Kosova në dekadën e parë të shtetësisë, një flluskë ekonomike

  • 23 January 2018 - 08:21
Kosova në dekadën e parë të shtetësisë, një flluskë ekonomike

Përvjetori i pavarësisë, nën hijen e anarkisë

Vendi me qeverisje të pashpresë dhe mungesë perspektive zhvillimore

Ekspertë të ekonomisë vlerësojnë se në 10- vjetorin e pavarësisë së Kosovës, entuziazmin e dikurshëm dhe besimin e qytetarëve tanë e ka zbehur situata katastrofale ekonomike dhe varfëria e madhe. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më shumë se një ndër katër kosovarë është i papunë (28.7) dhe shkalla arrin në 52 për qind në mes moshës 15 dhe 24 vjet. Analistët e shtrojnë në diskutim çështjen se si dhe përse e sollën kjo klasë politike e tejinkriminuar në bashkëpunim me nëntokën kriminale prej marionetash e spiunësh të Serbisë, duke e shndërruar Kosovën në një vend ku gjithë të rinjtë duan të ikin sa më parë? Sipas analistëve, Kosova me këtë klasë politike, që janë tërësisht në shërbim vetëm të mafio-oligarkëve dhe nëntokës kriminale, nuk ka shans dhe as shpresa për zhvillim ekonomik dhe as hapje të vendeve të reja të punës, që do të përmirë- sonin mirëqenien e qytetarëve. Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot", se pa dyshim situata ekonomike e politike e ka zbehur edhe kremten për 10- vjetorin e pavarësisë së Kosovës. "Një ekonomi e tillë, me 270 mijë qytetarë në asistencë sociale, me një papunësi mbi 35 për qind, varfëri ekstreme, çmime të larta, arrogancë politike, thjesht nuk ka mbetur vend për të festuar", potencoi ai.  

Image

Sektori privat, i margjinalizuar

Sipas Beqirit, pushtetarët në njërën anë rrisin pagat e veta në kundërshtim me çdo normë, falin borxhin e shtetit për interesa politike personale, e kanë ndrequr jetën e tyre dhe mandej dëshirojnë të ketë edhe të tillë që kanë vullnetin të festojnë për këtë 10- vjetor. "Sipas ASK-së, paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2012 ka qenë 367 euro, derisa në vitin 2016 arriti në 371 euro, që u rrit me vetëm 1.09 për qind. Derisa, paga neto nga 333 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 337 euro, me një rritje prej vetëm 4 eurosh", theksoi ai. "Sektori i ndërmarrjeve publike ka pagën më të lartë mesatare, në vitin 2012 ishte 518 euro, derisa në vitin 2016 ishte 660 euro, që u rrit për 27.41 për qind. Paga neto nga 465 euro, sa ishte në vitin 2012, u rrit në 586 euro, një rritje prej 26.02 për qind", tha ai. Por, sipas Beqirit, jo të gjithë sektorët patën rritje të shprehur të pagave nëpër vite. "Në sektorin publik, paga bruto, për periudhën 2012- 2016, u rrit për 118 euro. Te sektori privat kishte vetëm një rritje prej 4 eurosh, brenda periudhës në fjalë, nga 367 në 371 euro. Te ndërmarrjet publike, pati rritje më të madhe me 142 euro më shumë se viti 2012. Paralel u rritën edhe pagat neto", ka potencuar ai.

Shteti në shërbim të mafio-oligarkëve

Analisti Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot"se nuk ka asnjë dyshim se 10- vjetorin e pavarësisë e ka zbehur situata katastrofale ekonomike dhe varfëria e qytetarëve. "Kjo gjendje e mjerë ka bërë që të humbet ish-entuziazmi dhe besimi i qytetarëve tanë në prag të kremtes së 10- vjetorit të pavarësisë. Kjo gjendje lë të kuptosh se qysh u sollën kjo klasë politike e tejinkriminuar në bashkëpunim me nëntokën kriminale prej marionetash e spiunësh të Serbisë, duke e shndërruar Kosovën në një vend, ku të gjithë të rinjtë duan të ikin sa më parë nga Kosova", potencoi ai. "Kosova me këtë klasë politike prej marionetash e komplotistësh, që janë tërësisht në shërbim vetëm të mafio-oligarkëve dhe nëntokës kriminale, nuk ka asnjë shans dhe as shpresë për të pasur një zhvillim ekonomik dhe as hapje të vendeve të reja të punës, që do të përmirë- sonin mirëqenien e qytetarëve, sepse me këtë klasë politike të rinjtë nuk po shohin kurrfarë perspektive dhe Kosova po rrezikon që një ditë të afërt edhe do të zbrazet nga gjeneratat e reja", ka theksuar Guraziu.

