Politika mban peng disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

  • 23 January 2018 - 07:57
Politika mban peng disiplinimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

ZVARRITJA E LIGJIT QË KËRKOHEJ ME NGULM NGA AMBASADA AMERIKANE

Sistemi i kapur, në shërbim të klaneve të pushtetit

Po bëhet gati një vit që kur ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kishte kërkuar nga Qeveria e Kosovës miratimin e ligjit të ri për Procedurat Disiplinore për gjykatësit dhe prokurorët e Kosovës, por një ligj i tillë nuk është bërë akoma nga Ministria e Drejtësisë. Kërkesa e ambasadorit ishte bërë në fillim të muajit prill të vitit 2017, duke shprehur besimin se miratimi do të ndodhte brenda muajit. Edhe pse kanë kaluar 10 muaj, ligji ende nuk është aprovuar. Në planin legjislativ të Qeverisë së Kosovës është shënuar data 30 janar e këtij viti si datë e finalizimit të këtij projektligji, por Ministria e Drejtësisë nuk na ka kthyer përgjigje nëse ky afat i përcaktuar në planin legjislativ do të respektohet. Sidoqoftë, njohësit e fushës së të drejtës dhe analistë politikë vlerësojnë se është vetë politika që kontrollon sistemin e drejtësisë, ajo që po e bllokon një ligj të tillë, ngase me miratimin e ligjit gjykatësit dhe prokurorët do të përballeshin me procedura disiplinore për shkeljet e panumërta, që i bëjnë e deri te inkriminimi në korrupsion dhe krim të organizuar. Kjo nuk i konvenon politikës që e ka kapur me kthetrat e saj kriminale edhe sistemin e drejtësisë. Prof. Nexhmedin Spahiu thotë se pikërisht në mungesë të një ligji të tillë, edhe strukturat e sistemit të drejtësisë po sillen në mënyrë të papërgjegjshme."Gjykatësit dhe prokurorët kosovarë, në mungesë të dhënies së llogarisë, sillen në mënyrë të papërgjegjshme. Ata që janë të pandershëm korruptohen, ata që janë të padijshëm nuk marrin mundimin t'i studiojnë ligjet dhe japin vendime nga më absurdet, të cilat dëmtojnë palët, po në rastet më të shumta dëmtojnë shtetin", tha Spahiu për "Kosova Sot".

Image

Shkelësit nuk e sanksionojnë veten

I bllokuar nga politika në procedurë të pashpjegueshme mbetet ky ligj, për mungesë vullneti të një drejtësie efektive, edhe sipas njohësit të fushës Hasan Preteni. "Po, 'normalisht, se nuk lëvizin, është një rreth vicioz, ku një lëvizje do të lëvizte tërë sistemin, efekti domino. Kush t'i sanksionojë gjyqtarët dhe prokurorët? Kush do ta sanksionojë vetveten? Po nga të fillohet? Ishim dëshmitarë se vitin e kaluar në një rast prokurori disiplinor hapi rastin kundër një prokurori dhe menjëherë ky prokuror filloi hetimin penal kundër prokurorit disiplinor, u ndalën të dy palët", shprehet ai."Po si të fillohet procesi disiplinor kur KPK i kontrollon dy institucionet, këta kanë ra në ujdi, nuk e ngacmojnë njëri tjetrin, pagat ecin, benificionet gjithashtu. Është vetëm një rrugëdalje: Kuvendi aktiv të ndryshoj legjislacionin dhe të ngrejë llogaridhënien, detyron kryeprokurorin të vjen në Kuvend, e detyron të skuqet para publikut, e detyron të flet në seancë plenare. Detyrimi për llogaridhënie do ta rritë përgjegjësinë, ndryshe deri atëherë Kosova mbetet larg me shtetin e së drejtës dhe me sundimin e ligjit", tha Preteni për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Florim Zeqa konstaton se paaftësia e liderëve kosovarë për të qeverisur vendin e tyre, përveç pakënaqësisë qytetare dhe lajthitjes së miqve tonë ndërkombëtarë, në veçanti SHBA-së që ka investuar më së shumti për lirinë dhe pavarësimin e shtetit tonë nga Serbia, ka shpërfaqur në trajtën më të keqe supozimet e armiqve të Republikës së Kosovës, se shqiptarët nuk janë të zotët të ndërtojnë dhe as mbajnë shtet! "Prandaj, në rrethanat e mosfunksionimit total të sistemit të drejtësisë vendore, logjika e thjeshtë e të menduarit e thotë se pas 19 vjetëve të pritjes së gjatë u takon amerikanëve, çlirimtarëve faktikë të vendit tonë, që të marrin në menaxhim të plotë sistemin e drejtë- sisë në Kosovë, gjegjësisht sa të zbresin menjëherë njerëzit e FBI-së në Prishtinë. Ashtu siç e çliruan vendin nga forcat ushtarako-policore të Serbisë, le ta çlirojnë sistemin e drejtë- sisë nga kapësit e shtetit, nga oligarkët politik në njërën anë dhe mafio-oligarkët ekonomikë në anën tjetër", potencoi ai për "Kosova Sot". Sipas tij, Kosova e ditëve të sotme më shumë se mungesë të ligjeve ka moszbatueshmëri të tyre në praktikë, shkaku i prokurorëve dhe gjykatësve pa etikë dhe integritet profesional.

