Dënohen me burg dhe me gjobë tre ish-zyrtarët të një banke private në Kosovë
Gjykata Themelore në Prishtinë, të hënën, ka shpallur aktgjykim dënues për tre ish-zyrtarë të bankës “NLB”, Burim Ademaj, Ilir Kryeziu, Besnik Deliaj, të akuzuar për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin.
Kurse, për ish-zyrtarin tjetër Maliq Behluli, është shpallur aktgjykim lirues, ndërsa për ish-zyrtaren Miradije Morina, gjykata ka shpallur aktgjykim refuzues.
Gjykata ndaj Burim Ademaj, ka shqiptuar dënim unik prej 3 vitesh e 6 muajsh, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 17 maj 2011 deri më 26 mars të vitit 2013, dënim i cili bëhet i plotfuqishëm pas 15 ditësh.
Për veprën penale “mashtrim”, Ademaj u dënua me 2 vite burgim me kusht dhe gjobë prej 8 mijë euro, kurse për veprën penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrë” u dënua me 1 vit burgim e 5 mijë euro gjobë.
Ndërsa, për veprën e tretë penale që i vihej në barrë “shpërdorim i detyrës zyrtare”, u dënua me 1 vit burgim dhe gjobë në vlerë prej 3.000 euro.
Në dënimin unik i është shqiptuar edhe dënimi me gjobë prej vlerave të caktuara si më lartë, të cilin do ta paguaj me 6 këste, duke filluar pagesën e këstit të parë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Ilir Kryeziut iu shqiptua dënim unik prej 3 vitesh burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 17 maj 2011 deri më 26 mars 2013 si dhe dënimi me gjobë prej vlerës 7 mijë euro.
Dënimin me gjobë do ta paguaj përmes 5 kësteve, duke filluar pagesën e këstit të parë, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Për kryerjen e veprës penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” në bashkëkryerje me Burim Ademaj, Kryeziu u dënua me 1 vit burgim.
Për bashkëkryerjen në vazhdimësi të veprës penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare” së bashku me Burim Ademaj, Ilir Kryeziu u dënua me 1 vit burgim.
Edhe 1 vit burgim, të njëjtit iu shqiptua për kryerjen e veprës penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
Besnik Deliaj, u dënua me burgim unik prej 2 vitesh ku do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 18 maji i vitit 2012 deri më 21 mars të vitit 2013.
Për kryerjen e veprës penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, Deliaj u dënua me 1 vit e 4 muaj burgim, kurse për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare” u dënua me 1 vit burgim.
Gjykata ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Maliq Behlulit që ishte i akuzuar për kryerjen e veprës penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”.
Këtë aktgjykim, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli, tha se e ka marr pasi nuk është vërtetuar kryerja e veprës penale.
Kurse, në seancën e 18 janarit, në fjalën e tij përfundimtare, prokurori i shtetit Feti Tunuzliu ishte tërhequr nga ndjekja penale kundër Miradije Morinës, me arsyetimin se në rastin e saj, në asnjë rrethanë nuk është vërtetuar se e akuzuara ka dashur apo dëshiruar kryerjen e veprës penale për të cilën akuzohet.
Prandaj, ndaj Morinës është shpallur aktgjykim refuzues.
Tanimë të dënuarit Burim Ademaj dhe Ilir Kryeziu kishin arritur marrëveshja për pranim të fajësisë me prokurorin e shtetit Feti Tunuzliu.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë, akuzohen se kishin shpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë. Ata akuzohen se kanë shkelur detyrën zyrtare me rastin e deponimit–afatizimit të parave nga klientët e dëmtuar, duke përfituar kështu përmes përvetësimit të shumave të mëdha të të hollave.
Burim Ademaj, pretendohet se në cilësinë e drejtorit të ekspoziturës të bankës “NLB-Prishtina”, ka kryer veprat penale “përvetësim në detyrë” dhe “mashtrim”.
I akuzuari Ilir Kryeziu, në cilësinë e arkëtarit – këshilltarit të klientëve të ekspoziturës së “NLB-Prishtina”, ngarkohet me veprën penale “përvetësimi në detyrë”.
Ndërsa Maliq Behluli dhe Besnik Delilaj akuzohen se sa ishin në cilësinë e arkëtarit të ekspoziturës së “NLB-Prishtina” kishin kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”.
Prokuroria, po ashtu ka bërë ri-cilësim të aktakuzës, duke e përfshirë edhe të pandehurën Miradije Morinën, punonjëse e kësaj banke, në degën e Suharekës e cila akuzohet se në bashkëkryerje ka përvetësuar në detyrë.
(Kosova Sot)