Klani "Coca Cola Zero"u pasuruan përmes korrupsionit në Prishtinë

  • 22 January 2018 - 08:10
Klani

PUSHTETI I KOMUNËS SË PRISHTINËS I BËRI MILIONERË DEZERTORËT E DEKLARUAR DHE TË PADEKLARUAR TË VV-SË

Derisa gjatë ditës së djeshme u zhvilluan zgjedhjet për kreun e ri të VV-së, analistët politikë kanë vazhduar të merren me komentimin e dorëheqjeve në VV, e për të cilat kanë vlerësuar se janë jo vetëm të orkestruara, por ndoshta edhe të "urdhëruara" nga nëntoka kriminale, në bashkëpunim e në bashkë-ujdi paraprake me të parin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, në treshe me Dardan Sejdiun, Dardan Molliqajn dhe klikën e tyre. Për më tepër kjo lojë është vlerësuar edhe si një hipokrizi dhe tallje me qytetarin dhe votuesit e mashtruar të VV-së. Sipas analistëve politikë, e gjithë kjo lojë është e përgatitur prej klanit të inkriminuar në kryeqytet dhe jo vetëm "Coca Cola Zero", lojë e luajtur nga prapaskena, prej momentit të parë më 2013, kur Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu e morën udhëheqjen e komunës së Prishtinës, para 4 vitesh, por që tani kjo lojë po bëhet e zbulohet edhe publikisht përmes dorëheqjeve në këtë parti dhe tentimit për të emëruar si kompromis në krye të VV-së të preferuarit e mafio-oligarkëve të inkriminuar, Shpend Ahmetin ose Dardan Sejdiun. Po ashtu vlerësimi i analistëve është se qëllimi i tërë kësaj hipokrizie që po ndodh në VV, që klani "Coca Cola Zero" që shijoi dhe po shijon shëtitjet kriminale dhe përfitoi dhjetëra-milionat nëpër jahtet e mafio-oligarkëve të kriminalizuar, është të lirohen prej kontrollit dhe llogaridhënies dhe paratë që i marrin nga nëntoka kriminale të mos i ndajnë më me "babën" e VV-së, por t'i marrin dhe t'i mbajnë vetëm për veten e tyre! Arsyeja e përçarjes në VV, sipas analistëve, del pasi që Shpend Ahmeti dhe Dardan Sejdiu (nga prapaskena), si dhe Dardan Molliqaj dhe Visar Ymeri si lojtarë në fushë, kishin kapur për tre vjet VV-në dhe tani po dëshirojnë të vazhdojnë të pasurohen edhe më shumë në këtë mandat, në kurriz të qytetarëve, ashtu siç në fakt kanë bërë fshehtas për katër vite qeverisje në Prishtinë. Për vlerësimin e analistëve të pavarur, Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj dhe Visar Ymeri me klikën e tyre, siç i quan miku i tyre i deridjeshëm, Haki Abazi, janë "tezgaxhinj, mashtrues tipikë klasikë, me marrëdhënie tezakësh dhe dallaveraxhinj tepër provincialë"! Edhe përkundër pyetjeve të dërguara nga gazetari,përgjigje nuk kanë kthyer, si zakonisht, Shpend Ahmeti,Dardan Sejdiu,Dardan Molliqaj e as Visar Ymeri. Përgjigje nuk kanë kthyer as vëllezërit Devolli. Ndërkaq, analisti Haki Abazi ka shkruar në 'Facebook': 'Këta dezertorët nuk e kanë pasur hallin e Kosovës dje në TV Dukagjin' e sot në TV 21 unë dëgjova gjepura, tallje me qytetarin, edhe një hipokrizi konsistente me ato letrat strategjike/taktike të dorëheqjeve komike, për të krijuar atmosferë dëshpërimi e që nuk u dhezi. Çka po flet 'body language' është që këta dezertorë janë në fakt fajtorët kryesorë që kanë mbjellë pabesi dhe paranojë tek Albini për të rrëzuar marrëdhëniet me partitë e tjera, për të sabotuar koalicionin e mundshëm LDKVV dhe me qellim të krijimit të pasigurisë tek elektorati. Këtë lojë 'Coca Cola Zero' e ka luajtur nga prapaskena edhe në VLAN edhe para zgjedhjeve nacionale tani. Këta janë duke tentuar të lirohen prej kontrollit dhe llogaridhënies që këta po e quajnë disiplinë ushtarake për të vjedhur dhe pasuruar, që të instalojnë mekanizmat e hajnisë të tipit çfarë kanë përdorur PRONTO dhe tani që ata janë në rënie duhet forcuar një urë lidhëse për kapitalin e jahteve. Këta mendojnë që janë "lojtarë" që të pasurohen në kurriz të qytetarëve, ashtu siç në fakt kanë bërë për katër vite qeverisje në Prishtinë. Mashtrues tipikë klasikë me marrëdhënie tezakësh, dallaveraxhinj provincialë. Po shpresoj që njerëzit/votuesit nuk janë të verbëruar për të mos parë lojën e këtij klani të dytë që asnjëherë nuk ka pasur qëndrim në nivel politikash, por tani përfundimisht po tregojnë që janë 'tezgaxhinj'. Demagogjia është veçori e të paditurve, ndërsa hipokrizia është veçori e dembelëve që flasin në vetën e parë, e këta i kanë të dyja bashkë. Po shpresoj që Kurti e ka kuptuar këtë gjë tanimë", përfundon Haki Abazi.