Image

Minimumi jetik, "luks" në Kosovë 

Ndërsa, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për "Kosova Sot", se nuk kanë mbetur shumë ditë deri te festimi i 10- vjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit dhe të gjithë e kemi pasur të qartë se do të duhet kohë për një mirëqenie të mirëfilltë evropiane për qytetarët e vendit. "Nuk kemi pritur se vendi ynë të kthehet në një vend ku mirëqenia elementare është luks, asnjëri prej nesh nuk kemi pritur se do të jetojmë në varfëri edhe pas 10 vjetëve pavarësi , ku ligji shkelet pamëshirshëm nga ata që kanë fuqi, ku qytetarët jetojnë në ankth për të ardhmen e fëmijëve", u shpreh ai. "Edhe pas një dekade qytetari i Republikës së Kosovës nuk jeton mirë dhe me perspektivë. Vendi ynë është më i varfëri në rajon dhe po shihet si vend ku po lulëzon korrupsioni dhe krimi i organizuar dhe është vendi më i izoluar në Evropë. Nga shumë raporte ndërkombëtare dhe vendore, vendi ynë shihet me shkallën më të lartë të varfërisë, me ekonominë më të dobët, me institucione jokredibile, gjyqësor të paaftë dhe ku gati gjysma e popullatës është e papunë", vlerësoi Neziraj."Besoj se me qeverisjen 'Haradinaj' po shpresojmë në një qeverisje të re, dinamike,kompetente,vendimarrëse,zhvillimore të fuqishme dhe të pakompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", vijoi më tutje ai.

Image

Papunësia e varfëria, më të larta se shifrat e ASK-së

Eksperti i ekonomisë Dardan Grapci tha për "Kosova Sot", se për 10- vjetorin e pavarësisë së Kosovës situata ekonomike është zbehur shumë, sepse politikanët janë duke e humbur besimin te qytetarët gradualisht, varfëria është duke u rritur. "Statistikat e ASK-së janë të zbutura, sepse jam i bindur që shkalla e papunësisë një ndër katër persona nuk është (28.7), por mendoj që është edhe më e lartë, ku kjo shifër arrin jo në 52 për qind, por më lart, afër 70 për qind në mes moshës 16 dhe 30 vjet", u shpreh ai. Sipas Grapcit, Kosova me këtë klasë politike ka dështuar, duke e ditur që politikanët janë vetëm zbatues të urdhrave të nëntokës e mafisë. "Zhvillimin ekonomik nuk mund ta rrisim me importet nga Serbia apo nga ndonjë vend tjetër, por duke i punësuar qytetarët e Kosovës dhe duke i shitur prodhimet vendore në çdo dyqan dhe qendër tregtare si dhe duke e bërë eksportimin e tyre jashtë Kosovës", ka potencuar ai. Ndërsa, Selatin Kaçaniku("Konsumatori") tha për "Kosova Sot", se për 10- vjetorin e parë nuk e kemi as përafërsisht Kosovën e premtuar e të ëndërruar. "Të punësuar janë kryesisht militantët partiakë, janë po ata që krijojnë numra statistikorë për efekte politike, por jo për qëllime ekonomike, zhvillimore, të punësimit gjenerues, prodhues-shërbyes", ka vlerësuar ai. Sipas tij, në këtë përvjetor vazhdojnë privatizimet e aseteve, pronave, ndërmarrjeve publike, shoqërore, shtetërore , të qytetarit, të punëtorit, pa obligim që këta punëtorë, të cilët në shumë trajta kanë kontribuuar dikur në krijimin e ngritjen e këtyre aseteve t'i kthejnë në vendet e tyre të punës.

(Kosova Sot)