Kuvendi, bllokues dhe degradues!

  • 23 January 2018 - 08:06
Kuvendi, bllokues dhe degradues!

LEGJISLATURA MË E DËSHTUAR E REPUBLIKËS SË KOSOVËS

Kundërshtarët politikë, të bashkuar rreth interesit material

Analistë të politikës dhe ekspertë të drejtësisë dhe integrimeve evropiane vlerësojnë se Kuvendi i Kosovës, si pozita ashtu edhe opozita, kanë rënë në gjumë të thellë dimëror. Ata pyesin se përse opozita nuk po kërkon që të hapen debate të nxehta në Parlament për dëmet qindra- milionëshe që iu bënë për shumë vjet qytetarëve nga tenderomania prej mbi pesëqind milionë eurove për çdo vit që pasuroi mafio- politikanët dhe korporatat e tyre mafioze e kriminale, nga zhvatja e kundërligjshme e aseteve të shtetit, po përmes mafiobizneseve tanimë të kriminalizuara e të lidhura me pozitën dhe opozitën e tejinkriminuar, nga monopolet e inkriminuara nga mafio- bizneset e lidhura me politikën e inkriminuar, shitja korruptive-kriminale e licencave dhe lejeve të ndërtimit, por edhe shumëçka tjetër. Analisti Blerim Burjani, specialist i fushës së drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, tha për "Kosova Sot", se për momentin edhe pozita po sillet si opozitë, si në rastin e kundërshtimit të Speciales. "Opozita ka telashe të veta të brendshme politike, si VV-ja. Edhe kjo Lëvizje anarkiste e deritashme ka pësuar mjaft ndjeshëm politikisht, tash derisa të rimëkëmbet, kështu si është as që ka nevojë më të jetë", u shpreh ai.

Image

Opozita sa për sy e faqe 

Sipas Burjanit, Kosova ka nevojë për një subjekt të ri politik jo më për këto subjekte politike përfituese dhe anarkike që çdo gjë e kanë shndërruar në përfitim. "Opozitë kosovare njëherë nuk ka fare, është shumë opozitë në masë të madhe, edhe kërkesat e tyre, sado që ishin sa për sy e faqe, shpesh nuk ia qëllonin, por tash edhe më keq është se dikur. Ndaj, Kosova shumë shpejt mund të shkojë në zgjedhje të reja me këto zhvillime aktuale, të cilat kanë bllokuar çdo gjë ku pushtetarët tentojnë të përfitojnë sa më shumë para nga projektet e ndërtimeve të shkollave e rrugëve, e çka të munden. Aty edhe është interesi vital i njerëzve të papunë, që merren me politikë kinse, andaj duhet funksionuar gjykata dhe prokuroria, përndryshe do të shkojë si është, me përplot keqpërdorime, zhvatje dhe përfitime pa bazë", u shpreh ai. Kurse, analisti Arsim Haziri tha për "Kosova Sot", se politika aktuale nuk është aspak premtuese. Sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur gatishmëri për komisionet parlamentare, ku do të mund të hetohej krimi dhe veprimtaritë e tjera të paligjshme. "Shteti i Kosovës është brenda nën udhëheqjen kriminale, një udhëheqje e tillë aspak s'mund të jetë premtim për ndryshime që do të ishin në funksion të bërjes së shtetit dhe dinjitetit qytetar. Sidomos kjo logjikë së tepërmi është theksuar nga qeverisja 'Thaçi', 'Mustafa' dhe tash ky trinomi politik që janë destinuar edhe t'i degradojnë raportet me fuqitë e mëdha",tha analisti Haziri.

Pajtim për të amnistuar të keqen

Analisti Bislim Aliu tha për "Kosova Sot", se ka kohë që opozita në Kuvendin e Kosovës nuk po e luan rolin e vet në Kuvend. "Prandaj, e kemi një opozitë shumë të dobët në Kuvendin e Kosovës, duke i dhënë hapësirë opozitës që të bëjë çfarë të dojë. Kuvendi është institucioni më i lartë ligjvënës i shtetit, por për fatin e keq të qytetarëve, Kuvendi ka rënë në gjumë të thellë, sepse në Kuvend fare nuk dihet se kush është pozitë e kush është opozitë", u shpreh ai. "Në realitet, të dyja palët e kanë të njëjtin mendim, se në Kuvendin e Kosovës nuk ka nevojë që të hapen dhe të debatohet për tema të nxehta, si është krimi i organizuar, korrupsioni, mosluftimi i monopoleve në shumë fusha të ekonomisë, pastaj mos të dihet fajësia. Prandaj, e kemi këtë situatë si e kemi në Kuvendin e Kosovës, sepse të dyja palët janë fajtore, si pozita që sundon, ashtu edhe opozita që po hesht, dhe e kanë bllokuar punën e mirëfilltë të Kuvendit", vijoi më tutje Aliu. "Kuvendi si organi më i lartë ligjdhënës absolutisht nuk po e luan rolin e vet që duhet ta ketë", theksoi ai. "Ndaj, shtrohet pyetja se kush mund ta zgjidhë e ta tejkalojë këtë situatë. Këtë munden ta bëjnë vetëm kur të vijnë njerëz të rinj në skenën politike dhe që do ta ngritin zërin shumë më tepër dhe do të merreshin me problemet e shtetit e qytetarëve, ekonomisë dhe sundimit të ligjit dhe luftimit të krimit", potencoi Aliu.

Image

Vendimmarrja e sfiduar 

Eksperti i Integrimeve Evropiane, Ardian Nokaj tha për " Kosova Sot" se vendimmarrja në Kuvendin e Kosovës është sfiduar seriozisht këtë mandat. "Kuvendi po përballet me mungesën e votave për marrjen e vendimeve për disa çështje të proklamuara si prioritete politike në nivel të Kosovës, siç është Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, që ndërlidhet me liberalizimin e vizave apo edhe me formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Problem tjetër i panevojshëm është tentimlargimi i Gjykatës Speciale", u shpreh ai. "Përderisa Demarkacioni me Malin e Zi mbetet peng i mosmarrëveshjeve politike, jo vetëm ndërmjet forcave politike në pushtet dhe opozitë, por edhe ndërmjet vetë partive në pushtet, çështja e ushtrisë së Kosovës kërkon një konsensus më të gjerë dhe përfshirje të përfaqësuesve serbë në vendimmarrje", ka theksuar Nokaj. "Problemet burojnë te mungesa e një transformimi ekonomik, çka, sipas meje, do të ndikonte që politikanët dhe partitë politike të merreshin më shumë me çështjet zhvillimore të vendit dhe jo me politika të thata dhe arkaike. Te çështja e Demarkacionit, duhet të përmbyllet, ngase kemi të bëjmë me një shtet fqinj, i cili ka luajtur një rol pozitiv historik", potencoi ai. "Problem në vete paraqesin edhe numrat që bëjnë Qeverinë - e interesit , ç'do ligj apo votim kushtëzohet nga individë pseudokriminalë", ka vlerësuar Nokaj. Sipas tij, edhe Ushtria e Kosovës, edhe Demarkacioni kalojnë kur kemi një shtet i cili ka institucione që e bazojnë funksionimin e tyre në shtetin ligjor. 

(Kosova Sot)