Image

MEHMETI:TË LARGUARIT NGA VV-JA JANË PAZAREXHINJ! 

Analisti politik Faton Mehmeti beson se të larguarit nga VVja janë njerëz joparimorë, por pazarexhinj, të cilët kanë pasur si qëllim vetëm interesat e tyre personale. "Këta ishin një grup që synonin të merrnin në duart e tyre VV-në, derisa Albini ishte jo kryetar dhe në burg. Duke u munduar t'i ngulnin thikën pas shpine Albinit, grupi i Dardanit nuk zgjodhi formë as mënyrë për të arritur qëllimet. Por, kur këtë s'munden të arrijnë, u larguan, duke rrezikuar të tretën, ashtu siç ndodhi dikur me FER-in. Një pjesë e tyre, duke u inkuadruar në komunën e Prishtinës janë pasuruar, ndërkohë që idealet, në emër të së cilave janë thirrur, ishin vetëm maskë. Lidhjet e krahit të Dardanit me Devollët janë të patolerueshme dhe si të tilla të ndëshkuara, andaj qytetarët me vetëdije edhe do të ndëshkojnë këtë grup. VV-ja duhet të pastrohet nga njerëzit e tillë nëse dëshiron të jetë e para dhe shpresë për qytetarët, ndryshe rrezikon shumë", theksoi analisti Faton Mehmeti për "Kosova Sot". Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj e Visar Ymeri si përherë nuk kanë kthyer përgjigje për çështjet e shtruara në këtë artikull.

Image

SHPEND AHMETI ËSHTË JOSHUR NGA BIZNESET E KORRUPTUARA 

"Përplasja në ndarje. Grupi i Shpend Ahmetit ka vendosur me sa shihet një lidhje të drejtpërdrejtë edhe me ekonominë ose biznesin e inkriminuar. Eshë vështirë që një kryetar komune i kryeqytetit të mos joshet nga firma të mësuara të mbijetojnë me anën e korrupsionit dhe veprimtarisë kriminale financiare. Shpend Ahmeti natyrisht që është joshur nga të tilla biznese. Vendosja e lidhjeve të tilla me biznese që bashkëpunojnë me nëntokën e politikës në Kosovë e bën të dyshimtë idealizmin e grupimit të Visar Ymerit dhe Shpend Ahmetit. Por, kjo nuk do të thotë se Albin Kurti është ndryshe. Jam i bindur se edhe ai në krye të shtetit ose të komunës së Prishtinës do të tundohej nga nëntoka e krimit. Nëse grupimi anti-Kurti mund të krijojë lidhje me krimin e organizuar për shkak të tundimit për pasuri, vetë Albin Kurti do ta bënte këtë për të garantuar përjetësinë në pushtet. Ai e di se revolucioni nuk bëhet me dëshirën subjektive të një individi. Atëherë ai e kushdo si ai llogarisin që pushtetin ta marrin e ta ruajnë përmes parasë", theksoi analisti Enver Bytyçi për "Kosova Sot".

GASHI:SHPEND AHMETI, TALENT I GËNJESHTARIT!

