juridike të cilat kanë mbërthyer shtetin, liritë dhe të drejtat e qytetarëve, të shteti dhe shoqërinë", është shprehur Kapiti për gazetën "Kosova Sot". Rezultatet e pastrimit të politikës dhe të drejtësisë në Kosovë, sipas tij, do të varen shumë edhe nga fakti i asaj se çfarë realisht do të realizojë VETTING-u në Shqipëri, pasi shpreson se me fitoren e VETTING-ut në Shqipëri kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në Kosovë. "Kosova, politika dhe sistemi i saj ashtu sikurse ka imituar dhe marrë për model deri më sot të gjithë negativizmat e politikës së Tiranës. Mendoj se me VETTING-un në Shqipëri, ndryshimet që do të sjellë ai, ato do të reflektohen edhe në Kosovë në rast se gjërat në Shqipëri, shteti, ligji dhe demokracia e integrimi do të fillojnë të funksionojnë për së mbari. Pra, një model i mirë politik, juridik dhe institucional dhe i përmirësuar në Shqipëri si pasojë e fillimit të funksionimit të VETTING-ut, ato do të ndikojnë për më mirë edhe në Kosovë", theksoi Kapiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)