Image

Shteti ligjor, i pamundur me këta politikanë

Analisti politik Skënder Kapiti konstaton se vetë fakti që ambasadori amerikan në Kosovë ka kërkuar në prill 2017 miratimin e Ligjit për Procedurat Disiplinore për gjykatësit dhe prokurorët dhe ligji ende nuk është aprovuar, vërteton anarkinë në sistemin e drejtësisë. "Ata të cilët e pengojnë miratimin e këtij Ligji janë politikanët, parlamentarët dhe pushteti e biznesi i pistë i tyre. Jo vetëm që nuk ka disiplinë morale dhe as ligjore për drejtësinë në Kosovë, por në radhë të parë nuk ka moral dhe nuk ka disiplinë as demokracia në Kosovë, që do të thotë se si është politika dhe sistemi politik, si funksionojnë ato ashtu është dhe funksionon edhe drejtësia edhe demokracia. Në këto kushte është i pamundur ndërtimi i shtetit ligjor dhe vënia nën ligj demokratik të politikës dhe të drejtësisë", u shpreh ai."Pa rolin ndërkombëtar, pa ndërhyrjen e SHBA-së nuk do të ketë as demokraci dhe as drejtësi të mirë- filltë në Kosovë, sepse nuk vetëdisiplinohet, nuk vetëde kriminalizohet dhe nuk vetëdekorruptohet as politika dhe as drejtësia e padisiplinuar, e kriminalizuar dhe e korruptuar", tha Kapiti për "Kosova Sot". Edhe sipas analistit Azem Osmani, kjo harresë e politikës flet mjaft se sa joserioze është politika karshi angazhimit për shtet të së drejtës."Siç po duket, as qeveria 'Haradinaj' nuk e ka vullnetin e as guximin ta miratojë këtë ligj, edhe përkundër premtimeve të tij të mëhershme se do të merret me largimin e ndikimit të politikës nga sistemi i drejtësisë. Kjo gjë e dëshmon katërçipërisht se institucionet e drejtë- sisë janë të ndikuara drejtpërdrejt nga politika", theksoi ai."Miratimi i këtij ligji do të prishte rehatinë e strukturave që i mbajnë nën kontroll institucionet e drejtësisë, pasi do të shpërfaqeshin shkeljet e panumërta të gjykatësve dhe prokurorëve të shtetit" , tha Osmani për "Kosova Sot".

Image

Shtetësia në pikëpyetje

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se është anormale që edhe pas 19 vjetësh Kosova nuk ka ligj për sanksionimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi pushtetit dhe politikanëve të korruptuar nuk u konvenon t'i dënojë prokurorët ose gjyqtarët e tyre që i mbrojnë nga ndjekja e ligjit. "Pra, kjo klasë politike do ta zvarrisë deri në pafundësi çdo ligj që nuk iu shkon për shtati këtyre politikanëve të korruptuar që e kanë zaptuar shtetin dhe e kontrollojnë çdo pore jetësore të popullatës, të cilën e kanë sjellë në varfëri ekstreme", u shpreh ai. "Nëse ambasadori amerikan Greg Delawie e ka seriozisht ai duhet të bëjë më shumë presion serioz ndaj pushtetit, Parlamentit, Presidencës që sa më shpejt të bëhet një VETTING i përgjithshëm, ku luftën kundër krimit organizuar do ta bënte vetë FBI-ia amerikane, e cila do të punonte në mënyrë autonome ku do të pastrohej drejtësia, policia, inteligjenca, pushteti dhe politika nga njerëzit mafiozë që i ka kapur në kthetra tërë mekanizmat e shtetit tonë sot", tha Miftari për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Mustafë Kadrijaj thekson se kjo elitë politike, pa dallim pozitë dhe opozite me veprimet e tyre për interesa të veta e kanë sjellë në pikëpyetje shtetësinë e Kosovës."Si rezultat i mosmiratimit në Qeveri dhe mosvotimit në Kuvend të Ligjit për Proceduarat Disiplinore për gjykatësit elita politike ia zgjat jetën vetes në skenën politike duke ikur nga përgjegjësia para ligjit dhe njëherësh përmes gjykatësve që janë në shërbim të tyre do të vazhdojnë akoma të zhvatin buxhetin e Republikës së Kosovës", potencoi ai për "Kosova Sot". Sipas tij, këta politikanë nuk e kanë as më të voglin vullnet që ta votojnë këtë ligj, sepse kjo ua ndalë mundësinë për të zhvatur dhe njëherësh me këtë ligj edhe gjyqtarët dhe prokurorët shkelës të ligjit dhe Kushtetutës do të duhej të përgjigjeshin ashpërsisht para ligjit dhe para drejtësisë, duke u bazuar në parimin që askush të mos jetë mbi ligjin.

(Kosova Sot)