Agim Gashi, asamblist nga LDK-ja në Asamblenë komunale të Prishtinës, beson se krejt trendi i këtyre zhvillimeve në VV është një projekt i orkestruar nga Shpend Ahmeti dhe grupi i tij, për qëllime të ngushta dhe shumë kriminale, në dëm të interesit publik."Po, po pajtohem se deri më tani Shpend Ahmeti dinakërisht ka kapërcyer pengesat e mundshme edhe në VV edhe në rolin e tij si kryetar i Komunës së Prishtinës sepse perfiditeti i tij politik dhe talenti i gënjeshtarit ia kanë mundësuar mosidentifikimin gjatë përplasjeve në këtë parti politike. Po ashtu, atij i është dashur të luajë rolin asnjanës, sepse në rast se do të radhitej me Molliqajn dhe Visarin ai do të humbte përkrahësit e Albin Kurtit në Asamblenë e Prishtinës dhe më nuk do ta kishte shumicën, edhe pse ai ka krijuar një shumicë edhe me katër subjekte të tjera politike. Ky do të provojë të qeverisë Prishtinën, duke pranuar dhe integruar programe çoroditëse, siç është ai i AKR-së, përkatësisht i Selim Pacollit, i cili planifikon zhvendosjen e Qendrës Universitare në periferi të Prishtinës dhe ndërtimin e të ashtuquajturës "Qendër Kulturore Islame".

Image

Klani i Ahmetit do ta përjetojë fatin e FER-it

Mirëpo, tani analistët presin që ky grup plëngprishës, në krye me Visarin, Dardan Molliqajn, Dardan Sejdiun dhe Shpend Jahtin, do ta përjetojë fatin e FER-it, edhe me partinë e re që po e përgatisin, e natyrisht të financuar në tërësi nga të tej inkriminuarit mafio-oligarkët Devolli dhe jo vetëm! Analisti politik Reshat Badallaj thotë se bishtdredhuri Shpend Ahmeti, cubat Dardan Mulliqaj, Dardan Sejdiu, Visar Ymeri dhe kanalet e nëntokës kriminale të bandës mafioze, serbiane Devolli kanë futur pykën e përçarjes në klubin e 'Vetëvendosje', që ka kohë që askush nuk ia gjeti fundin. "Shikoni tani argatin e bandës serbiane 'Devolli', Shpend Jahtin, që pasi fituan kryeqytetin se si tallen me popullin, zgërdhihen, vjedhin, nuk punojnë për qytetarët, shëtisin nëpër jahte dhe me avion privat, nëpër klube të natës, duke u marrë me thashetheme dhe 'Facebook'. Në lojën e pistë që po e luajnë këta cuba në dëm të popullit kjo bandë mafioze ka prapaskenat shumë mirë të organizuara në dëm të popullit dhe për interesa të tyre personale. Ky klub me këtë bandë cubash ka ndërsyer deri në dorëheqje, për të ardhur deri te puçi i këtij klubi, krejt me qëllim që të qëndrojnë në pushtet, por tashmë marrja dhe djallëzitë e tyre dolën në sipërfaqe", theksoi Badallaj për "Kosova Sot". Po ashtu, Badallaj thotë se ky klub cubash, në krye me Shpend Jahtin, Dardan Sejdiun, Dardan Molliqajn e Visar Ymerin dhe disa sejmenë aty rrotull, puthadorë, sahanlëpirës të këtyre cubave, ia kaluan me vjedhje edhe klanit mafiozo-banditesk, që quhet PRONTO, që ishte egjeli i Kosovës.

"Grupi i Visar Ymerit dhe i Shpend Ahmetit kanë përfituar materialisht, por do të jenë humbësit më të mëdhenj materialisht dhe politikisht në të ardhmen, sepse opinioni dhe votuesi nuk do t'ua falin tradhtinë që ua kanë bërë. Mendoj që Lëvizja 'Vetëvendosje' dhe grupi i Visar Ymerit duhet të japin llogari penale dhe morale para atyre familjeve që i kanë humbur më të dashurit e tyre pikërisht në emër të kauzës së 'Vetëvendosjes', sepse sot ka fëmijë që janë pa më të dashurit e tyre, ka nëna që lotojnë për djemtë e tyre të vrarë dhe disa në burgje, gra të veja, të cilave u është shkatërruar jeta po në emër të kësaj kauze që po këta profiterë e shkatërruan brenda nate", theksoi analisti politik Mustafë Kadrijaj për gazetën "Kosova Sot"

Image

Hertica: Ikjet nga VV-ja janë të orkestruara nga nëntoka 

Analisti Ali Hertica po ashtu mendon se ikjet nga VV-ja janë të orkestruara nga nëntoka dhe të dirigjuara prej urdhërdhënësve, që sipas tij janë kundërshtarët e vizionit dhe liderit Kuri, me qëllim që ta rrënojnë strategjinë politike që z. Kurti e ka ndërtuar me qëllim për ta luftuar klikën e hipokritëve që po tallet me qytetarin dhe votuesit e VV-së."Tani e gjithë kjo lojë politike nga të dorëhequrit është një prapaskenë e të inkriminuarve në Komunën e Prishtinës, të udhëhequr nga Shpendi dhe Dardan Sejdiu, të tejinkriminuar, sepse po pasurohen nga mafia-oligarkët ekonomikë dhe tenderomania. Të gjitha këto matrapazllëqe janë të papranueshme nga lideri Kurti, i cili kundërshtimin e tij e ka bërë me kohë publik, kur edhe në Kuvendin e Kosovës i dha goditjen e madhe këtij klani të inkriminuar që është bashkuar dhe janë duke e shkatërruar edhe ekonominë e vendit, duke u marrë me kontrabandën e paligjshme dhe duke e helmuar qytetarin", theksoi analisti Ali Hertica për "Kosova Sot". Prapaskena të ulëta i cilëson këto lëvizje në VV analisti Mustafë Kadrijaj. "Lëvizjet e fundit në 'Vetëvendosje' treguan që disa njerëz që kanë qenë aty me të vërtetë paskan qenë njerëzit më të ulët moralisht, sepse në njërën anë ofendonin çdo ditë qeverinë dhe partitë tjera, në emër të korrupsionit dhe të tradhtisë kombëtare, ndërsa me qeverisjen në Prishtinë u tregua që grupi i Shpend Ahmetit janë zhytur në afera korruptive dhe kjo tregoi më së miri që edhe konflikti në 'Vetëvendosje' doli në pah në mes të idealistëve të 'Vetëvendosjes' dhe të profiterëve tanimë të ditur. Grupi i Shpend Ahmetit dhe i Visar Ymerit u treguan aq të ulët derisa Albin Kurti ishte arrestuar pikërisht për kauzë të Lëvizjes, këta i gëzoheshin arrestimit, duke ofenduar Albin Kurtin dhe duke u munduar me ia marrë timonin e partisë. Pasi që baza e 'Vetëvendosjes' kërkonte Albin Kurtin, këto zgjedhën rrugën B, duke dhënë dorëheqje, por tanimë opinioni i kuptoi qëllimet e tyre materialiste, sepse edhe votat që u ka dhënë elektorati në emër të 'Vetëvendosjes', por mendoj që zgjedhjet e ardhshme do t'u tregojnë vendin, sepse edhe mandatin e dytë në Prishtinë kjo klikë e ka marrë në emër të 'Vetëvendosjes', që për fat të keq do të qeverisë kryeqytetin", theksoi analisti politik Mustafë Kadrijaj për gazetën "Kosova Sot".

Shpend Ahmeti ka talentin e gënjeshtarit

Skenar i orkestruar kriminalisht është kjo fushatë e dorëheqjeve në VV edhe sipas prof. Muhamet Kelmendit. "Çështja e dorëheqjeve është një veprim i planifikuar më herët, që në kohën kur kanë filluar elementët e ndryshëm të vijnë në VV. Në këtë parti janë dërguar nga shumë grupe individë të pikëpamjeve të ndryshme, të cilët kanë pasur për qëllim ndarjen e kësaj partie. Kështu brenda saj u krijuan dy vija shumë kundërthënëse dhe të papajtueshme midis tyre. Kjo bëri dhe u vu në lëvizje dorëheqja nga ana e subjekteve të ndryshme, por duke mbetur anëtarë të VV-së, me qëllim që të mbesin deputetë deri në krijimin e subjektit të ri politik në vend. Natyrisht se në këtë konglomerat kanë ndikuar shumë interesat ekonomike dhe financiare, të cilat janë duke financuar grupet e krijuara brenda VV-së. Kjo ka shpie te ndarja e partisë nëpërmjet dorëheqjeve, të cilat nuk ndalen", theksoi profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, për "Kosova Sot."

"Thërrimet", sado të vogla të jenë, bëjnë përsëri miliona

Analisti Enver Bytyçi theksoi për "Kosova Sot" se në krizat politike, në vendimmarrjet, aksionet dhe zhvillimet politike në përgjithësi, gjithç- ka ndodh sipas një skenari të caktuar. Sidoqoftë ai nuk sheh krah përparimtar në interes të qytetarit, as në krahun e Shpend Ahmetit e as në atë të Albin Kurtit."Asgjë nuk ndodh rastësisht. Edhe në rastin e krizës dhe konfliktin brenda subjektit politik të 'Vetëvendosjes' vepron e njëjta ligjësi. VV-ja nga një parti sektare gradualisht u shndërrua në një parti të hapur dhe për pasojë përfaqësoi interesa më të mëdha sesa interesat e një sekti të caktuar. Në këtë moment kjo parti bëri ndryshimin sasior e cilësor. Nga 10- 14 deputetë në zgjedhjet e fundit shkoi në 30 deputetë. Më shumë se dyfish. Ndërsa tri vite më përpara mori Prishtinën, bastionin e partisë së traditës, LDK-së. Nëse VV-ja do të vazhdonte të qëndronte brenda lëvozhgës së sektit majtist revolucionar me tipare bolshevike, nuk do të kalonte pragun e 7-8 për qind të votave të elektoratit. Por shkoi përtej kësaj. Forcimi i 'Vetëvendosjes' pati dy impakte: Nga njëra anë partitë e tjera në Kosovë u frikësuan se do të humbin primatin politik, nga ana tjetër Albin Kurti u tremb se do të humbasë pushtetin në parti, pushtet i cili i garantonte atij edhe vendin kryesor në qeverisjen e vendit. Të dy këta faktorë janë ndërveprues dhe çuan në shpërbërjen, përçarjen dhe për pasojë dobësimin e Lëvizjes 'Vetëvendosje'", theksoi ai. Analisti Bytyçi shtoi se PDK-ja dhe parti të tjera nxitën "liberalët socialdemokratë" të distancoheshin nga autoritarizmi albinian dhe kështu u bë."Nëse analizojmë të dy grupimet që janë shfaqur tashmë dhe shkojnë drejt ndarjes përfundimtare, atëherë duhet të dallojmë edhe ndryshimet midis tyre. Grupi radikalo-anarkisto-bolshevik i Albin Kurtit, i frymëzuar nga baballarë të tjerë jashtë partisë, shfaqet si grupim "idealist", "i pastër", madje që do të qeverisë "me duar të pastra". Por, nuk duhet besuar se radikalët e majtë të këtij tipi nuk shtyhen në krime për ta mbajtur me dhunë pushtetin, nëse ata e marrin atë. Historia e qeverisjes së këtyre grupimeve sektare dëshmon se ata vijnë me dhunë dhe mbahen po me dhunë në pushtet. Nuk bën përjashtim sekti i bolshevikëve në VV. Grupimi tjetër, i përfaqësuar nga Shpend Ahmeti e të tjerë, me sa kuptoj, i kanë shijuar favoret që u jep ushtrimi i pushtetit. Duke ushtruar këtë pushtet bashkë me financat dhe milionat përmes tenderëve dhe investimeve tjera, ata kanë mbledhur "thërrimet", që sado të vogla të jenë, bëjnë përsëri miliona. Grupimi i Kurtit është bërë xheloz mesa duket për këtë çfarë bëhet me grupimin e Shpend Ahmetit. Për pasojë përplasja është e paevitueshme dhe e pashmangshme", është shprehur ai. Analisti Gani Qarri thekson për "Kosova Sot" se për të gjitha sa ndodhin tash e sa kohë në VV fajtori kryesor është vetë themeluesi i saj."Është pikërisht Albin Kurti ai që e ktheu 'Vetëvendosjen' në një organizatë të konflikteve, kontradiktave dhe fabrikë të prodhimeve kontroverse, njeriu që u printe aksioneve drejtuar kundër interesave të shtetit, ligjeve të vendit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Kurti është ai që pretendon, tanimë pa asnjë kundërkandidat përfundimisht të vërtetohet si 'baba' i 'Vetëvendosjes', personi i cili pa asnjë fije turpi anashkaloi interesat e proklamuara kombëtare, dhe zëvendësoi ato me propagandë ekstremiste islamike, duke ndërsyer partinë e vet për përzierje edhe në zgjedhjet gjermane", është shprehur ai.

(Kosova Sot)